fbpx

Viti 2020 sjell një sezon të ngarkuar me uraganë

Meteorologët po parashikojnë më shumë uraganë nga ç’pritej këtë vit në mbarë Amerikën e Veriut. Ata thonë se do të ketë më shumë stuhi, përfshirë edhe më shumë uragane të mëdha nga sa u parashikua në fillim të vitit. Por, ata nuk mendojnë se kjo do të tejkalojë rekordin e sezonit të vitit 2005.

Uragani Dorian i vitit të kaluar solli erëra dhe rreshje të shumta në Shtetet e Bashkuara, transmeton VoA.

Sezoni i këtij viti pritet të jetë edhe më i ngarkuar.

Në muajt e ardhshëm, parashikuesit e motit presin të shohin rreth dy herë më shumë fronte atmosferike me stuhi sesa në një vit normal.

Administrata Kombëtare e Oqeaneve dhe Atmosferës (NOAA) të enjten rriti parashikimin e saj të numrit të stuhive dhe uraganeve për këtë sezon.

“Bazuar në këtë parashikim, ka shumë gjasë për një sezon mbi mesataren të stuhive dhe uraganeve. Ky sezon madje ka potencialin që të jetë jashtëzakonisht aktiv. Për sezonin në tërësi, ne po parashikojmë tani 19 deri në 25 stuhi që tashmë i kemi emëruar, nga të cilat ne mendojmë se shtatë deri në 11 do të shndërrohen në uragane. Tre deri në gjashtë prej tyre mund të shndërrohen në uragane të mëdha,” tha Gerry Bell, një nga ekspertët kryesorë të parashikimit të sezonit të uraganeve në Administratën Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën (NOAA).

Ky parashikim ka disa stuhi më shumë sesa ai i muajit maj.

Agjencia Kombëtare e Oqeaneve dhe Atmosferës (NOAA) rriti gjasat e një sezoni mbi mesatar të uraganeve nga 60 në 85 përqind.

Por, ky sezon nuk ka të ngjarë të tejkalojë 28 stuhitë e vitit 2005, sepse oqeanet ishin më të ngrohta dhe kushtet e tjera ishin më të favorshme për formimin e stuhive 15 vjet më parë, sipas Agjencisë Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën.

“Këtë vit kemi patur nëntë stuhi deri tani. Shtatë prej tyre kanë qenë stuhi tropikale. Ndërsa në të njejtën periudhë të vitit 2005, ne kishim dy uragane të mëdha. Në vitin 2005 kushtet ishin më të favorshme për uraganet në krahasim me ato që po shohim tani,” tha zoti Bell.

Universiteti Shtetëror i Kolorados, i cili ishte pioner i parashikimit të sezonit të stuhive dekada më parë, të mërkurën e rriti parashikimin e tij për këtë sezon në 24 stuhi, 12 uragane dhe 5 uragane të mëdha, një numër më i lartë krahasuar me parashikimin e tyre të muajit qershor.

Një vit mesatar, bazuar në të dhënat e viteve 1981-2010, është një sezon me 12 stuhi me emra, gjashtë uragane dhe tre uragane të mëdha.

Për çdo sezon zgjidhen 21 emra për stuhitë. Nëse ka më shumë se 21 stuhi, meteorologët përdorin shkronjat e alfabetit grek për emërimin e tyre.

Në një vit normal, rreth 90 për qind e stuhive ndodhin pas 6 gushtit, kulmi i sezonit arrin nga mesi i gushtit deri në mes të tetorit.

“Pra, pavarësisht nëse është një sezon rekord apo jo, fakti është se do të ketë më shumë uragane në këtë sezon”, tha meteorologu Gerry Bell.

Deri tani këtë vit, ka patur nëntë stuhi tashmë të emëruara. Më shkatërrimtari ka qenë uragani Isaias i këtij muaji që vrau të paktën nëntë njerëz dhe la miliona njerëz pa energji elektrike.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close