Hyseni nga Brukseli: Serbia nuk u tregua konstruktive në dialog, ka shenja që duan të manipulojnë procesin

Skender Hyseni, koordinatori i caktuar nga qeveria e Kosovës për dialogun Prishtinë-Beograd, ishte sot në Bruksel, ku mori pjesë në një takim me palën serbe dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, transmeton EN.

Hyseni tha se diskutimi i sotëm ishte rreth elementeve të veçantë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, dhe pala serbe ishte treguar jo-konstruktive, pasi është përpjekur që të rihapë kapituj të marrëveshjes për të cilat ka pasur dakordësi më parë.

Sipas Hysenit, kjo vërteton shqetësimin që Serbia synon të zvarrisë procesin, diçka që pala kosovare nuk ka në plan ta pranojë. Ndërkohë, Kosova ka vazhduar të jetë konstruktive në një marrëveshje që duhet të sjellë në mënyrë të pashmangshme një njohje reciproke të dy vendeve.

“Kjo marrëveshje duhet të sjellë në mënyrë të pashmangshme njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të ketë asnjë marrëveshje tjetër. Kjo e krijon atë paradispozitën thelbësore për të trajtuar të gjitha çështjet që mund të ekzistojnë midis dy shteteve”, tha Hyseni.

Për koordinatorin e Kosovës, mungesa e njohjes reciproke do të thellonte mospajtimet e do të shkaktonte një tjetër dhjetë-vjeçar me vonesa të panevojshme.

“Pa njohjen reciproke mund të rrëshqasim në një dhjetëvjeçar tjetër me humbje kohe të panevojshme, dhe të thellojmë mospajtimet, që janë po ashtu të mëdha. Kjo është arsyeja se pse jemi kategorikisht kundër një procesi të stërzgjatur”, deklaroi Hyseni nga Brukseli.

Për këtë arsye, ai bën thirrje që të gjithë pjesëmarrësit në bisedime të jenë tepër të vëmendshëm, pasi ka shenja që Serbia po synon të manipulojë të gjithë procesin, gjë që Kosova nuk do ta lejojë.

“Unë e kam thënë publikisht, dhe në Uashington, Paris e Berlin, që duhet të jemi të kujdesshëm, të gjithë ata që janë këshilltarë kryesorë në këtë proces. Duhet të jemi të kujdesshëm që procesi të mos manipulohet nga Serbia sepse ka shenja që synohet një manipulim i të gjithë procesit. Ne nuk do të lejojmë të manipulohet ky proces, dhe do të bëjmë çdo gjë që është e mundshme për ta krijuar këtë vetëdije te të gjithë pjesëmarrësit në negociata. Ju siguroj juve dhe shikuesit tuaj që Kosova është duke bërë më të mirën në mënyrë që të përfundojë pikërisht me ato objektivat që synojmë në këtë proces”, tha ai.

Hyseni është i mendimit se pavarësisht vështirësive të këtij raundi, ekzistojnë ende mundësitë që të arrihet një marrëveshje e plotë, me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jam i sigurt se përpjekjet do të vazhdojnë derisa të shterojnë të gjitha mundësitë, që të arrihet një marrëveshje e plotë, e cila konkludon njohjen zyrtare midis Kosovës dhe Serbisë si shtete të pavarura. Ne nuk do të heqim dorë. Kosova do të jetë konstruktive, natyrisht, duke ruajtur rigorozisht kornizën e parimeve”, deklaroi koordinatori i Kosovës për dialogun Prishtinë-Beograd.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button