RMV, qeveria e gatshme për ndihmë teknike komunës së Bogovinës për problemin e ujit në Siniçan

Sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt një takim ku morën pjesë Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Mileski, Ministri i Brendshëm Agim Nuhiu, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Trajan Dimkovski, Kryetari i komunës së Bogovinës Albon Xhemaili dhe përfaqësues të bashkësive lokale të fshatrave Siniçan dhe Urviç, ku u diskutuan problemet me ujësjellësin në këto dy fshatra.

Qëllimi i takimit ishte të bisedohet me të gjithë palët e interesuara për të kuptuar arsyet e situatës, si dhe të shohim se çfarë ka bërë komuna deri më tani për furnizimin me ujë të pijshëm për popullatën lokale.

Ministri Nuhiu theksoi se prania e policisë në vendin ku filluan aktivitetet e punës në periudhën e kaluar ishte ekskluzivisht me kërkesë të banorëve të fshatrave përreth dhe vlerësimin e policisë sipas planit të përgatitur operacional, në mënyrë që të shmangen shqetësimet serioze të rendit publik dhe paqes.

Pasi të gjithë palët e interesuara patën mundësinë për të shprehur mendimet e tyre për situatën në lidhje me ndërtimin e sistemit të furnizimit me ujë për banorët e Siniçanit, u konstatua që policia ishte mirëpritur nga të gjithë për të ruajtur rendin dhe paqen, ndërsa nga kryetari i komunës së Bogovinës u kërkua që të organizohet një takim i përbashkët me përfaqësuesit e të dy fshatrave nesër për të kapërcyer mosmarrëveshjet dhe për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

Nga sa u prezantua në takim, u konkludua se komuna ende nuk ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm të projektit për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit për fshatin Siniçan. Për të zgjidhur më shpejt problemin dhe për të siguruar ujë të pijshëm për banorët, zyrtarët e pranishëm qeveritarë shprehën gatishmërinë që Qeveria të mbështesë të gjithë palët e interesuara dhe të ndihmojë komunën në sigurimin e dokumentacionit teknik të nevojshëm, në mënyrë që të sigurojë një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e furnizimit me ujë për popullsinë në këtë vendbanim.

Edhe pse takimi përfundoi pa sukses për zgjidhjen e problemit të ujit në fshatin Siniçan në Qeveri mes disa ministrave dhe kreut të Komunës së Bogovinës Albon Xhemaili,  palët megjithatë thanë se do të bëjnë një përpjekje të dytë për të arritur një zgjidhje nesër në Komunën e Bogoviës.

Ndryshe, banorët e vendbanimin Siniçan kanë filluar të punojnë që një muaj më herët por, gati tre javë policia nuk lejon të vazhdojnë punimet. Në lidhje me këtë mund të lexoni edhe : Përpjekje e pasuksesshme për ndërtimin e ujësjellësit në Siniçan, policia në vendin e ngjarjes! dhe Situata në Siniçan, Policia pret urdhër me shkresë nga Prokuroria për t’u tërhequr nga vendi ku punohet ujësjellësi. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button