Mbyllja dhe hapja e kufijve

Përshkak të pandemisë globale hapja dhe mbyllja e kufijve tokësorë dhe ajrorë tashmë është bërë një përditshmëri. Padyshim kjo na kujton “Bllokadën e Berlinit” të vitit 1949 dhe ndërtimin e “Murit të Berlinit” në vitin 1961 bashkë me pikën e kontrollit të quajtur “Çarli”. Që nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore, Europa nuk është mbyllur ashtu siç po bëhet sot gjithandej kufijve të jashtëm dhe të brendshëm të unionit.

Ndarjet nuk ekzistojnë vetëm për shtetet e Ballkanit, ajo po bëhet realitet edhe për vetë europianët e civilizuar. Austria mbyll kufijtë për Suedinë dhe Luksemburgun, një shtet tjetër të nesërmen e ndjek të njëjtin model dhe kështu sjelljet shtetërore të mbylljes dhe hapjes së kufijve në shtetet e BE-së, kthehen nga praktika të thjeshta dhe në norma të shkruara ndërkombëtare.

Në idenë dhe filozofinë europiane, asnëherë nuk është vënë në dilemë lëvizja e lirë e kapitalit dhe e njerzëve. Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka nënvizuar se është e pamundur që vendet t’i mbajnë kufijtë të mbyllur në të ardhmen.

Do të jetë thuajse e pamundur për vendet t’i mbajnë kufijtë e tyre të mbyllur në të ardhmen. Kjo, pasi ekonomitë duhet të hapen, njerëzit duhet të punojnë dhe tregtia të rifillojë”.

Në “Politikëm Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit”, kapitulli 2 të “Lirisë së lëvizjes” thuhet: “Qytetarët e BE-së dhe të një shteti anëtar kanë të drejtë të punojnë në një shtet anëtar. Punëtorët migrantë të BE-së duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë si punëtorët kombëtarë në lidhje me kushtet e punës, avantazhet sociale dhe tatimore”. Ky kapitull gjithashtu përfshin një mekanizëm për të koordinuar dispozitat kombëtare të sigurimeve shoqërore për personat e siguruar dhe anëtarët e familjes së tyre që lëvizin në një shtet tjetër anëtar.

Ndërsa në kapitullin 3 “E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime” ndër të tjera nënvizohet se “liria për të ofruar shërbime ndërkufitare nuk pengohet nga legjislacioni kombëtar, në varësi të përjashtimeve të përcaktuara në traktat”.

Siç shihet BE-ja ka një varg mekanizmash dhe ligje të mira që rregullojnë jetën e banorëve të unionit, por askush nga zyrtarët e BE-së nuk kishte parashikuar se një ditë pandemia apo luftërat mund të sjellin një Europë tjetër me sjellje që nuk i kemi parë për më shumë se gjysëm shekulli.

Hapja dhe mbyllja e kufijve ka ndryshuar edhe vetë Ballkanin Perëndimor. Gjendja e kufijve ka krijuar vështirësi për banorët e varfër të Ballkanit që tashmë kanë një ekonomi të shkatërruar dhe të varur kryesisht nga bota perëndimore dhe emigracioni.

Shtetet e rajonit vazhdojnë izolimin e disa gjysëm të izoluar në proces të hapjes graduale duke vendosur rregulla të reja të hyrjes dhe daljes në të gjitha pikat kufitare. Siguria kombëtare dhe publike bashkë me atë shëndetësore janë bërë pjesë e strategjisë kombëtare të shteteve për të ruajtur së pari interesat kombëtare, para atyre të fqinjësisë së mirë dhe proceseve eurointegruese.

BE në pranverë aprovoi një paketë ndihme prej 3.3 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor. Paketa përfshinte mbështetje nga Komisioni Europian dhe Banka Europiane e Investimeve për nevoja emergjente dhe rindërtim të shteteve të Ballkanit për t’i tejkaluar problemet emergjente të krizës shëndetësore dhe të rimëkembjes ekonomike.

Testet e CPR-it për të zbuluar virusinkorona janë po ashtu një lojë tjetër e shteteve ballkanike kundër qeverive që synojnë të letësojnë apo jo masat kundër Covid-19. Pra pika kufitare “Çarli”, pas 60 viteve po na përsëritet në disa versione në Ballkan, pa marrë parasysh se faktorët janë të ndryshëm dhe metafora e pikës së kontrollit është po ashtu e ndryshme.

Natyra e politikës ndërkombëtare dhe pozicioni i shteteve në sistemin global të konkurrencës që nga Lufta e Dytë Botërore, ka bërë që raportet e shteteve të ndryshojnë shumë shpejtë dhe brenda ditës. Një realizm më agresiv me ngjyra ultranacionaliste do t’i bënte shtetet e rajonit ende më të dobëta në kohë të krizës publike shëndetësore rajonale e globale.

Studiuesi Stephen Waltz në botimin rreth shpërthimit të koronavirusit, së bashku me disa nga artikujt e tjerë që autori i ka paraqitur, na jep shembuj bindës se si studiuesit realistë të marrëdhënieve ndërkombëtare e shohin koronavirusin. Përgjigjet ndaj pandemisë kanë demostruar epërsinë e shteteve sovrane dhe arsyetimin për konkurrencën e fuqisë në pengesat e mundshme për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal.

Për ta bërë më të qartë, Ballkani Perëndimor duhet të ndjekë trendet pozitive të bashkëpunimit tregtar dhe ndihmës humanitare gjatës thellimit të mundëshm të krizës.

Nuk ka rast më të mirë se kriza aktuale të shfrytëzohet dhe të largohen dallimet nga nxitjet shekullore për territore dhe zënka tregtare. Rajoni nuk ka nevojë për armatim apo garë tjetër ushtarake në mes shteteve. Pengesat tregtare duhet të largohen dhe mosmarrëveshjet të zgjidhen pa konflikte.

Pas zbutjes së pandemisë është koha të tregohemi se jemi për Ballkan pa kufijë pa mure dhe rajone të ngrira me zona të nxehta etnike. Më tej mund të punojmë për një Ballkan që do t’i ngjajë më shumë BE-së dhe mund të rilindë përësëri. Asnjëherë të mos mbyllen kufijtë për kombet e Europës dhe kurrë një tjetër “Çarli” në jug të Europës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button