fbpx

Kosovë-Shqipëri, vendim për nismën mbi marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë

Qeveria e Kosovës e ka miratuar vendimin për nismën e lidhjes së marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Financave e Republikës së Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se edhe pse ekziston një marrëveshje e tillë midis Kosovës dhe Shqipërisë, gjatë zbatimit është vënë re se ka pasur ngecje, prandaj edhe ka kërkuar rishikimin e saj, në mënyrë që ajo të jetë plotësisht e zbatueshme.

“Kemi një marrëveshje nga viti 2014 edhe me Shqipërinë, mirëpo gjatë zbatimit është parë se ka disa pengesa dhe disa nene janë me të vërtetë pengesë për zbatimin e tyre. Nivelet teknike, administratat e të dyja vendeve kanë iniciuar që kjo marrëveshje duhet të plotësohet dhe ndryshohet në mënyrë që të inkorporohen praktikat më të mira të marrëveshjeve për eliminim të tatimit të dyfishtë, duke marrë parasysh se në fund të shtatorit, ne planifikojmë të kemi edhe një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive”, tha Bajrami.

Eliminimi i tatimeve të dyfishta sipas Bajramit shërben si “një vegël e domosdoshme për zhvillim ekonomik e posaçërisht tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë dhe stimulimin e bizneseve që kanë rezidencë në Kosovë ose që zgjerohen jashtë vendit”.

Ajo tha se Ministria e Financave e ka marrë me shumë seriozitet që të shtyjë përpara nënshkrimin e marrëveshjeve për eliminimin e tatimit të dyfishtë, me të gjitha vendet me të cilat Kosova ka shkëmbime tregtare.

Kosova siç u bë e ditur në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka nënshkruar deri më tani 16 marrëveshje të eliminimit të tatimit të dyfishtë me vende të ndryshme.

Tatimi i dyfishtë, është tatim në të ardhura, i cili paguhet dy herë për të njëjtin burim të të ardhurave, apo atëherë kur e njëjta e ardhur, në duart e të njëjtit person, tatohet dy herë: një herë në vendin ku realizohen të ardhurat dhe një herë në vendin ku ka rezidencën tatimpaguesi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button