PDSH pranoi të hyjë në qeveri me LSDM-në, sekretarët e partive duhet t’i diskutojnë detajet

LDSM i ofroi PDSH të jetë pjesë e një koalicioni të ri qeverisës. Partia Demokratike e Shqiptarëve në përgjithësi pajtohet të jetë pjesë e qeverisë, por vendosën që të krijojnë grupe pune të kryesuara nga sekretarët e dy partive për të rënë dakord për detajet, njofton Portalb.mk.

Kryetarët e LSDM-së Zoran Zaev dhe PDSH-së  Menduh Thaçi diskutuan dje në një takim në Klubin Parlamentar në Shkup. Në takim morën pjesë gjithashtu Radmila Sekerinska dhe Oliver Spasovski nga LSDM dhe Azem Sadiku nga PDSH, i cili është kryetari i Studenicani.

Informacion për takimin ndau Sadiku nga PDSH në profilin e tij në Facebook.

“Neve na është ofruar mundësia që të jemi pjesë e qeverisë së ardhshme të udhëhequr nga kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ne si palë e pranuam ftesën. Janë formuar grupe pune që do të drejtohen nga sekretari i PDSH-së dhe sekretari i LSDM-së, Ljupco Nikolovski“- shkruan Azem Sadiku.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, dje pas seancës konstituive konfirmoi se partia e tij  do të fillojë negociatat për formimin e Qeverisë së re, e cila do të kujdeset për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.

“Do të negociojmë vetëm për qeveri e cila kujdeset për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, të zhveshur nga çfarë do lloj paragjykimi etnik apo nacionalizma. Qeveri e cila nuk ka asnjë dilemë, kur është në pyetje rruga jonë: Maqedonia e Veriut – Një shoqëri për të gjithë. Do të flasim për qeveri e cila është e vendosur dhe do të luftojë me krimin dhe korrupsionit e të gjitha niveleve. Të gjithë do të mbajnë përgjegjësinë e tyre, pavarësisht a vjen nga partia, komuna, institucioni, a është ekspert, funksionar, i njohur apo i panjohur. Kujdes të veçantë do t’i kushtojmë pjesës për pastrim të gjyqësorit dhe verifikimit të prejardhjes së parave dhe kapitalit te të gjithë funksionarët, nëpërmjet të një sistemi që do ta dakordojmë të gjithë”, deklaroi Zaev.

Ndryshe, Kuvendi dje konstituoi përbërjen e re parlamentare. Me propozim të Komisionit Verifikues, Kuvendi në seancën e djeshme konstituive verifikoi mandatin e 120 deputetëve të përbërjes së dhjetë parlamentare, të zgjedhur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button