fbpx

Raufi: Po të ishte përdorur “Omega” në vrasjen e Smillkovës, autorët do ta digjnin

Mbrojtja në rastin “Monstra” vazhdon të insistojë se automjeti “Opel Omega”, i cili sipas akuzës së Prokurorisë është përdorur gjatë aktit të kryerjes së vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, gjegjësisht autorët kanë udhëtuar me të njëjtin se s’ka të bëjë me rastin dhe s’ka asnjë dëshmitarë që e dëshmon se automjeti është parë në vendin e krimit, Portalb.mk.

“Dëshminë e sotme të dëshmitarit e kuptoj se dikush tjetër e ka pa dhe e ka përpunuar. Kjo do të thotë që veturën e ka prekur kush ka mbërritur, kush e di cili me radhë ka qenë kur ka ardhur policia. Në vendin ku është gjetur vetura kanë shkuar për Antiterrorizëm, pastaj kur e kanë dërguar në MPB nuk ka proces verbal se kush e ka pranuar automjetin. Çelsi më pas është humbur. Më herët kanë thënë që në automjet është gjetur dhe apo baltë, ndërkaq ekspertiza ka treguar se ajo baltë ka qenë prej vendit ku ka ndodhur vrasja, por nuk e di si e kanë vërtetuar këtë kur ne nuk kemi laborator për ekspertizë të dheut. Këtë e kanë vërtetuar edhe ekspertët e MPB-së”, komenton Raufi në lidhje me deklaratën e sotme të ish pjesëtarit të MPB-së, i cili më 13 prill (në ditën kur është gjetur automjeti) ka qenë në detyrë për ta fotografuar.

Naser RaufiAvokati Raufi gjithashtu thotë se është simptomatike që në një rast të këtillë, ku siç thotë ai, vrasjen e kanë kryer persona profesionistë ta lënë makinën me prova.

“Vrasjen e pesëfishtë e kanë bërë profesionistë, nëse do të ishte përdorur automjeti “Opel Omega” gjatë vrasjes do ta digjnin, nuk janë të çmendur ta lënë veturën me ADN. Është e çuditshme që ta lënë veturën si provë. Veç asaj, s’ka asnjë dëshmitar që thotë se e ka parë veturën në vendin e krimit. Nuk e dimë edhe se kush e ka lajmëruar i pari se e ka parë veturën në vendin ku është gjetur. Policia thonë se e kanë kontrolluar lëvizjen e automjetit, por s’kanë gjetur asgjë. Në atë rrugë që paramendohet që të ketë lëvizur automjeti kanë funksionuar kamerat, por nuk ka incizime. Mandej, ndoshta dhe mund të ketë lëvizur andej, por kjo s’do të thotë që është përdorur në vrasje, mund të jetë përdorur për ndonjë gjë tjetër, pra gjithçka është hipotetike”, thotë Raufi.

Sipas Raufit, nëse MPB-ja e ka gjetur ADN-në e njëri prej të akuzuarve, por kjo nuk do të thotë që ai e ka kryer vrasjen, pasi që vetura s’ka të bëje me rastin, edhe unë kam mundur të udhëtoj me atë veturë, ka mundur të jetë dikush në autostop – pra nuk ka fakte dhe s’dihet kush e ka lidhur këtë veturë me rastin.

Rasti "Monstra", vetura Opel Omega
Rasti “Monstra”, vetura Opel Omega

Automjeti “Omega” është gjetur më 13 prill të vitit 2012-të (një ditë pas vrasjes) në zonën e Bllacës, apo në vendin e quajtur Vrazhivir. Ish ministrja e Brendshme, Gordana Jankulloska,16 prill (katër ditë pas vrasjes) deklaronte se “dyshon” që vetura është përdorur nga kryerësit e vrasjes. Ky pohim i ministres më pas u bë dhe aktakuzë.

Kanë udhëtuar 4-5 persona, janë gjetur gjurmë biologjike vetëm të njërit

Gjatë gjykimit të parë, trupi gjykues nuk lejoi ta shikonin palët veturën, por ua treguan vetëm në fotografi. Kjo ishte dhe një ndër vërejtjet e Gjykatës Supreme, për çka e ktheu lëndën në rigjykim. Pasi u nis lënda nga e para, trupi i ri gjykues, i udhëhequr nga gjykatësit Ognen Stavrev dhe Osman Shaban lejuan që vetura të bëhet publike, jo vetëm për palët, madje edhe për gazetarët dhe mediat.

Alil Demiri
Alil Demiri

Sipas ekspertëve të MPB-së, me veturën “Opel Omega” kanë udhëtuar 4-5 persona, por prej 4 profileve të ADN-së nga gjurmët biologjike, vetëm njëri është përshtatur me njërin nga të akuzuarit, konkretisht me të akuzuarin Alil Demiri. Tre profilet e tjera s’kanë mundur të identifikohen për shkak të koncentrimit të dobët të qelizave apo tretjes së tyre.

Robert Janevski nga MPB, doktor shkence i gjenetikës, në seancën ku shpjegoi për gjetjen e gjurmëve biologjike tha se profilin e ADN-së të Demirit e kanë pasur më lehtë ta gjejnë, pasi që paraprakisht Demiri ka qenë i regjistruar në regjistrin e personave të dyshuar në MPB dhe nga një rast paraprak ia kanë marrë gjurmët biologjike dhe tani vetëm kanë bërë krahasim dhe e njëjta ka rezultuar të jetë e njëjtë, ndërkaq profilet tjera nuk është mundur të konstatohet për shkak të koncentrimit të ulët të qelizave, gjegjësisht që siç tha ai për shkak të “prekjes apo fërkimit të dobët me objektin”.

Edhe këtë fakt e ka kontestuar mbrojtja, duke thënë që si është e mundur që në një automjet prej 4-5 personave të humbin të gjitha gjurmët biologjike dhe të mbesin vetëm të Alil Demirit.

Bedri Ajdari
Bedri Ajdari

“Si është e mundur që në një veturë të thuhet se kanë qenë tre apo më tepër persona të cilët janë të akuzuar dhe nuk është gjetur ADN-ja e të tjerëve, por vetëm e Alil Demiri. Kjo do të thotë se si i përmende termet eksperti multiplikim ose shumëzim dhe degradim. Pra është e qartë se ka mundësi që nëpërmjet shumëzimit në atë vend ku e kanë gjetur ADN-në e Alil Demirit dhe e kanë pasur për barazim, pra atë ADN e kanë pasur të plotë nga një rast tjetër. Pra 5 vetura janë marrë nga këto të akuzuarit dhe në ato pesë vetura te secila ka mundur të jetë ADN-ja apo gjurma nga djersa apo qelizat epiteliale.  Pra ka qenë e mundur që të jenë edhe në veturat tjera dhe thjeshtë të mund të thuhet këtu. Paramendo e cila një qelizë nuk shihet me atë shihet me mikroskop të rezolutës së lartë ta identifikojë, dhe nëse ka pasur djersë, prekje apo fërkim me mjetin që është gjetur ADN-ja, duhet të ketë më shumë – pse është fshehur kaq vite vetura, pse e përdor fjalën ai degradim – apo koncentrim shumë i vogël i materialit. Pra, a është e mundur vetëm një qelizë të jetë pas fërkimi, ku në një milimetër kub mund të gjesh një milion qeliza”, thotë Ajdari.

Sipas MPB-së, vetura ka qenë e falsifikuar

Sipas ekspertit të MPB-së, Goce Markov vetura “Opel Omega” edhe pse ka qenë veturë origjinale, ka qenë me targa të rrejshme, gjegjësisht e njëjta asnjëherë nuk është regjistruar në Maqedoni.

“Vetura “Opel Omega” është me numër origjinal identifikimi, por gjatë kontrollit në sistem është konstatuar se targat janë origjinale, por nuk janë të asaj veture, por të një veture “Mercedes tip123”. Nga kontrollet e kryera në bazën e veturave të regjistruara në Maqedoni për “Opel Omega” është konstatuar se kjo veturë asnjëherë nuk është regjistruar në Maqedoni”, deklaroi Markov, në seancën gjyqësore më 12.11.2018.

Gjykimi do të vazhdojë në drejtimin e zbardhjes së personit të parë që e ka lajmëruar rastin dhe atij që e ka lajmëruar se është gjetur automjeti.

Avokati Raufi beson që Prokuroria do ta tërheqë aktakuzën pasi që nuk ka prova se të akuzuarit e kanë kryer veprën. Mes tjerash ai thotë që madje nuk dihet sa persona e kanë kryer, duke e pasur parasysh se s’ka asnjë dëshmitar që e ka parë aktin.

 “Këto thonë se 3 persona e kanë kryer vrasjen dhe këtë nuk e dinë, por vetëm e kanë marrë prej asaj që janë përdorur tre armë në vend. Së pari, pra nuk mund të caktohet numri i të akuzuarve në bazë të numrit të armëve. Ka mundësi që një person t’i ketë pasur dy armë, dhe në këtë rast pse të akuzohen 3 persona? Nuk ka asnjë person që e ka parë aktin dhe nuk ka fakte se të akuzuarit e kanë kryer vrasjen. Pasi të mbarojë procedura për të cilat Gjykata Supreme dha vërejtjet e saja, Prokuroria do ta tërheqë aktakuzën për personat që akuzohen”, thotë Raufi.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close