Rreth mohimit të realitetit të koronavirusit

Fenomeni i mohimit të realitetit të COVID-19 del i pakuptueshëm dhe i çuditshëm, pasi që ky virus për afro gjashtë muaj ka prekur më se 20 milionë persona dhe ua ka marrë jetën më se 700.000 personave në shumë vende të botës, transmeton Koha.net.

Njëherazi, vlen të përkujtohet se nëpërmjet mediave, ekspertë të shquar të mjekësisë, infektologë e epidemiologë, që nga muaji mars kanë shpjeguar në të gjitha mediat veprimet shkatërruese të këtij virusi për organizmin e njeriut, mënyrën e përhapjes dhe pasojat e shumta, madje edhe për persona që shërohen.

Mohimi i realitetit të COVID-it, i pranishëm jo vetëm te ne në Kosovë, por edhe në vende të tjera shpjegohet ndonjëherë me shkallën e ulët të formimit dhe shkollimit të personave që shfaqin këtë qëndrim. Mirëpo, vështirë mund të pranohet ky shpjegim, pasi që nuk ka nevojë për ndonjë shkollim të veçantë për t’i kuptuar rreziqet që i prodhon ky virus, aq me tepër pse vazhdimisht po rritet numri i të prekurve dhe i të vdekurve nga kjo sëmundje. Vështirë të besohet se ata janë të painformuar për këtë sëmundje, pasi që mediat gjatë tërë ditës njoftojnë për përkeqësimin e situatës nën presionin e shtimit të të prekurve dhe të vdekurve.

Mohimi si ikje nga frika dhe ankthi

Arsyen e këtij qëndrimi mohues ndaj realitetit të COVID-it, psikologët dhe psikiatrit nga vende të ndryshme e kërkojnë më shumë te disa tipare të këtij mohimi, i cili është shfaqur edhe më herët përballë rreziqeve të tjera.

Themeluesi i psikanalizës, Sigmund Freudi (Frojdi, 1856-1939), e shpjegon mohimin (Verleugnung) e një realiteti si mekanizëm të pavetëdijshëm të mbrojtjes dhe të ruajtjes së vetes që mëton të mos e pranojë një pjesë të realitetit, i cili i duket kërcënues dhe traumatizues.

Ky mënjanim i pavetëdijshëm shfaqet pas ballafaqimit me situata të rënda që përjeton një individ, duke synuar t’i mënjanojë këto nga vetëdija dhe përvoja e vet. Kësisoj, mohimi i realitetit të këtij rreziku dëshiron të na ofrojë një ndjenjë të sigurisë përballë realitetit, të na largojë brengosjen, shqetësimet dhe telashet që dalin nga pranimi i rreziqeve të këtij realiteti.

Kësodore, në vend se t’i marrin seriozisht këshillat e përditshme të mjekëve, se duhet të mbajnë maskën, të mbajnë distancën sociale me të tjerët dhe disa masa higjienike, ata duke i shpërfillur këto masa, me veprimet e tyre, hiqen në njërën anë si të guximshëm e në anën tjetër të afërt me njerëzit e tjerë.

Psikologët e psikiatrit shpjegojnë se në fakt personat e tillë orvaten t’iu ikin frikës dhe ankthit që shkakton pranimi i realitetit të rrezikshëm të COVID-it. Sjelljet e afërta me njerëzit, ndërkaq, nuk janë fare shprehje as e mirësjelljes e as afektivitetit ndaj familjarëve, kolegëve e miqve, ngase pikërisht ato gjeste e ndihmojnë përhapjen e virusit, e kësisoj edhe të sëmundjes dhe vdekjeve. Kësodore pikërisht veprimet racionale, që kanë parasysh parapengimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje, janë shprehje e mirësjelljes dhe afektivitetit ndaj të tjerëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button