Fëmijët nga Shoqata “Bashkarisht Mundemi” në Simpoziumin Ndërkombëtar të Artit “Struga 2020”

Anëtarët e Shoqatës për persona me nevoja speciale “Bashkërisht Mundemi” nga Gostivari ishin pjesë e edicionit të katërt të Simpoziumit Ndërkombëtar të Artit “Struga 2020”, organizuar nga Shoqata për Art dhe Kulturë “Silindart” – Gostivar, njofton Portalb.mk.

Rreth njëzet pjesëmarrës, kryesisht fëmijë me nevoja speciale, krijuan vepra artistike me asistencë të artistëve pjesëmarrës në Simpozium.

“Me kënaqësi pranuam ftesën e kryetarit të Shoqatës ‘Silindart’- Burhan Ahmeti, për të marrë pjesë në këtë event kaq të rëndësishëm kulturor dhe anëtarët tanë, pothuajse të gjithë fëmijë, ta shijojnë vlerën e artit dhe ngjarjeve kulturore njëlloj si fëmijët dhe personat tjerë të cilët nuk kanë pengesa. Veprat të cilat do t’i krijojnë ata në këtë Simpozium, do t’i ekspozojmë para publikut në ndonjë ngjarje tjetër të përshtatshme”, thekson Shpendi Salija, kryetar i Shoqatës “Bashkërisht Mundemi”.

Ky është edicioni i parë i këtij Simpoziumi, në të cilin organizohet një aktivitet i këtillë.

“E pamë të arsyeshme që këtë vit, krahas aktiviteteve tjera siç janë performanca artistike, piktura murale 3D, mbrëmje poetike dhe ekspozita përmbyllëse, një ditë të simpoziumit ta ndajmë për personat me nevoja speciale dhe lumturia e këtyre fëmijëve, por edhe e kënaqësia jonë gjatë punës me ta, na bindën se nuk gabuam dhe mendojmë që në të gjitha edicionet e ardhshme të organizojmë nga një event të këtillë, sepse socializmi i tyre në shoqëri dhe në aktivitete kulturore-artistike është i çmueshëm për gjithë shoqërinë”, thotë Burhan Ahmeti, kryetar i “Silindart”.

Organizatorët, pjesëmarrësve u ndanë cerifikata për pjesëmarrje, ndërsa kryetarët e dy shoqatave, këmbyen mirënjohje për kontributin e dhënë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button