Gjykata Speciale thërret edhe një deputet të Kuvendit të Kosovës në rolin e të dyshuarit

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Shala, do të paraqitet më 8 shtator në Gjykatën Speciale në Hagë, pasi kjo e fundit sot i ka dërguar ftesën në rolin e të dyshuarit, transmeton EN.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Shala në llogarinë e tij personale në “Facebook”.  Vazhdimin e dërgimit të ftesave për ish-pjesëtarët e UÇK-së nga Gjykata Speciale, deputetit i AAK-së e quan “të papranueshme dhe tendencë për njollosjen e luftës çlirimtare të UÇK-së”.

“E rastësishme apo jo, në 22-vjetorin e ditës së dëshmorëve të Brigadës 121, kur po përkujtojmë përvjetorin e rënies së bashkëluftëtarit tim Ismet Jashari- Kumanova dhe dëshmorëve tjerë të rënë në luftën e pastër e të drejtë të UÇK-së. Unë komandanti i kësaj brigade, sot kam pranuar ftesën nga Gjykata Speciale në Hagë, si i dyshuar, ku do të duhet të jem i pranishëm atje më 8 shtator të këtij viti. Tendencat për njollosjen e luftës dhe vlerat e UÇK-së janë të papranueshme. Sidoqoftë unë do t’i përgjigjem kësaj ftese, sepse e njoh mirë luftën tonë dhe arsyen e saj”, shkruan ai.

Pas thirrjes së Shalës nga Haga ka reaguar edhe ish-kryeministri dhe njëherësh lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai shprehet se Haxhi Shala ka qenë dhe mbetet shembull për atdhedashurinë, ndërkohë beson se do ta kalojë shumë shpejt këtë sfidë me drejtësinë ndërkombëtare.

“Haxhi Shala u kthye nga mërgimi në përgjigje të thirrjes së Atdheut. Angazhimi i tij në funksion të lirisë, paqes, shtetit ligjor e mirëqenies së qytetarëve është për tu marrë shembull.
Haxhiu ende është në pritje të drejtësisë për familjarët e tij, që u vranë mizorisht nga forcat serbe. Thirrja që iu bë nga Gjykata Speciale, pikërisht në përvjetorin e bashkëluftëtarëve të tij të afërt, është një sfidë që ai do e kalojë ashtu siç i ka kaluar të gjitha sfidat e tjera gjatë jetës së tij”, shkruan shefi i AAK-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button