Sindikata: Me keqardhje them se nuk jemi përfshirë në procesin për vitin shkollor

Jakim Nedelkov, kreu i Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) ka shprehu keqardhje për atë se si ata nuk janë të përfshirë në procesin e konsultimeve për vitin shkollor, transmeton Portalb.mk.

“Me keqardhje mund të them, se ne si përfaqësues relevant i arsimtarëve, respektivisht i të punësuarve në shkolla, nuk jemi përfshirë në Komisionin apo grupin e punës”, deklaroi Nedelkov.

Në disa paraqitje në media, Nedelkov ka deklaruar se gjatë vendimit për atë se si duhet të zhvillohet viti shkollor për shkak të epidemisë së virusit Kovid-19, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Komisioni për Sëmundje Ngjitëse duhet të marrë parasysh sigurinë e nxënësve dhe arsimtarëve.

Ndryshe, Elizabeta Naumovska, zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut ka vlerësuar se për shkak të mosfunksionalizimit të Kuvendit dhe pamundësisë që të miratohen ndryshime ligjore, qoftë për mësim online apo edhe shkurtim të orës mësimore, presim që viti shkollor të fillojë kah mesi i shtatorit.

Ligji për arsimin fillor, neni 50 sqaron se “Viti shkollor në shkollë fillore, sipas rregullit, fillon më 1 shtator, ndërsa përfundon më 31 gusht vitin e ardhshëm”. Pikërisht ky Ligj në lidhje me kohëzgjatjen e orës mësimore, në nenin 51 shkruan: “Ora mësimore zgjat 40 minuta”.

Arbër Ademi, ministri i MASH-it më herët ka sqaruar se si rezultat i bisedimeve ndërmjet Komisionit për sëmundje ngjitëse dhe MASH-it është përpiluar propozimi është që mësimi në vitin e ri shkollor të zhvillohet në distancë, gjegjësisht onlajn, por me dy propozime.

“Propozimi i parë është prezencë fizike për nxënësit nga klasa e pare deri në klasë të tretë. Propozimi i dytë është që në ato shkolla ku ka numër të vogël nxënësish dhe ku mund të respektohen protokollet për prezencë fizike dhe mund të organizohet procesi arsimor, me atë që të mos rrezikohet shëndeti, atje do të organizohet procesi arsimor me distancë fizike”, deklaroi Ademi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjatë javës në seancën e 80-të miratoi Planin e Ministrisë së arsimit dhe shkencës për zhvillimin e procesit arsimor gjatë vitit shkollor 2020/2021. Edhe pse u paralajmërua se më 10 gusht do të finalizohen protokollet për fillim të vitit shkollor 2020/2021 në kushte të pandemisë, akoma nuk është vendosur asgjë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button