RMV, Protestuan nxënësit: Mësim të kombinuar, ose shihemi në bojkote e protesta më masive

Nxënësit e shkollave të mesme sot protestuan në Shkup, duke filluar nga objekti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës deri te objekti i Qeverisë së RMV-së, kundër propozimit që mësimi të zhvillohet online, transmeton Portalb.mk.

“Sot këtu jemi grumbulluar, nxënës, studentë, prindër dhe arsimtarë nga gjithë vendi për të shprehur revoltën dhe pakënaqësinë në lidhje me vendimin e qeverisë që procesi arsimor të realizohet nga distanca, duke e konsideruar atë si skandaloz, të papranueshëm dhe joefikas”, u shpreh nxënësi Blendi Hodai.

Ai vlerësoi se vendimmarrësit nuk e njohin rëndësinë e prezencës fizike të nxënësve nëpër klasa.

“Qeveria arsyetohet se është e rrezikshme në kohë pandemie të hapen shkollat, por nuk e kanë problem që plazhet janë të stërmbushura me njerëz, nuk e kanë problem që kafenetë dhe restorantet janë plot me njerëz që nuk respektojnë as distancën e as masat tjera anti-kovid”, deklaroi Hodai.

Ai përkujtoi se në kohën e fushatës parazgjedhore, sheshet ishin të mbushura me njerëz, ndërsa tani qendrat tregtare janë të mbushura. Ata paralajmëruan pushtetarët që të marrin vendim për mësim të kombinuar, përndryshe do të bojkotojnë dhe protestojnë.

“Ne nuk do të tolerojmë demagogji fjalësh, ose merrni vendim për mësim të kombinuar, ose shihemi në bojkote dhe protesta tjera edhe më masive”, premtuan nxënësit.

Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi, shkollat duhet të fillojnë mësimin më 1 shtator në shkolla, ndërsa propozimi i Qeverisë në seancën e 82-të qeveritare është që mësimi të fillojë më 1 tetor dhe mësimi të jetë në shkolla për nxënësit nga klasa e parë në të tretën, me disa përjashtime, duke respektuar Protokollin e miratuar. Pikërisht, një propozim të tillë për fillimin e mësimit nga 1 tetori, e propozoi edhe kryetari i LSDM-së dhe kryeministri Zoran Zaev.

Por të gjitha propozimet e Qeverisë duhet të kalojnë patjetër në Kuvend, kuvend i cili akoma nuk ka caktuar seancë për votimin e ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore në arsim, si shembull Ligji për arsimin fillor, neni 50  që tregon se se “Viti shkollor në shkollë fillore, sipas rregullit, fillon më 1 shtator, ndërsa përfundon më 31 gusht vitin e ardhshëm”.

Anketa e Avokatit të Popullit theksoi se vetëm 11% nga arsimtarët në fillore kanë kushte për mësimin online, ndërsa 58% janë përgjigjur se nuk janë të trajnuar edhe pse kanë pajisje kompjuteri, ose janë të trajnuar por nuk kanë pajisje kompjuterike. Anketa ishte zhvilluar nga qershori në gusht, ku kishin marrë pjesë 72 shkolla nga gjithë vendi.

Gjithashtu të dielën protestuan edhe nxënësit gjimnazistët e Strumicës, ndërsa për të hënën janë paralajmëruar protesta tjera. Kërkesa e nxënësve të shkollave të mesme ishte kthimi i tyre në shkollë dhe vazhdimi i mësimit, qoftë edhe në formë të kombinuar

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button