BARBARË, MODERNË, TË QYTETËRUAR

Vepra e radhës e İbrahim Kalın (Kallën) që po i jepet lexuesit shqiptar (Barbarë, modernë, të qytetëruar: shënime mbi qytetërimin) përbën një trajtesë me përmasa filozofike, sociologjike dhe antropologjike lidhur me konceptin e qytetërimit. Libri trajton ndryshimet që ka pësuar ky koncept ndër shekuj, duke u larguar nga kuptimi thelbësor dhe duke u shndërruar në një instrument legjitimues për shfrytëzimin e natyrës dhe të popujve “inferiorë”; një mjet kolonizues i imperializmit si ideologji, që është nisur nga përkufizime dhe dikotomi arbitrare të tipit “ne të qytetëruarit dhe ata të egrit”.

Ky tekst “shtjellon përmasat pozitive dhe negative të modernitetit”, të qytetërimit mediokër (Ricoeur), që përfshin racionalitetin instrumental, mendimin progresist, vulgarizmin global, vë theksin mbi vlerën e qenies/njeriut (Karpat, 2018) që duhet të jetojë në koherencë me mjedisin dhe botën, jo në luftë me to. Kjo ngaqë, siç shprehet Kalın, njeriu “nuk është pronari i botës, por kujdestar, mbrojtës dhe amanetruajtës i saj, dhe me këtë vetëdije për përgjegjësinë është i detyruar t’u qaset qenieve”.

Sipas autorit, të qenit i qytetëruar apo qytetërimndërtimi nuk nënkupton vetëm krijimin e qyteteve në saje të teknologjisë, por vizionin, qëndrimet dhe sjelljen për të kuptimësuar qenien, ekzistencën. (Kalın, 2018:26) Qytetërimi modernist e ka konsumuar fjalën që duhej thënë, e ka shpërdorur mesazhin e vet: tashmë ai nuk ka çfarë t’i ofrojë botës, kështu që tani e kanë radhën të tjerët, ata që kanë ruajtur bërthamën shpirtërore, urtësinë e pasosur. Për të ndërtuar një qytetërim të mirëfilltë dhe alternativ duhet rishqyrtuar vizioni mbi qenien, dijen, etikën, estetikën, koncepti mbi qytetin dhe njeriun.

Popujt e (ri)kolonizuar, – sot përmes globalizmit – para burimeve të tyre natyrore, duhet të shpëtojnë ëndrrat dhe fantazitë e veta të pushtuara nga fuqitë e “misionit civilizues” (la mission civilisatrice) dhe nga ato të real-politikës; duhet të shkëputen nga besimi te bujaria e superiorëve. Me një fjalë, duhet të çkolonizohen, duhet të nisin një jetë me kuptim, gjë që është e mundur vetëm nëse arrihet liria e plotë, jo vetëm ajo fizike, por edhe ajo ideore. 

Në fakt, ky libër analizon në mënyrë kritike krizën në të cilën ndodhet njerëzimi i epokës së modernitetit, i civilizimit si një formë shekullare e feve klasike, i cili po e preokupon botën tonë të mendimit qysh prej dy shekujsh; që ka përligjur shumë ndërmarrje destruktive te “njeriut të kulturuar”, të shkencizmit, hedonizmit, materializmit dhe eurocentrizmit.

Qëllimi i këtij studimi është të shtrojë një perspektivë qytetërimore të ndryshme nga ajo që dominon epokën; të na tregojë se mund të qytetërohemi edhe pa e mundur apo zhdukur “tjetrin”, pa e tradhtuar natyrshmërinë tonë, pa hequr dorë nga virtytet dhe moraliteti. (Özbey, 2019)

Pas leximit të këtij libri do të kuptoni se qytetërimi është një abstragim i sajuar për të maskuar ndjenjat dhe instinktet e thella të njeriut. Po ashtu, do të pikasni grackën e esencializimit, të binomeve të tipit Lindje/Perëndim, njeri/jonjeri, i qytetëruar/barbar, inteligjent/jointeligjent, i bardhë/jo i bardhë etj. (Armstrong, 2003)  Ky tekst do ju mësojë të mos i cilësoni të egër banorët e Amazonës, që nuk lidhen me botën e jashtme për shkak të frikës; s’do t’i quani të qytetëruar kërkuesit e arit, që i vrasin vendësit nën pretekstin se janë të rrezikshëm; do të mendoni më thellë rreth fatit të Ota Benga-s, rreth “kopshteve njerëzore” (1840-1850 – i fundit në vitin 1958 në Bruksel) si shfaqje që përdhosin dinjitetin, rreth racizmit, tragjedive si Holokausti e Srebrenica, krime që nuk mund të harrohen.

Nga ky vëllim do të konstatoni se pluralizmi është thelbi i qytetërimit, se qytetërimet e arrijnë apogjeun e tyre kur përhapet kreativiteti, diversiteti, kritika, ekolet dhe qëndrimet konkurruese. Do të mësoni si ta lexoni dhe si ta ndryshoni diskursin vetorientalizues dhe vetëballkanizues; do të kuptoni se sado i vogël të jetë një entitet, ka diçka për të thënë “nën qielli plot yje” dhe në kohën kur, sipas Enzensberger-it, mendohet se “s’ka protagonistë, por vetëm njerëz që tërheqin penjët”. (Todorova, 2015) Pra, të gjithë ne duhet të kontribuojmë për ndryshimin e fatit tonë dhe të botës, duke mos u bërë dekor social, por duke u përpjekur drejt të mirës dhe paqes globale. Kjo është e mundur vetëm nëse nisim të mendojmë, nëse ndërtojmë një vetëperceptim dhe vetëdije të shëndoshë; nëse ndërmarrim një udhëtim të ri qytetërimor, drejt “qytetërimit të së vërtetës”.

Ky libër do t’iu hyjë në punë studiuesve të shkencave sociale, filozofëve, kulturologëve, orientalistëve, në veçanti studentëve si subjekte menduese dhe të gjithë atyre që duan të formojnë një botëkuptim që i sheh çështjet nga shumë këndvështrime, përfshirë edhe atë të botës orientale dhe të Islamit si një prej feve universale.

Një nga pikturat e J. R. Herbert-it (1862) titullohet Laborare est orare – “Puna është adhurim”. Edhe leximi, mendimi dhe shkrimi hyjnë në këtë kategori. Këto vlera janë kode të qytetërimit të virtytshëm, që Kalın i afirmon përmes një ligjërimi frymëzues intelektual.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button