Dha dorëheqje drejtori i përgjithshëm i TikTok mes betejës gjyqësore me SHBA

Drejtori i përgjithshëm i aplikacionit të mediave sociale në pronësi kineze TikTok është larguar nga pozita e tij, njoftoi sot e përditshmja kineze “Global Times”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Amerikani Kevin Mayer, i cili u bë drejtor i përgjithshëm i aplikacionit të famshëm të videove dhe drejtuesi kryesor i kompanisë amë të saj ByteDance në maj të këtij viti dha dorëheqje të mërkurën, njoftoi gazeta në Twitter pa dhënë më shumë detaje.

Një tjetër gazetë me qendër në Pekin, “China Daily”, raportoi se Mayer shprehu vendimin e tij për t’u larguar nga kompania në një memorandum me punonjësit.

Ai ishte i ngarkuar me detyrën që të drejtojë zhvillimin global të ByteDance si dhe të mbikëqyrë funksionet e korporatave, përfshirë zhvillimin, shitjet, marketingun, punët publike, sigurinë, modernizimin dhe ligjin.

Vendimi i Mayer-it erdhi në një kohë kur aplikacioni për ndarjen e videove po përballet me reagime të ashpra nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Të hënën, TikTok filloi një betejë ligjore me qeverinë e SHBA-së mbi vendimin e Trumpit për të ndaluar qytetarët dhe kompanitë e SHBA-së që të kryejnë ndonjë transaksion me TikTok dhe WeChat, një tjetër aplikacion kinez i mediave sociale, nga 20 shtatori.

ByteDance argumentoi se ka ngritur padi kundër qeverisë amerikane “për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj”. Ajo shtoi se kompania ka filluar të përgatisë një mbyllje të biznesit të saj në SHBA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button