PROJEKSIONE: BOTA PAS PANDEMISË (II)

Shannon K. O’Neil, nga Këshilli për Marrëdhënie të Jashtme (Council on Foreign Relations), autor i Dy kombe të pandara: Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe rruga përpara, shënon se Covid-19 është duke i dërrmuar parimet e prodhimtarisë globale. Kompanitë do të rimendojnë dhe tkurrin furnizimin ndërshtetëror që dominon prodhimin sot, do të jenë në shënjestër ekonomikisht (nga puna e lirë kineze, lufta e tregtare e Trumpit, avancimet në robotikë, automatizimi dhe shtypi 3D) dhe politikisht (nga humbjet e vendeve të punës, në veçanti në ekonomitë e pjekura). Do ketë profit më të ulët por më shumë stabilitet. Spitalet, farmacitë, supermarketet do të kenë me pak stoqe dhe produkte. Qeveritë do të intervenojnë duke i detyruar industritë strategjike të kenë plane për rezerva vendore.

Shivankar Meno, nga Brookings India, mendon se pandemia e koronavirusit do t’i  ndryshojë politikat, si brenda shteteve ashtu edhe me të tjerët, se shoqëritë i janë kthyer fuqisë, madje edhe libertarianet. Suksesi relativ i qeverisë në tejkalimin e pandemisë dhe efektet e saj ekonomike do t’i përkeqësojë ose do t’i pakësojë çështjet e sigurisë dhe polarizimet brenda shoqërisë. Sisodoqftë qeveria po kthehet. Përvoja e deritanishme ka treguar se nuk janë më të mirë as autoritarianët e as populistët në ballafaqimin me problemet e pandemisë. Ende nuk kemi hyrë në fazën e fundit të botës së ndërvarur e të ndërlidhur. Pandemia është argument i ndërvarësisë sonë. Në të gjitha politikat ka kthim brenda, kërkim për autonomi dhe kontroll të fatit vetjak. Shkojmë kah një botë më e varfër, më e lgë dhe më e vogël. Ka edhe shenja të shpresës dhe ndjenjës së mirë. India ndërmori nismë për një video-konferencë me pjesëmarrje të të gjithë liderëve të  vendeve të Azisë Jugore për të gjetur solucione të përbashkëta lidhur me kërcënimin në fjalë. Nëse pandemia na shokon për t’i njohur interesat në bashkëpunimin multilateral mbi çështjet globale me të cilat përballemi, do të shërbejë për qëllime të dobishme.

Joseph S. Nye, Jr. nga Harvardi, autor i veprës Ç’punë kryen morali? Presidentët dhe politika e jashtme nga Roosevelti deri te Trumpi, pohon se fuqia amerikane ka nevojë për një strategji të re, se SHBA-të ndonëse prijnë si fuqi-pushtet, nuk do të mund të ruajnë sigurinë e vet duke vepruar kokë më vete. Në këtë drejtim, çështje kyçe është të mësuarit e rëndësisë së “fuqisë me të tjerët” (power with others). Covid-19 tregon se Amerika po dështon në trategjinë e vet për këtë botë të re. Çdo shtet i vë në rend të parë interesat e veta, por puna është se sa ngushtë apo gjerë këto interesa janë të definuara. Lidhur me kërcënimet transnacionale, si virusi aktual dhe ndryshimet klimaterike nuk mjafton vetëm të mendohet rreth fuqisë amerikane ndaj kombeve të tjera. Siç ka përmbledhur Richard Danzig (2018)  “Teknologjitë e shekullit 21 janë globale jo vetëm në përhapjen e tyre, por edhe në pasojat. Patogjenët, sistemet e inteligjencës artificiale, radiacioni mund të bëhen probleme sa tonat aq edhe të tyre. Sistemet raportuese, kontrollet e përbashkëta, planet, normat dhe marrëveshjet rreth pasigurisë duhet të ndiqen si mjete për zbutjen e rreziqeve të shumta të përbashkëta.”

Richard N. Haas, kryetar i Këshillit për Marrëdhënie ndërkombëtare, autor i Bota: një hyrje e shkurtër, parashikon se kriza së paku për disa vite shumicën e qeverive do t’i shtyjë të tërhiqen përbrenda, të fokusohen më tepër në atë që ndodh brenda kufijve të tyre sesa në atë jashtë tyre. Do të  përballemi me fenomene si vetëmjaftueshmëria selektive (shkëputja), lëndueshmëria e furnizimeve, oponenca e ashpër ndaj imigracionit, vullneti më i pakët për t’u përballur me probleme rajonale dhe ndërkombëtare, me përkushtim të burimeve ndaj “rindërtimit të shtëpisë.” Do të rritet numri i “shteteve të dështuara”, do shënohet përkeqësim i raporteve kinezo-amerikane, dobësim i integrimeve europiane. Pozitiv do të jetë trendi i forcimit të qeverisjes globale në rrafshin e shëndetit publik.

Laurie Garret, fitues i Çmimit Pulitzer,  thotë se jemi në një fazë dramatike të kapitalizmit global, të ndryshimeve fundamentale dhe se historia e Covid-19 do të shkruhet nga fitimtarët, kurse Kori Schake nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike pohon se Shtetet e Bashkuara kanë dështuar në testin e lidershipit, se tanimë për shkak të interesave të ngushta qeveritare dhe inkompetencës së treguar, nuk janë më lider ndërkombëtar.

Pra një pjesë e mirë e analistëve relevantë parashohin ndryshime radikale në skenën ndërkombëtare, në mënyrën tonë të jetesës, një epokë post-amerikane, një periudhë turbulente në shumë sfera të jetës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button