Shenjtorja që na bashkon

Data e djeshme shënon njëqindedhjetë vjetorin e lindjes së shenjtores sonë shqiptare, Shën Tereza e Kalkutës. Një kërkim i thjeshtë në internet do të japë informatat bazë për atë që në mënyrë popullore e njohim si Nënë Tereza. E lindur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në vitin 1910 në Shkup, në kohën kur ky qytet i përkiste Vilajetit të Kosovës, Nëna Terezë botërisht është e njohur si misionarja shqiptare katolike nga Shkupi e cila pjesën kryesore të jetës e kaloi në Kalkutë duke u kujdesur për të varfërit. Fituese e çmimit Nobel për paqë në vitin 1979, ajo u shenjëtrua nga kisha katolike në Vatikan me 4 Shtator të vitit 2016 prej kur edhe njihet si Shën Tereza e Kalkutës. Pesë shtatori, dita kur ajo vdiq, është njëherit e shënuar si dita e Shën Terezës.

Identiteti kombëtar dhe fetar i kësaj shenjtoreje është pra i pakontestueshëm. E megjithatë ky identitet shpesh hap diskutime dhe polemika mbi identitetin e përgjithshëm shqiptar në Maqedoninë e Veriut, diskutime të cilat edhe më tej zhvillohen në fshehtësi dhe jo sheshazi, nëpër biseda kafenesh e jo në institucione, në komunikime të dykuptimta dhe jo qartazi ashtu që të gjithë të marrin pjesë në to. Vite dhe dekada me radhë është krijuar opinioni që popullata shqiptare në Maqedoninë e Veriut është popullatë etnikisht dhe fetarisht homogjene. Sikur të gjithë jemi shqiptarë myslymanë, kur në fakt nuk jemi. Është e vërtetë që të gjithë jemi një, por kjo nuk do të thotë që të gjithë domosdoshmërisht duhet të jemi njësoj.

Në Maqedoninë e Veriut, ashtu si edhe në Shqipëri, Kosovë, e gjetiu, jetojnë shqiptarë që u përkasin besimeve të ndryshme fetare. Po, është e vërtetë që shumica e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut janë shqiptarë myslymanë sunitë, por ka edhe shqiptarë shiitë, shqiptarë bektashi, shqiptarë katolikë, shqiptarë ortodoksë, shqiptarë ateistë, shqiptarë agnostikë. Ky diversitet në aspektin fetar është karakteristikë e shqiptarëve dhe nuk ka asnjë arsye pse të mohojmë këtë fakt. Kjo nuk është diçka nga e cila duhet të turpërohemi e as të ndihemi në siklet, e aq më pak të vetëdiskriminohemi në raport me njëri-tjetrin. Për vite dhe dekada shqiptarët pjesëtarë të komuniteteve pakicë fetare (pra ata që nuk jan myslymanë sunitë) janë anatemuar si diçka e huaj dhe e largët, madje edhe si diçka armiqësore. Për shkak të kësaj dhe për shkak të një mori faktorësh tjerë që janë lidhur me tendenca historike asimiluese nga pushtetet e kaluara, një pjesë e mirë e besimtarëve orthodoksë ose katolikë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut janë asimiluar. Një pjesë tjetër e asimilimit modern tek shqiptarët ndodh sërish në emër të fesë, kur shqiptarë myslymanë ndihen shumë më të afërt me “vëllezërit” turq apo arabë ndërsa drastikisht të largët me vëllezërit e tyre shqiptarë katolikë, orthodoksë apo bektashi. Kjo i shkon shumë për shtat tendencave lindore neo-otomane që kanë për qëllim pikërisht mëkëmbjen e kulturës xhon-turke përmes trashëgimisë pushtuese që Perandoria Osmane e ka lënë pas vetes në Ballkan.

Personaliteti i Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, Shën Terezës së Kalkutës duhet trajtuar pra si emërues i përbashkët i trungut shqiptar, i shprehur në idealin e bëmirësisë dhe sakrificës për një mirëqenie të përbashkët. Personaliteti i saj duhet të jetë poaq bashkues sa edhe Gjergj Fishta, Fan Noli, Sevasti e Parashqevi Qiriazi, Naim Frashëri, e Josif Bageri. Shqiptarët janë ndër popujt e vetëm në botë që kanë fatin të kenë një diversitet të brendshëm fetar dhe të tregojnë një tolerancë ndërfetare të atyre niveleve që shumë popuj tjerë evropianë mund të na kenë lakmi. Le ta kultivojmë këtë diversitet dhe le të vazhdojmë të jemi shembull i kësaj tolerance. Le të lejojmë që ajo shenjtore që bashkon shpirtërat e miliarda bëmirësve në botë të jetë simbol bashkimi edhe për ne.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button