Gjyqësori në RMV do t’i nënshtrohet “pastrimit”, politika “vetingut”

Politikanët do t’i nënshtrohen procesit të vetingut, ndërkaq gjyqësori procesit të pastrimit. Ky është premtimi i kryeministrit të ardhshëm, Zoran Zaev, i cili dje bashkë me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, në konferencë për shtyp e shpallën marrëveshjen për formimin e qeverisë, njofton Portalb.mk.

“Vetingun do ta zbatojnë tërësisht te politikanët, me kontrollim të pronës dhe kapitalit të tyre, ndërkaq në gjyqësor bëjmë pastrim – jo veting. Procesi i pastrimit është ndryshe nga vetingu dhe atë e premtuam ashtu, pasi që në vetë procesin e pastrimit vetë institucionet bëjnë kontroll të parave, pronës dhe kapitalit të gjykatësve, prokurorëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në sistemin gjyqësor. Gjithashtu, Këshilli Gjyqësor ka kompetenca të tij në pjesën e lëndëve jo të suksesshme, të rrëzuara, të mbajtura në sirtarë, më shumë se 5% e të gjithë lëndëve do të bëhet revizion i kompletuar. Vetë Antikorrupsioni mund ta shohë pjesën e konfliktit të interesit të gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve të cilën e quajtëm pastrim të gjyqësorit”, shpjegoi Zaev, duke thënë që vetingu e pastrimi do të jenë të përfshira në programin qeveritar.

Zaev porositi se rëndësishme që në periudhën para nesh drejtësia të jetë plotësisht transparente, efikase, efektive, e drejtë dhe e barabartë për të gjithë, pasi që të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Gjyqësori gjithsesi është ndër parimet kryesore të Zaevit për reforma, duke e pasur parasysh se edhe Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre. Gjatë periudhës së mandatit të kaluar, reformat në gjyqësor ndonëse u premtuan dhe vazhdimisht ishte në fjalimet e pushtetarëve se i njëjti do të reformohet, megjithatë përveç ligjeve të miratuara në letër – në terren ishte po e njëjta situatë, madje me një arsye më pak për t’i besuar resorit me më pak besueshmëri te qytetarët, pas skandalit me kryeprokuroren speciale.

“Vetingu” ishte një ndër zgjidhjet që vazhdimisht është folur e përfolur si një mjet i drejtpërdrejtë për ta ndaluar praktikën e jotransparencës apo mosndëshkimit të strukturave gjyqësore, pavarësisht rezultateve dhe vendimeve skandaloze. Megjithatë, BE-ja një gjë të tillë nuk e preferonte për shkak të përvojës së hidhur në Shqipëri, ku u bllokuan institucionet, por kjo nuk do të thotë që ata nuk kërkonin pastrim të gjyqësorit. Kërkesa e evropianëve ishte që autoritetet shtetërore të RMV-së ta pastrojnë gjyqësorin, por me mekanizmat ekzistues, gjë e cila u respektua dhe “vetingu” sipas modelit të Shqipërisë u hoq nga tavolina.

Për modelin e ri, të cilin edhe vetë fituesi i zgjedhjeve Zaev po e promovon dhe premton se do ta bëjë sapo të vijë në pushtet, profesoresha universitare, Besa Arifi, në një analizë të Portalb.mk, vlerësoi se i njëjti do të japë rezultatin e dëshiruar, por edhe nëse ky proces mbaron në mënyrën më të mirë të mundshme, vetë gjyqësori duhet ta kthejë besimin e qytetarëve.

Nuk ka ende detaje se kush dhe si do ta zbatojë vetingun te politikanët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button