Krerët e institucioneve kosovare uruan Xhaferin për rizgjedhjen si kryeparlamentar në RMV

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kanë uruar Talat Xhaferin për rizgjedhjen në postin e kryetarit të parlamentit të Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas komunikatës për media nga Kuvendi i Kosovës, Osmani ka thënë se ka besim të plotë se në mandatin e ri të Xhaferit do të intensifikohet bashkëpunimi ndërmjet parlamentit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, “duke shkëmbyer praktikat dhe përvojat parlamentare, si dhe duke zhvilluar diplomacinë parlamentare”.

“Rritja e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të jetë një fuqizim i demokracisë, hapje e perspektivës evropiane dhe forcim i marrëdhënieve ndëretnike, në funksion të një Maqedonie të Veriut stabile dhe me orientim evropian”, ka thënë Osmani.

Osmani shtoi se Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut tradicionalisht kultivojnë marrëdhënie miqësore në të gjitha sferat. “Ndaj, në një kohë të afërme, pres një vizitë tuajën zyrtare në Republikën e Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin bilateral si dhe për të hapur perspektiva të reja në interes të të dy shteteve fqinje”.

Për rizgjedhjen në krye të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Xhaferin e ka uruar edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i cili tha se “lidershipi i tij në krye të Kuvendit ka qenë kyç në zhvillimet në vitet e fundit që hapën rrugë për avancim të statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe integrimin në NATO”.

“Pres që së shpejti të formohet qeveria e re dhe të vazhdojmë bashkëpunimin në mes të dy vendeve tona në shumë fusha”, ka shkruar Hoti.

Talat Xhaferi u rizgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut gjatë seancës së djeshme, pas arritjes disa ditë me parë të marrëveshjes për koalicionin qeveritar mes Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button