GODO, MËSOI EDHE ARMIQTË

Vetmia është elementi jetësor i shkrimtarit, këtë e mësova pasi u bëra pjesë e letrave. Më herët nuk e kisha kuptuar se pse një shkrimtar rri, në tryezë, vetëm. Tek kthej kujtimet pas, më vijnë ndërmend shumë fytyra të njohur, që janë dhe s’janë në mesin tonë. Këtë parafytyrim ma kthehu ndërmend një postim i kryeministrit të Shqipërisë (Atdheut tonë), E.Rama, në 91 vjetorin e ditëlindjes së Sabri Godos, njeri me penë të rrallë, në romanet me karakter historik, ku më të bujshmet e më të diskutuarat janë “Skënderbeu” dhe “Ali Pashë Tepelena”. Veprat e tij kanë lënë gjurmë dhe kanë pasuruar historinë shqiptare. Ndonëse jeta e Godos, nuk ka qenë e lehtë, për vite me radhë në diktaturë. Diktatura për shqiptarët, veçmas për pesonazhin që po flas, është një fakt (që daton që nga viti 1953), ndërsa revolucioni i tij, për liri dhe demokraci, ishte një detyrë. Megjithatë, gjithëkush e di që, jeta e tij ka shkuar disa here në teh te shpatës, deri në prag të burgosjes.

Veprat, romanet e tij janë ripunuar e ribotuar disa herë, janë përkthyer në disa gjuhë dhe vlerësuar lart nga kritika. Si një njohës i thellë i karakterit njerëzor, shkroi me po aq mjeshtëri romanet e novelat mbi luftën, për të cilat ishte në shënjestër të akuzuave nga censura e regjimit, si shkrimtar i deheroizimit dhe vuajti pasojat. Edhepse  ai sakrifikoi shumë nga jeta e tij, për vendin dhe popullin e tij, pas vdekjes, ai mori edhe urdhërin nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. “Urdherin e Skënderbeut” me motivacionin: “Personalitetit të shquar të politikës dhe kulturës kombëtare, politikanit të urtë e vizionar, me kontribut të çmuar në proçeset demokratike, shkrimtarit e skenaristit që talentin e vuri në shërbim të popullit e vendit të tij”. Më pastaj edhe Presidenti i Republikes Italiane, Giorgio Napolitano i ka akorduar Sabri Godos, titullin e nderit “Commendator”, me të drejtën për të gëzuar nderimet e larta përkatëse dhe për tu regjistruar në librin e Commendatorë-ve. Si duket për këtë kolos, shumë vonë erdhi koha e duhur, për ta nderuar. Por, gjithmonë kështu ndodh, thonë më të diturit.

Godo, pos veprave që na dha, la edhe gjurmë të thella te njerëzit që e takuan. Ai këshilloi të diturin dhe të paditurin, mikun dhe armikun, krerët e politikës dhe misionarët e çështjes kombëtare  etj.. Besoj që edhe takimi me Ramën, siç e përshkruan ai me një krenari që qe në kry të vendit (kryebashkiak) dhe Godo, një vizitor, i ka dhënë drejtim të duhur jo vetëm bashkisë së Tiranës, por edhe udhëheqësit të tij. Sepse, Godo përpos letrave që shkroi, ishte një politikan tepër i zgjuar dhe mund t’i jepte kontribute madhore politikës shqipëtare.

Kujtoj që, në udhëtimet studentore, në “Kodrën e diellit”, atëherë kur isha mveshur me dijeninë mbi veprat e veprimtarëve shqiptarë, Godon e gjej në një tryezë ulur me A.Ahmeti (prapa shpinës së tyre qëndronte truproja, me një armë në brez), unë ua kisha ngulitur sytë, sepse ishte rast i rrallë që një shqiptar i letrave nga Shqipëria të del jashtë kufirit. Atëherë, nuk kuptoja se ç’ndodh, por Këshilla ishte ajo që kërkonte vendi ynë. Herën e fundit Godon nuk e pashë nga larg, kësaj radhe ai ishte ulur i vetëm në një tryezë, pranë dritares, ndërsa unë kuvendoja në tryezën time mbi misionin për shqiptarët ortodoks, të Maqedonisë. Kishim punuar shumë me bashkëveprimtarët mbi këtë çështje. Atëherë, m’u dha mundësia që të takoj Godon, thash që dija pak për jetën e tij, më shumë për veprat që ai kishte shkruar. Por, e rëndësishmja që dija ishte se ai kish lindur në Delvinë, që im atë më kishte pagëzuar me këtë emër. Me shaka e pyeta: përse më kishte braktisur,  tek ai ishte larguar nga jugu, ai buzëqeshi sepse e dinte që do të kishim takim, dhe emrin ma kishte mësuar. Përgjigja e tij dhe këshillat i dhanë një dimenzion shembullor misionit tim, drejt një suksesi, që sot e përjetoj.

Sabri Godo, nuk kishte frikë nga diktatura e regjimit të atëhershëm në mëmëdhe, as nga armiqtë edhe nga ata kundështarë politik. Ai me admirim jepte këshilla për misionarët. Godo, në parafytyrimin tim mbetet një kolos që është çuar në këmbë, ka thënë mendimet, ka deklaruar të vërtetën e vet, që të gjithë i nxiti ta ndajnë, u bë i guximshëm, e shpalli atë kudo. Pra, vetëm të guximshmit jetojnë ndër ne. Besoj edhe këtë që detyra e Godos, shkrimtarit të qytetëruar, njeri i urtë,  ishte të sulmojë, me maturi dhe delikatesë, të këqijtë dhe t’u heqë maskat hipokritëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button