NA LA LALA

Dani i ka kaluar të gjashtëdhjetat dhe shpesh rri nën hajat, një copë hajat, i bërë në njërën anë të mashnës që shikon kah bjeshkët dhe e sodit kurrizin e malit. Sa afër duket, mendon, e sa larg është bjeshka. Para vetes ka një tryezë të vjetër dhe një gotë me raki. Dhe, një sallatë. Dikush thotë se Dani e pi për shak se e mundon vetmia, po shumica pohojnë se e pi për ilaç rakinë, se kështu për qejf – mazallah, pikën e rakisë në gojë s’e shti. Prapa vetes e ka koshin e  misrit, një kosh i madh, i vendosur mbi një mur themeli nja një metër e diçka, me gurë e me llaç. Te koshi e ka varur setrën dhe rri i mbështetur në karrigen që e ka bërë me dorë tëvet.

E pi nga një gëllënjkë, merr ngapak meze dhe i shpërdarë në mendime, vazhdon ta sodisë bjeshkën. Ajo  duket e kaltër në vapën verore. Pastaj i veneron  majat e dy maleve madhështore që e bëjnë njëfarë shale në formë të shkronjës v, aty ku priten brinjët e tyre. Janë dy male. Njëri me këndin e poshtëm ia zë pritën tjetrit. Prej së largu duket se është një kodër madhështore në vargun e gjatë të maleve. Populli këtë vend që duket se thuajse ka dy maja të cilat e bëjnë atë V-në, e ka quajtur Shalëz, kurse dy malet kanë një emër. Quhen Pelëz. E ka parë për së afërmi  Dani këtë V-në, pomë bukur i duket kështu. Aty ku afrohen dy malet, midis tyre, është një xingonë marramendëse, e ja si duket aq e vogël prej hajatit kur rri Dani. Si jeta e Danit që duket aq e shkurtër e në të vëretë  brenda saj ka një det me përvojë. Sido që të jetë, kaltëria e bjeshkës, kurrizi i kodrave që e pret qiellin, e bëjnë Muzën që t’ia xiglojë ndjenjat Danit dhe t’ia bëjë ndenjën në hajat – të këndshme.

Pastaj edhe ilaçi i bën më mirë në këto çaste. Nipi i tij, i biri i të vëllait. Një djalë njëzet vjeç, Xeni, herë del prej shtëpie e herë kthehet. Vjen nën hajat, e merr ndonjë almise, kizë, sqepar e kështu. Pastaj thotë si nëpër dhëmbë: Hë, lalë, a u lodhe? dhe largohet. Dani ia merr si ironi këtë pyetje: Hë, lalë, a u lodhe? demek duke pirë raki. Pastaj mendon Dani: bishti këtij  u bë të më hedhë  kështu fjalë me ferra. Mua, xhaxhait të tij që e kam rritur nën predhat  e armikut, pasi ma vranë vëllanë me gjithë të shoqen! Në atë çast arrita me shokë dhe u dhamë – atë që kërkuan. Pastaj i ndoqëm të ushtarë e çetnikë nga fshati. Po armiku e kishte bërë atë që kishte dashur. Prapë kalon Xeni. Hë, lalë, a të kujtohet ajo me çevrenë?… E çon një gllënjkë Dani e thotë: Çka t’i bësh!… i ri është… Pastaj gjatë-gjatë nuk e heq shikimin nga ajo V-ja që bëhet midis dy majave të maleve. Pastaj mundohet t’ia gjejë fijen emrit. Pse, vëlla, i ka mbetur kyemër – Pelëz.

I kanë thënë se ky emër është më i vjetër se Mali Sharr. Epo, çudi, thotë me mend, çfarë emrash u kanë vënë maleve e fushave të parët tonë.. E kuptoj emrin Kroi i Gjonit, Kodrae Lekës, po kjo Pelëz? Pse Pelëz, vallë? Megjithatë kanë një bukuri edhe emrat, si malet, ka diçka që na mban në përqafimin e tyre, ka diçka që na bën të pandashëm me këtë rrethim, me këtë pamëni, që nga mashna e deri lartë te V-ja. Dhe, nuk e di, mendon Dani, a na kanë mbrojtur këto male e ky ambient, apo i kemi ruajtur ne ato. Jemi një, thotë, fusha, mali, përrojet, krojet… Pastaj e çon edhe një gllënjkë dhe Muza ia shton dozën e flakës shpirtit të tij, e cilae kthen prapa, shumë prapa, kur një Dan kishte fshati. I kujtohen luftërat që i ka kaluar. Sa njerëz të vrarë, të masakruar, sa shtëpi të djegura… I kujtohet rezistenca. Dani s’e donte luftën, por ia imponuan.

Pastaj përsëri kalon kah hajati Xeni. Or lalë, ku e ke sherveten? Inxitur nga ilaçi e nga Muza, Danit iumbshënsytë me lot. Ajo çevre ishte kujtimi dhe mrënjohja më e madhe që ishte marrë gjatë jetës. Ishte çevreja që iakishte çuar bukuroshja nga fshati fqinj, të cilën e martuan në një fshat gjashtë orë larg, veç pse e kishin marrë vesh se e donte  Danin. Ishte një çevre që Dani e ruante si sytë e ballit. Në të ishin qëndisur dy shpezë njëra përballë tjetrës, sqep më sqep. Mbi kokat e zogjve kishte një zemër, kurse anash vjollca, plot vjollca. Përfund zogjve shkruante me të qendisme: Të dua Dan sa ka fusha lule! Dani e nxori çevren nga xhepi dhee fshiu ballin me të.  Xeni që kalonte orë e çast e pa dhe qeshi. Pastaj  shkoi.

Pastaj një zbrazëtirë e pafuntme që rrotullohet si atëherë kur Dani e tepron me ilaçin e vet e çon drejt pafundësisë së xingonës. Danit i zbardhen sytë. I duket se vjollcat e shamisë që ia ka falë Rina tash u ngritën lart rreth kokës së tij si pëllumba ngjyrë safiri që gugasnin ëmbël dhe ia lëmonin ballin e puplat e buta të krahëve. Pulsi  i Danit shpeshtohet, kurse pëllumbat kthehen në vjollca bien në dyshemenë e hajatit. Trolli shndërrohet në një lulishte të dendur me vjollca. E ngrihetnjëra anë e trollit, bie tjetra. Pashtaë shkon si qilimi i Një mijë e një netëve bashkë me Danin kah V-ja dhe lëshohet në xingonë. Qilimi prapë kthehet. Vetëm njëherë arrin të thotë: Rinë! Dhe, bie në vjollca. E ngre kryet pak eshikon: para tij qëndron e veshur si nuse Rina. Me buzëqeshjen e saj karakterstike që s’harrohet kurrë.

Lalë, lalë! Shpejt ujë më sillni! Ujë, ujë! bërtet Xeni. I sjellin ujë. Ihedhin në qafë, ia lagin fytyrën. E prek Xeni në damarët e qafës Danin. Pulsi është i qetë.

O na la lala! thotë Xeni dhe i dridhet buza e poshtme nga vaji.

Pastaj e morën vesh se kë kishin humbur dhe çfarë ishin humbur. E ceni pastajsaherë që kalonte kah hajati i mbusheshin sytë me lotë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button