Kur poezia vihet në shërbim të politikës

Është fundi i muajit gusht kur në Strugë organizohet njëri ndër manifestimet më serioze kulturore të siujdhesës ballkanike – Mbrëmjet Strugane të Poezisë, në të cilin marrin pjesë poetë të shquar nga mbarë bota. S’do mend se ndër qëllimet kyçe të manifestimit në fjalë, përveç njohjes reciproke të krijuesve dhe kulturave të tyre, është dhe shpërndarja e imazhit të mirë të shtetit të vogël në mbarë globin.

Por e keqja është se ky manifestim, sa herë që është drejtuar prej krijuesish shpirtvegjël, është vënë në shërbim të politikave të mbrapshta, që nëpërmjet vlerave sublime shpirtërore përpiqen të ngrenë ura komunikimi me botën, kurse në anën tjetër, nëpërmjet veprimeve kubare, thellojnë hullitë ndarëse me shqiptarët që jetojnë prej mileniumesh në trojet e tyre kompakte etnike.

Një rast shëmtaraq i shfrytëzimit të poezisë për satanizimin e tjetrit ndodhi në edicionin e vitit 2005 të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, kur në krye të Këshillit drejtues u gjendën poetët e njohur maqedonas Zoran Ançevski dhe Eftim Kletnikovi, të cilët botuan librin me “poezinë” fyese për shqiptarët të poetit francez me prejardhje tuniziane Edi Biraui. I helumar me instruksionet antishqiptare të mentorëve të tij, Edi Biraui e portretoi Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi ngjashëm si dikur Ivo Andriqi me elaboratet e turpshme, që ne përiudha çmendie u shfrytëzuan prej çetnikëve serbë për kryerje krimesh monstruoze ndaj shqiptarëve…

Meqë kanë kaluar 15 vite nga ajo kohë, po sjell në kujtesën e lexuesve vetëm disa prej vargjeve fashizoide të “poezisë” së “petit të madh” tunizian që kreu me devotshmëri detyrën e dhënë nga pronarët e festivalit poetik:

SHQIPËRIA

Ajo është shpata e ngulur pas shpinë
Toka të kafshuara që i torturon
Rrafshnalta me foltore Minaresh
Në një peizazh për të cilën zihen të gjithë

Nganjëherë Shpata fiton në loto
Duke planifikuar tepricë grashë
Fëmijët e të cilave kafshojnë
Edhe pse hanë gjer n’tejngopje…

Këto vargje u bënë sebepi i dorëheqjes sime nga detyra e anëtarit shqiptar të Këshillit drejtues të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, të cilën e pranova vetëm dy muaj para organizimit të edicionit të vitit 2005. Kjo ndodhi mbrëmjen para hapjes së siparit të MSP, pasi lexova fëlliqësirën e mësipërme, të cilën poetët Ançevski e Kletnikov më kot u përpoqën ta justifikojnë në stilin dardha te kumlla. Natyrisht, pasi ua thashë në fytyrë se akti i pistë dëshmon se ata nuk janë kurfarë poetësh, se dhe MSP nuk qenka kurfarë manifestimi kulturor, braktisa demonstrativisht mbledhjen që kishin organizuar në orët e vona të natës, duke u thënë se kësaj here do të ballafaqohen me pasojat e skandalit të paimagjinueshëm për një aktivitet të mirëfilltë kulturor. Pas kësaj dorëzova çelësat e dhomës së hotelit dhe u ktheva në Tetovë, ku shkrova aktin e dorëheqjes shqip e maqedonisht dhe ua dërgova për botim të gjitha gazetave të përditshme që botoheshin në këto dy gjuhë, ku, ndërmjet tjerash, kërkova prej poetëve shqiptarë që ta braktisin aktivitetin për shkam të fyerjes së pashembullt të etnisë sonë. Një ditë më pas skandali mori përmasa të mëdha, po, mjerisht, mediet u ndanë më dysh: ato shqiptare përshëndetën reagimin tim, kurse ato maqedonase më sulmuan si nacionalist të përbetuar që njollos pa asnjë arsye manifestimin më të madh kulturor të shtetit, nëpërmjet të cilit ai shet gjithandej kosmopolitizëm të rremë. Në veçanti bëri buja letra ime e hapur me titullin: “Kutia e pandorës u hap, përse frikësoheni nga duhma e saj?” drejtuar ministrit të kulturës së Maqedonisë z. Bllagoja Stefanovski, që u botua në gazetën UTRINSKI VESNI. Në letrën në fjalë, ndërmjet tjerash shkrova se dorëheqjen e bëra:

  • për shkak të natyrës sime që nuk pranon të luajë rolin e deles së kulturuar që mund të qëndrojë në ambiente ku sajohen përbuzjet e gjuhës dhe kulturës shqiptare;
  • për shkak të mungesës së sensit të organizatorit për kohë-hapësirën dhe erërat e reja të demokratike që do të duhej të fryenin edhe në Maqedoni;
  • për shkak të përfaqësimit qesharak të krijuesve shqiptarë në këtë manifestim prestigjioz i cili përmblidhet në leximin e vjershave të 3-4 poetëve (ndërkohë që i tërë materiali i kushtueshëm propagandistik – pllakatet, reklamat, botimet e nduarnduarshme… janë vetëm në maqedonishte; gjithë vizitat e parapara të poetëve të ftuar bëhen nëpër kisha e manastire ortodokse, që mysafirëve u prezentohen si vlera ekskluzive maqedonase; të gjitha ngjarjet e manifestimit – pikat muzikore, vallet popullore, bendet e ndryshme, ekspozitat, përkujtimet, bustet që u shtohen parqeve strugane, veshjet kombëtare, prezentuesit dhe të prezentuarit… janë maqedonas, të maqedonasve, për maqedonasit… dhe ndërtojnë vetëm një imazh – atë të Ançevskit dhe të kombit të tij, të cilin ai ashiqare e pandeh për hyjnor);
  • për shkak të keqpërdorimit të manifestimit dhe sharrimit të tij në politikë të thjeshtë segregacioniste – përzgjedhjes së autorëve që i thurrin ode ançevskëve dhe fyejnë kombet tjera;
  • dhe, në veçanti, për shkak të botimit të librit të poetit tunizian Edi Buraui i cili ka në brendi një poezi jashtëzakonisht fyese për Shqipërinë dhe shqiptarët, që i kontribuon, pa mëdyshje acarimit të marrëdhënieve me një komb të tërë dhe me një shtet fqi, i cili është i vetmi në Ballkan që, pa asnjë kushtëzim, e pranon Maqedoninë si shtet, si komb, si gjuhë, si fe dhe si kulturë.

Pas kësaj letre ministri më quajti njeri me mungesë kredibiliteti e kulture, por e vërteta ishte se letra ime ia hoqi maskën dhe e turpëroi keq në sytë e publikut vendor dhe të huaj, bashkë me regjizorët shqiptarofobë të këtij turpi.

Në fund fare, po sjell për ju qortimin më qesharak që ma bëri një përfaqësues i kulturës shqiptare nëpërmjet telefonit një ditë pas dorëheqjes sime nga bordi i MSP (emrin s’ia përmend, sepse tani më është i ndjerë):

“Mos u bën budallë, më tha zëri i shqetësuar i konformistit. Tërhiqe dorëheqjen dhe kthehu n’apartamentin e hotel ‘Drim-it’ që do ta lakmonte çdo qenie normale e kësaj bote. Kthehu e kënaqu, bën miq nga mbarë bota, shoqërohu me ta, këmbe mendime e përvoja në të mirë të kulturës sonë… Dhe, a di…, assesi mos e bën të madhe punën e asaj vjershe të poetit tunizian, përmes së cilës dikush shëron komplekset. Mos e bën të madhe se këtu është dhe ai poeti amerikan që mund të shkojë me përshtypje të këqia nga manifestimi poetik. Ti e di se amerikanët janë miqtë tanë dhe na kanë ndihmuar shumë… Hajt, ashtu pra, për hatrin tim.  Ani? Le të mbarojë manifestimi, pastaj bën ç’të duash. A di…”

Zoti’ madh!, thashë me vete. Përse u jep pamje njerëzish baglave, pakurrizorëve, zvarranikëve, reptilëve, kërmijve të neveritshëm që janë në gjendje t’u bëhen gomarë e t’i qesin përtej plehut ata që ua fyejnë dinjitetin dhe ndjenjat kombëtare…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button