RMV, urrejtësit sulmojnë përkatësinë etnike, racën dhe religjionin, nevojiten masa më të rrepta

Ne mund të dukemi shumë të fortë si qenie njerëzore, megjithatë, në momentin kur jemi viktima të gjuhës së urrejtjes gjithçka që kemi nevojë është solidaritet dhe përkrahje morale, u shpreh kështu aktivistja Smailoviç e cila jo rrallë herë ka qenë pre e gjuhës së urrejtjes. Dy ditë më herët u sulmua aktivisti Blendi Hodai, ndërkaq edhe “lufta” për të drejtat e romëve nuk është fushë me lule, na shpjegoi aktivistja Selva Mustafi. Besa Arifi thotë se kjo gjuhë dënohet me ligjet pozitive në vend, dhe se shpesh here pas këtij krimi, pason një krim më i madh, shkruan Portalb.mk.

Nga një pjesë jo e vogël e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut puna për të mirën e përgjithshme përveç që nuk vlerësohet, ajo edhe sulmohet nga ata pak të rinj që vendosin të luftojnë. Megjithatë, të gjithë viktimat e gjuhës së urrejtjes me të cilat biseduam, na thanë se kjo dukuri vetëm se i bën ata më të fortë.

Kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme ka më shumë se tre vite që është bë zëri i të rinjve të cilët hasen me probleme të shumta në Arsim. E në asnjë moment nuk e kishte menduar se gjatë këtij rrugëtimi, do të vinte dita kur do të sulmohej, e për këtë, shkak do të ishte nacionaliteti i tij.

Blendi Hodai
Blendi Hodai

“E kam nisur këtë punë shumë i ri, e të jesh fytyrë publike nga një moshë e re është jashtëzakonisht e vështirë për shkak se duhet të menaxhohet edhe presioni publik. Aktivizmi qytetar ka shumë anë të fshehta të cilat mbase nuk i bëjmë gjithmonë publike, edhe atë: Gjuha e urrejtjes, ofendime, mesazhe kërcënuese e kështu me radhë. Nuk është aspak e lehtë. Megjithatë, nuk ka vend për demotivim, unë jam shumë optimist dhe do të vazhdoj kështu” tha Blendi Hodai për Portalb.mk.

Në mungesë të argumenteve tjera, e vetmja arsye se pse Hodai është sulmuar ka qenë nacionaliteti i tij, “Për fat të keq, tek ne koniunktura shoqërore është në ndikim të retorikës ballkanike në të cilën njerëzit gjykohen për shkak nacionalitetit, religjionit etj. Ndonëse jam shqiptar dhe shumicës mundet ti pengojë një gjë e tillë, fakt është që gjithë nxënësit në RMV asnjëherë nuk kanë qenë kaq mirë të organizuar. Asnjëherë zëri i nxënësve nuk ka pasur jehonë kaq të madhe saqë ka tash” shtoi ai.

Gjithë të lartpërmendurat, sipas Blendit janë edhe arsye se pse shumë të rinj nuk kyçen në aktivizmin shoqëror, ai tha se ka pasur periudha kur është ndjerë i lodhur fizikisht e mentalisht nga presioni publik por nuk ka lejuar që kjo të jetë arsye për dorëzim, ai thotë se do të vazhdojë rrugën për të drejtat e nxënësve, edhe atë më fuqishëm se kurrë.

Të jesh grua e cila lufton për të drejtat e grave në Maqedoninë e Veriut është tejet e vështirë, e kur kësaj ia shton edhe të qenurit e mbuluar dhe myslimane, paragjykimi bëhet trefish më i lartë si dhe mundësia për të qenë “cak” i gjuhës së urrejtjes, shtohet.

Mersiha Smailoviç, kryetarja e organizatës joqeveritare “Legis” ka qenë e sulmuar shpesh here për shkak të mbulesës së saj, për një pjesë të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, ajo është konsideruar si dikush që nuk i përket këtij shteti.

Mersiha Smailovic, aktivste.
Mersiha Smailovic, aktivste.

“Gjuha e urrejtjes është vepër penale dhe për këtë arsye personi që bije pre e kësaj vepre, quhet viktimë.Jemi dëshmitarë se kjo gjuhë bëhet gjithnjë më i pranishëm në jetën publike. Kjo për shkak të mos-dënimit të të njëjtit. Problemi bëhet më i madh kur viktima duhet vetë të përballet me gjithë atë urrejtje. Dhe gjihtë ajo urrejtje, e cila i drejtohet viktimës, ka të bëje me karakteristikat e saja apo tij, edhe atë: Nacionaliteti, religjioni, gjinia apo gjithçka tjetër që është besim i yti dhe nuk ju bën dëm të tjerëve ata duhet të respektojnë dhe në asnjë formë të ofendojnë. Është e dhimbshme kur të sulmojnë përderisa ju luftoni për diçka që është në të mirën e përgjithshme” tha Smailoviç.

Ajo të gjitha këta ofendime dhe kërcënime i ka denoncuar në institucionet përkatëse. Përkundër kësaj, shpesh here Smailovic nuk është ndjerë e sigurt të dalë nga shtëpia apo të kyçet në rrjetet sociale, “ Ndonjëherë serioziteti dhe intensiteti i atyre fjalëve të urrejtjes është aq i fortë saqë të bën të frikësohesh të dalish jashtë apo të kyçesh në rrjetet sociale, edhe pse mund të dukemi shumë të fortë, në ato momente gjithçka që duam është të largohemi nga publiku apo masa. Për këtë arsye, në ato momente është shumë e rëndësishme solidariteti dhe përkrahja e njerëzve. Duhet të forcojmë solidaritetin dhe të dënojmë çdo gjuhë që ka urrejtje në të, sepse askush prej neve nuk është i fortë mjaftueshëm që luftën ta fitoje vetë” shtoi Mersiha Smailoviç.

Edhe pse ndodhemi në vitin 2020 dhe shekulli 21, romët në Maqedoninë e Veriut çdo ditë përballen me paragjykime nga më të ndryshmet, ata diskriminohen, ofendohen dhe nuk trajtohen njëjtë si tjerët, e kjo vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës.

Selva Mustafi së bashku me organizatën joqeveritare “Avaja” përmes projekteve të ndryshme të vetëdijesimit janë munduar që sadopak të minimizojnë këtë fenomen dhe të bëhen zëri i romëve në vend. Ajo thotë se kjo rrugë nuk është aspak e lehtë.

Selva Mustafi, aktiviste e "Avaja".
Selva Mustafi, aktiviste e “Avaja”.

“Racizmi në Maqedoninë e Veriut nuk është ulur aspak, madje ka pësuar rritje. Për çfarë jete për të gjithë jemi duke folur kur në rrugët tona ende dëgjohen fjalë ofenduese dhe raciste kundrejt romëve? Romët janë të barabartë në qoftë se bazohemi në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, sidoqoftë, ata nuk pranohen si të tillë nga një numër i madh i qytetarëve dhe institucioneve në vend” tha Selva Mustafi për Portalb.mk.

Selva dhe bashkë aktivistët e saja shpesh here kanë rënë pre e ofendimeve dhe gjuhës së urrejtjes për shkak të punës që ata bëjnë, ajo thotë se e gjithë kjo vjen nga mos njohja e kulturës dhe traditave të romëve, sipas Selvës, kjo të sjell deri në atë pikë ku shoqëria në formë direkte apo indirekte injoron një pjesë prej tyre, kështu duke privilegjuar grupet tjera.

Çfarë thotë ligji për këtë?

Sipas profesoreshës të së Drejtës Penale, Besa Arifi, në qoftë se gjuha e urrejtjes nuk dënohet, viktimat e kësaj vepre penale janë të rrezikuar që kundrejt tyre të kryhen edhe vepra tjera penale sepse këta persona veçse bëhen target potencial dhe i krimeve të urrejtjes.

Besa Arifi.
Besa Arifi.

“Në Maqedoninë e Veriut dënohet gjuha e urrejtës dhe krimet e urrejtjes. Është e rëndësishme që gjuha e urrejtjes të dënohet për shkak se përhapja e urrejtjes përmes të shprehurit shpesh herë rezulton me kryerje të krimeve të urrejtjes. Kështu, kur përmes gjuhës së urrejtjes targetohet një person i caktuar veçanërisht përmes medieve, ai person bëhet target potencial edhe i krimeve të urrejtës që mund të kryhen ndaj tij për të përçuar mesazhin e urrejtjes. Krimet e urrejtjes janë gjithmonë krime me mesazh të cilat kanë për qëllim viktimës t’ia bëjnë me dije që nuk është i/e sigurte të jetojë në një vend të caktuar” theksoi Besa Arifi, profesoreshë.

A dënohen këta vepra?

“Për shkak se këto krime cenojnë barazinë mes qytetarëve dhe sigurinë, ato dënohen më rëndë se veprat e rëndomta penale. Gjuha e urrejtjes në RMV dënohet përmes Ligjit për anti-diskriminim në bazë të të cilit organet kompetente ngrisin kërkesë në prokurori për shqyrtim të rasteve të diskriminimit. Krimet e urrejtjes dënohen me iniciativë të prokurorisë penale dhe të njëjtat janë rregulluar në Kodin penal. Dërgimi i mesazheve kërcënuese përmes rrjeteve sociale deri tek një person për shkak të përkatësisë së tij etnike përbën figurën ligjore të veprës penale Rrezikim i sigurisë nga neni 144, paragrafi 4 i KPRMV i cili përcakton; “Ai që përmes sistemit informatikë do të kërcënohet se do të kryejë vepër penale për të cilën është paraparë dënim me burg prej pesë vitesh ose dënim më i rëndë kundër një personi për shkak të përkatësisë së tij nacionale, etnike, racore ose fetare do të dënohet me burg prej 1 deri në 5 vite”. Po ashtu këto veprime janë të përafërta me figurën ligjore të veprës penale Përhapje e materialeve raciste dhe ksenofobe përmes sistemit kompjuterik  nga neni 384-g i KPRMV i cili poashtu parasheh dënim prej 1 deri në 5 vite burg. Prokurori publik përcakton cila prej veprave penale të përmendura përshtatet më shumë me incidentin në fjalë” shtoi Arifi.

Ndryshe, edhe pse gjuha e urrejtjes, racizmi si dhe kërcënimet parashihen në ligjet pozitive në Maqedoninë e Veriut, në praktikë, të njëjtat nuk zbatohen dhe sipas parafolësve tanë, kjo është një nga arsyet se pse këta vepra penale nuk reduktohen por përkundrazi, hasin rritje për çdo vit.

Portalb.mk ndër vite shkruan për problematikën e gjuhës së urrejtjes dhe të gjitha pasojat që kjo e fundit i sjellë shoqërisë multietnike të Maqedonisë së Veriut, është shumë e rëndësishme të ndërmerren masa në mënyrë që kjo dukuri të minimizohet dhe këto vepra penale të mos jenë kaq të theksuara në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button