Qyteti i Shkupit shpalli tenderin për projekt ideor për linjën e parë të “tramvajit në rrota”

Autoritetet e Shkupit të premtën e shpallën tenderin për përzgjedhjen e projektuesit i cili do të përgatisë projektin ideor për linjën e parë të sistemit të autobusëve të shpejtë – SASH (Bus Rapid Transit – BRT) ose që njihet edhe si “tramvaji me rrota”. Bëhet fjalë për linjë të shpejtë të autobusit nga Gjorçe Petrov në Lisiçe të Re, me gjatësi prej afër 12.81 km në një drejtim, 21 ndalesa të autobusëve dhe 2 terminale autobusësh.

“Numri i përafërt i udhëtarëve që e përdorin këtë rrugë është rreth 65,000 në ditë. Me implementimin e fazës së parë të këtij projekti, pritet që koha e udhëtimit nga 70 minutat aktuale të zvogëlohet për më shumë se 50 përqind, frekuenca e autobusit do të rritet në 3-4 minuta (në intervalet kulmore), autobusët do të jenë motorë CNG hibrid e të gjatë 18 metra ”, theksohet në Detyrën e projektit për linjën e parë të publikuar nga Qyteti i Shkupit, tarnsmeton Meta.mk.

Nga projektuesi pritet që të përgatisë projektin ideor të trafikut, projektin ideor arkitektonik, projektin ideor të ndërtimit, si dhe projektet ideore të rrugëve, instalacionet e makinerive dhe pajisjeve, për hidroteknikë, instalimin termoteknik dhe analizën e rrezikut të projektit. Në këtë fazë, do të analizohet kapaciteti i depos ekzistuese të NQP në Gjorçe Petrov dhe do të hartohen përmbajtje të reja për depon e ardhshme në Lisiçe të Re.

Traseja e ardhshme e linjës së parë të “tramvajit me rrota” do të shtrihej nga rrethrrotullimi në bulevardin “Aradhat Partizane” dhe rrugët “Lluka Gerov” dhe “Boris Sarafov” deri në terminalin në Lisiçe të Re në stacionin e fundit të autobusëve në linjat 5 dhe 15.

Me projektin ideor, projektuesit në të vërtetë do të duhet të gjejnë zgjidhje për të siguruar hapësirë ​​për lëvizjen e BAS në Shkup, sepse autobusët e shpejtë do të duhet të lëvizin nëpër trase fizikisht të ndarë, ndërsa stacionet e autobusëve do të ishin të vendosura në mes të bulevardeve aktuale. Nëse kjo nuk është e mundur, projektuesi do të duhet të paraqesë një propozim se cila korsi e trafikut është më e mundshme për të lëvizur autobusët.

Për “tramvajin në rrota” do të duhet të hiqet një korsi trafiku dhe rendi me drunj e lule në rrugët përgjatë të cilave do të kalojë kjo linjë: bulevardi “Aradha Partizane”, bulevardi “Sh. Klimenti i Ohrit”, rruga “Dimitrie Çupovski”, rruga “11 Tetori, bulevardi “Koço Racin”, “Kuzman Josifovski – Pitu”, Bulevardi “Jane Sandanski”, rruga “Vidoe Smilevski – Bato” dhe rruga “Marshi i shkurtit”.

Në detyrën e projektit, e cila është përfshirë në dokumentacionin e tenderit, theksohet se përmes linjës së SASH nga Lisiça e Re në Gjorçe Petrov dhe anasjelltas do të arrihej brenda 35 minutash, me shpejtësi komerciale të autobusit prej rreth 19.2 kilometra në orë.

Kompanitë e interesuara për pjesëmarrje në tenderin për përgatitjen e dokumentacionit të projektit për projektin ideor duhet t’i dorëzojnë ofertat e tyre në Qytetin e Shkupit jo më vonë se deri më 3 shtator. Vlera e vlerësuar e kontratës për përgatitjen e një projektit ideor është 5 milion denarë, pa TVSH. Ofertuesi më i favorshëm do të ketë një periudhë prej 100 ditësh për të përgatitur dokumentacionin e projektit pas paraqitjes së një urdhri me shkrim për vënien në punë, është theksuar në dokumentacionin e tenderit.

Përndryshe, qeveria e Maqedonisë tashmë ka kërkuar 70 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) për të financuar prezantimin e sistemit të autobusëve të shpejtë në Shkup. Projekti është shqyrtuar nga BERZH dhe ndikimi i tij, në një shkallë nga 0 deri në 100, është vlerësuar në 70, që e vendos atë në kufirin midis projekteve të mira dhe të forta, ndërsa ende pritet që banka të miratojë një kredi të tillë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button