India lançon një lojë që kërkon sjellje të përshtatshme ndaj COVID-19

Ministri i Shëndetësisë së Indisë, Harsh Vardhan ka bërë të ditur se vendi i tij ka lançuar një lojë interaktive të llojit të parë që ka të bëjë me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Loja është quajtur “Luftëtarët e Koronës” dhe kërkon aderimin në sjelljet kyçe të përshtatshme ndaj virusit.

“Loja paraqet një mënyrë të re dhe jashtëzakonisht krijuese për t’i mësuar njerëzit rreth mjeteve dhe sjelljeve të duhura për të luftuar pandeminë COVID-19”, tha Vardhan.

Ai tha se loja është krijuar për të ndikuar në veprimet e lojtarëve në botën reale, duke u kujtuar atyre masat e duhura për t’u ruajtur nga infeksioni COVID-19.

“Kjo, së bashku me dy video promovuese është një ambient i projektuar thjeshtë dhe i këndshëm për të marrë një mesazh serioz për publikun më të gjerë. Derisa të marrin një vaksinë kundër COVID-19, sjelljet e përshtatshme ndaj virusit do të shërbejnë si një vaksinë e fuqishme sociale”, theksoi Vardhan.

Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se testimet në Indi janë rritur ndjeshëm, duke kryer mbi 900 mijë testime në ditë. Mostrat totale të testuara deri më tani arrijnë shifrën në 32.661.252.

Sipas ministrisë, numri i madh i testimeve ndihmon në identifikimin e hershëm dhe izolimin e rasteve pozitive të virusit dhe kjo e shoqëruar me një trajtim klinik efikas ul nivelin e vdekshmërisë.

India gjatë 24 orëve të fundit regjistroi 68.898 raste me COVID-19, duke e çuar shifrën e përgjithshme të të infektuarve në mbi 2.9 milionë. Numri i të vdekurve ka arritur në 54.849, përfshirë 983 viktima të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit.

India është ndër vendet më të prekura nga koronavirusi në botë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button