Rritja e rasteve me Covid-19, Rama: Nuk do të ketë mbyllje dhe izolime

Kryeministri Edi Rama gjatë një inspektimi në spitalin Infektiv ka deklaruar se së shpejti do të ketë rritje pagash për mjekët dhe infermierët, transmeton ABC.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë theksoi se bluzat e bardha janë në luftë me virusin dhe shumë shpejt do të rriten kapacitetet njerëzore dhe materiale nëpër spitale.

Ministrja Manastirliu gjatë këtij takimi me kryeministrin Rama dhe mjekët e Infektivit, tha se praktikisht të dy spitalet Covid janë ende në kapacitete të paezauruara, ndaj dhe spitalet e tjera të përgatitura  mbeten në pritje.

Sakaq kryeministri Rama ndërsa fliste për situatën e vështirë që ka sjellë pandemia në vendin tonë, u shpreh se nuk mund të zgjidhet izolimi si opsion dhe zgjidhje e vazhdueshme, pasi sjell pasoja shkatërruese në drejtime të tjera.

“Unë erdha t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj ju edhe ata që nuk janë këtu me shumë mirënjohje dhe respekt, me shumë solidaritet njëkohësisht edhe me keqardhje për gjithë këtë stres që duhet të përballoni. Ndërkohë që në këto kushte të vitit me këto temperatura jeni të mbingarkuar me veshjet mbrojtëse por këto janë kushtet e zgjedhjes suaj profesionale që e bën kaq fisnike.

Keni dhënë kontribute të jashtëzakonshme, keni treguar për shumë nga ata që flasin dhe nuk dinë ç’bëhen, trupa jonë e mjekëve është një trupë që meriton respekt dhe jo shtrembërime buzësh.

Për fat të keq kjo është fatkeqësi botërore dhe jo vetëm e jona na ra të përballemi me këtë mostër por fatmirësisht na gjeti kjo luftë në një fazë kur sidoqoftë disa investime të mira janë bërë në krahasim me disa vite më parë që nuk kishte asgjë.

Sigurisht kemi një sfidë të madhe publike, siç e kanë dhënë edhe specialistët e shëndetit kjo është një betejë që duhet zhvilluar përditë. Ju e keni thënë që në fillim virusi nuk ka ardhur për 3 apo 4 javë por për një periudhë që askush nuk e di sa do zgjasë.

Nuk zgjedhim dot izolimin si opsion të vazhdueshëm, sepse sjell dëme shkatërruese në shumë aspekte të tjera, kemi sfidën e madhe të hapjes së shkollave dhe fëmijët kanë më shumë imunitet por nuk janë të imunizuar. Ne kemi çunin që do shkojë në klasë të parë këtë vit, ku i themi lloj- lloj gjërash dhe vendoset në një situatë psikologjike jo të zakontë, ne të gjithë si prindër i këshillojmë, foli, takoje përqafoje ndërkohë tani i themi tjetër gjë, nuk kemi ç’bëjmë, kjo është situata.

Ne kemi marrë masa për të rritur kapacitetet vaksinuese për të lehtësuar efektet e gripit të stinës. Kemi mësuar se një trup më vulnerabël e bën më të rrezikshëm Covidin, kemi vendosur vaksinimin falas.

Për sa i përket strukturave kemi menduar ta zgjerojmë, jeni të parët që duhet ta merrni vesh. Jemi përgatitur një rritje masive të shtresës së pagave, duam të realizojmë rritje pagash shumë të konsiderueshme.

Përtej bonusit që ju si ata që merrni në vijën e parë, po flas për të gjithë mjekët ambicia jonë është që të gjithë, mjekët të kenë paga mbi mesataren, flasim për një rritje që duam ta fusim në buxhetin e ri dhe ta bëjmë fakt në vitin e ardhshëm.

Me të filluar viti i ardhshëm ju të keni paga të rritura, sigurisht që kjo nuk e kompenson aspektin moral dhe fizik por është një mirënjohje dhe objektiv i detyruar. Mjeket mes largimit dhe qëndrimit të mos e kenë fare të thjeshtë, sidoqoftë zgjedhjen e bën secili. Ju keni dhënë një shembull të jashtëzakonshëm të shërbëtorit publik.

Rënia e autoritetit të figurës së mjekut apo mësuesit ka qenë e lidhur me sulmin e vazhdueshëm shoqëror, ajo që ndodh është se ata që shajnë më shumë fatmirësisht nuk kanë shkuar kurrë në spital, mos ardhshin kurrë në spital, nuk kemi çfarë bëjmë duhen konsideruar hudhra për punën që bëjmë”, u shpreh kryeministri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button