U krijua Rrjeti për të drejta digjitale në Evropën Juglindore

Duke u përballur me numër gjithnjë e më të madh të shkeljeve të të drejtave digjitale, nëntëmbëdhjetë organizata për të drejtat e njeriut i kanë bashkuar forcat për të mbrojtur individët dhe shoqëritë në Evropën Juglindore, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Nëntëmbëdhjetë organizata nga Evropa Juglindore i bashkuan forcat në kuadër të rrjetit të sapoformuar që ka për qëllim avancimin e të drejtave digjitale dhe përballjen me sfidat në rritje që rrjedhin nga përdorimi i gjerë i teknologjive të përparuara.

I iniciuar nga Rrjeti Ballkanik i raportimit investigativ, BIRN dhe Fondacioni SHARE, Rrjeti për të drejta digjitale të Evropës Juglindore është i pari i këtij lloji që përqendrohet në mjedisin digjital dhe sfidat e të drejtave digjitale në Evropën Juglindore.

Një nga themeluesit dhe Fondacioni Metamorfozis, organizatë udhëheqëse në këtë fushë nga Maqedonia e Veriut.

Rrjeti përfshin nëntëmbëdhjetë organizata nga rajoni, nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilat janë angazhuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, si onlajn ashtu edhe oflajn.

Secila prej këtyre organizatave tashmë është duke punuar në fushën e abuzimeve me të drejtat digjitale, mungesën e transparencës, përdorimin e shtuar të teknologjive invazive dhe shkeljet e privatësisë.

Që nga fillimi i pandemisë me KOVID-19, Evropa Qendrore dhe Juglindore po përballet me rritje dramatike të shkallës së shkeljeve të të drejtave digjitale në vendet ku vlerat demokratike tashmë janë të rrezikuara.

“Kjo ndërmarrje vjen në një kohë kur jemi duke parë ndërhyrje gjithnjë e më të madhe të aktorëve shtetërorë dhe komercialë që edhe më shumë e ngushtojnë hapësirën për debat dhe në një kohë kur ushtrimi i të drejtave themelore të njeriut përballet me kufizime të vazhdueshme,” tha drejtoresha rajonale e BIRN, Marija Ristiq.

“Interneti ka një potencial të madh për të përmbushur nevojat e njerëzve. Qasja në internet u dëshmua si e pazëvendësueshme në kohë krize, si kjo aktualja. Shoqëritë tona po bëhen gjithnjë e më digjitale dhe kjo jep një impuls të fuqishëm për të forcuar kapacitetin e organizatave që merren me zhvillimin digjital dhe rregulloret në rajonin tonë,” shtoi Ristiq.

Në takimin e parë të përbashkët, anëtarët e rrjetit ranë dakord se evolucioni i shpejtë i zgjidhjeve teknologjike që i përdorurin shtetet ka çuar në kërcënimin e të drejtave dhe lirive themelore, ndërsa informacionet e rremë dhe të pa verifikuara që e formojnë jetën e njerëzve në rajon është i përhapur në hapësirë ​​virtuale. Onlajn hapësira tashmë është shndërruar në atmosferë armiqësore për individët që hapur i ndajnë pikëpamjet e tyre, e veçanërisht për grupet e margjinalizuara siç janë pakicat, komuniteti LGBTIQ +, refugjatët dhe gratë.

“Teknologjia digjitale po ndryshon rrënjësisht shoqëritë tona dhe bëhet pjesë e rëndësishme e të gjitha sferave të jetës. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se diversiteti i organizatave që u bashkuan në rrjet është një nga avantazhet më të mëdha të tij”, tha drejtori i fondacionit SHARE Danillo Krivokapiq.

“Ne mund të mësojmë shumë nga përvojat e ndërsjella sepse përballemi me probleme të ngjashme me qeveritë që e përdorin teknologjinë për të imponuar kontroll mbi shoqëritë, veçanërisht në kohë krizash si kjo me KOVID-19,” tha Krivokapiq.

“Po aq e rëndësishme është të veprojmë së bashku në përpjekjen për të rivendosur ekuilibrin midis qytetarëve tanë dhe kompanive të mëdha (Facebook, Google, etj.), të cilat posedojnë një sasi të madhe të të dhënave tona personale dhe përmes tyre kanë fuqi të konsiderueshme mbi ne,” shtoi Krivokapiq.

Rrjeti do të synojë të përmirësojë aftësitë, njohuritë dhe përvojën e anëtarëve të tij në interes të arritjes së qëllimeve të përbashkëta siç është forcimi i demokracisë në rajon dhe mbrojtja e individëve në mjedisin digjital.

Duke kultivuar vlera të tilla siç janë siguria, barazia dhe liria, puna e Rrjetit për të drejta digjitale në Evropën Juglindore do të orientohet në arritjen e këtyre qëllimeve: mbrojtje të të drejtave dhe lirive digjitale; mundësim të qasjes në informacione të sakta; shndërrimi i internetit në një vend më të sigurt; zbulim dhe raportim të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës verbale, veçanërisht ndaj grave dhe grupeve të tjera të cenueshme; identifikimi i onlajn rekrutimit që mund të çojë në shfrytëzim; vendosje të kontrollit mbi të dhënat personale; parandalim të përdorimit të sistemeve për mbikëqyrje invazive, duke kërkuar përgjegjësi nga qeveritë për përdorimin dhe abuzimin me teknologjinë dhe përmirësimin e arsimimit digjital për të parandaluar dhunën dhe abuzimin.

Rrjeti do të përpiqet të rrisë vetëdijen për tendencat dhe praktikat komplekse dhe shqetësuese, duke u përpjekur t’ia përafrojë ato publikut të gjerë me një gjuhë të kuptueshme. Duke krijuar hapësirë ​​të përbashkët për diskutim dhe shkëmbim, organizatat dhe media do të jenë në gjendje të maksimizojnë efektin e përpjekjeve të tyre individuale që synojnë ndryshimin ligjor, politik dhe shoqëror.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button