Trump dhe Biden u përplasën për dhunën në Oregon

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe rivali i tij demokrat, Joe Biden, u përplasën rreth dhunës që ka shpërthyer në protestat në Portland të Oregonit.

Trump e fajësoi kryebashkiakun demokrat të Portlandit, Ted Wheeler, për, siç tha, lejimin e “vdekjes dhe shkatërrimit të qytetit të tij”.

Biden tha se presidenti është “inkurajues i pamatur i dhunës”, transmeton REL.

Të shtunën në Portland, një person u qëllua për vdekje, pasi gjetkë nëpër këtë qytet mbështetësit e Trumpit u përleshën me protestues të lëvizjës “Jetët e afrikano-amerikanëve vlejnë”.

Portland është bërë një vatër e rëndësishme e protestave kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit, qëkur afrikano-amerikani George Floyd ka vdekur gjatë arrestimit nga policia, më 25 maj, në Mineapolis.

Vrasja e tij ka shkaktuar një valë të zemërimit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në një seri postimesh në Twitter, Trump tha se “Portlandi nuk do të shërohet kurrë me kryebashkiak budalla” dhe sugjeroi dërgimin e forcave federale në qytet.

Ai po ashtu tha se Biden “nuk është i gatshëm për të udhëhequr”.

Biden tha përmes një deklarate se Trump “mund të besojë se postimet në Twitter për rendin dhe ligjin e bëjnë atë të fortë, porse dështimi për t’iu bërë thirrje mbështetësve të tij që të ndalojnë së kërkuari konflikt, tregon se sa i dobët është”.

Më herët, ushtruesi i detyrës së sekretarit për siguri kombëtare, Chad Wold, tha se zyrtarët demokratë në Portland kanë lejuar zhvillimin e “kaosit” dhe shtoi se “të gjitha opsionet për zgjidhjen e situatës janë në tavolinë”.

Demokratët u përgjigjën duke thënë se dhuna po ndodh nën presidencën e Trumpit dhe e akuzuan udhëheqësin e SHBA-së për përkeqësimin e situatës me retorikën e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button