Kurbani e therrja e tij, qëllimi dhe rregullat tjera

Festa e Kurban Bajramit lidhet ekskluzivisht me kushtin e pestë të fesë islame Haxhin, ku me përfundimin e punëve të Haxhit si çështje madhore në islam vjen edhe festa e Kurban Bajramit, ku të gjithë besimtarët e botës solidarizohen me haxhinjtë duke shpresuar në sevapin që e fitojnë haxhinjtë.

Festa e Kurban Bajramit si punë kryesore e ka namazin e Bajramit dhe therjen e Kurbanit, pastaj; përforcimin e lidhjeve familjare dhe shoqërore me urime dhe vizita në mes veti, të ndihmojmë ata që kanë nevojë, të fusim gëzimin në zemrat e të gjithëve, t’i shtrijmë dorën njëri tjetrit, të mbizotërojë një atmosferë festive në këtë ditë etj.

DEFINICIONI DHE DISPOZITA E KURBANIT 

Meqenëse Kurbani është simbolika kryesore e kësaj feste, atëherë të shohim disa rregulla dhe dispozita rreth tij.

Definicioni i Kurbanit  është: Therja e një kafshe të caktuar në kohë të caktuar dhe me nijet të caktuar”

Herrja e Kurbanit u obligua në vitin e dytë pas hixhretit. Allahu në Kuran thotë:  “ Andaj ti falu dhe prej Kurban për Zotin tënd”.

Kurbani është Obligim (vaxhib) për çdo besimtar musliman, moshërritur, mentalisht i shëndoshë, që ka pasuri.

Nëse dikush ka mundësi dhe nuk ther kurbanin, ai bënë mëkat dhe dënohet te Zoti.

Me prerjen e Kurbanit obligohet çdo person që ka mundësi materiale, sa që nuk e dëmton buxhetin e tij familjar.

Koha e therjes së Kurbanit është pas faljes së namazit të Bajramit dhe deri në fund të ditës së tretë të bajramit.  Lejohet prerja edhe në netët e bajramit por nuk është e lavdëruar.

QËLLIMI I THERJES SË KURBANIT 

Qëllimi i therjes së Kurbanit është:

1- Falënderimi i Zotit për të mirat dhe begatitë e tij, dhe kujdesi i të pasurve për të varfrit në këto dita.

2- Për të shtuar dashurinë me anë të dhuratës së mishit; familjes, fqinjëve dhe të afërmve.

– Është obligim dhe simbol fetar, që njeriu të ofrohet te Zoti, dhe të shpresojë në mirësi dhe falje të  mëkateve.

3- Këtu vërehet sinqeriteti i besimtarit ndaj urdhrave të Zotit, sepse therja bëhet vetëm për Allahun

4- Jobesimtarët para islamit, thernin për idhujt e tyre, kurse muslimani ther për Allahun dhe ka dobi  etj.

HISTORIKU I KURBANIT 

Historiku i Kurbanit daton qysh nga njeriu i parë Ademi a.s. kur dy bijtë e tij pasi që u zunë për një çështje të caktuar paraqitën Kurbanët e tyre para Zotit. Pastaj idhujtarët gjatë gjithë historisë së njerëzimit Kurbanin e kishin simbol të sakrificave të tyre.

Historia më e njohur për muslimanët është ajo e Pejgamberit Ibrahimit a.s. me djalin e tij Ismailin a.s., ku feja islame Kurbanin e saj e bazon shumë në këtë ngjarje.

Islami Kurbanin e legjitimoi, dhe përcaktoi rregulla për të që, të mos keqpërdoret as kafsha e as mishi i tij.

KAFSHËT QË LEJOHEN PËR KURBAN 

Kafshët që lejohen për Kurban janë: DEVJA (5 vjet), LOPA (2 vjet), DELJA- DHIA ( 1 Vjet)

Delja e shëndoshë lejohet mbi 6 muaj. – Këtu bën pjesë edhe Bullica.- Këtu lejohen të dy gjinitë.

Për kafshët e mëdha ( deve dhe lopë ) lejohet që të marrin pjesë deri në 7 vetë. Të gjithë për Kurban.

Kurse të voglat vetëm një person. Por kryefamiljari mund të bëjë nijet për gjithë familjen e tij.

Muhamedi a.s. ka thënë në therje të Kurbanit: O Zot pranoje prej Muhamedit dhe familjes së Tij dhe prej gjith besimtarëve…

Nëse dikush blen një lopë dhe e bën nijet vetëm për vete, nuk lejohet që pastaj dikush të marr pjesë aty. Ndarja e mishit te kafsha e madhe duhet të bëhet me peshojë.

Kafshët me të meta para blerjes nuk lejohet që të theren për Kurban, e nëse shfaqet pas blerjes atëherë lejohet.

Këto të meta janë: Kafsha e verbër me njërin sy ose të dytë – këmbën e thyer ose të dëmtuar që         nuk ec – pa vesh ose nuk e ka shumicën e veshit – pa bisht ose nuk e ka shumicën e bishtit – pa  brina ose nuk e ka shumicën e bririt – pa dhëmbë – e çmendur – e sëmurë që nuk han etj.

Nëse kafsha e blerë është me barrë mund të thërret, nëse fryti i saj është i gjallë atëherë atë e jep sadak.

Udhëtari dhe ai që nuk ka pasuri nuk obligohen për Kurban, dhe nuk lejohet që i varfëri të huazojë për të ther Kurban.

Mishi i Kurbani mund të hahet i tëri me familje, mund të dhurohet i tëri, dhe ka mundësi dhe është e preferuar që, 1/3 të hahet me familje, 1/3 tu dhurohet të afërmve, dhe 1/3 atyre që nuk kanë prerë.

Është mirë që nijeti i Kurbanit vetë ta therë Kurbanin, e nëse nuk mundet bën dikush tjetër, por ai prezanton duke shikuar. Kurbani ka mundësi të theret edhe duke e autorizuar dike tjetër, ose të bësh pagesën e Kurbanit dhe të theret nëpër institucionet përkatëse ( Bashkësitë Islame ) që bëjnë therjen e Kurbanëve dhe e shpërndajnë mishin nëpër të varfër dhe aty ku ka nevojë.

Nëse e therr me Kasap duhet ta paguaj me para, dhe jo nga mishi i Kurbanit.

Kur të theret Kurbani duhet të bëhet nijet para se të theret dhe të dihet se në emër të kujt po theret.

DISA RREGULLA TË THERJES SË KURBANIT 

Therrja e Kurbanit ka disa rregulla e ato janë:

1- Të përgadisë vendin – të ushqehet Kurbani para therjes – Të jetë mjeti i therjes i mprehtë –

– Të thotë Bismilahi Allahu Ekber kur e pret – Të kthehet kah kibla – të shqipton tekbiret e Kurban bajramit – të jetë qëllimi i  besimtarit me këtë kurban  nënshtrimi i tij vetëm urdhërit të Zotit dhe jo mendjemadhësia ose ndonjë qëllim tjetër.

2- Është mirë që të hajë nga mishi i Kurbanit të tij dhe ti dhurojë të tjerëve, bile edhe   fqinjëve jomusliman

3- Është mirë që gjaku dhe mbeturinat të futen në dhe, nëse ka mundësi

4- Të falen dy rekate nafile në shenjë falënderimi Zotit pas therjes së Kurbanit.

5- Kafsha që theret për Kurban lejohet të shfrytëzohet si psh. mjelja, bartja etj. por pa u dëmtuar.

6- Nëse Kurbani humb ose vdes para se të theret; Nëse Ka pasuri e blen tjetrin e nëse jo nuk obligohet.

A LEJOHET TË THERET KURBAN PËR TË VDEKURIN 

Për Kurban obligohen vetëm të gjallët – Kurse për të vdekurin është obligim vetëm nëse ka porosit.

Nëse duam të therim Kurban për të vdekurit tanë, është mirë në emër të sadakës natën e Bajramit për të varfërit.

Por nëse duam të therim  Kurban ditën e Bajramit për të dikë prej tyre atëherë :

“Prerjen dhe derdhjen e gjakut e bëjmë nijet për neve të gjallët kurse sevapin e Kurbanit ia bëjmë hedije të vdekurve tanë pasi ta presim”

Lëkura e Kurbanit duhet të jepet, por nëse dikush do ta shfrytëzojë për vete atëherë duhet ta paguaj. Për Kurban Bajram preferohet dhe është sunet që të agjërohet dita e arafatit, kurse këto dhjetë ditë para bajramit duhet të kalohen me agjërim, pendim, lutje, istigfar, lexim të Kur’anit, përmendje të Zotit, salavate mbi Pejgamberin a.s., bamirësi ndaj të tjerëve, veprime vullnetare të ndryshme, adhurime të përbashkëta me familje etj.

TEKBIRET E TESHRIKUT 

Në këtë Bajram janë edhe tekbiret e teshrikut që duhet të shqiptohen pas çdo namazi farz, duke filluar nga sabahu i ditës së arafatit e deri në iqindi të ditës së katërt të Bajramit, gjithsej 23 kohë namaz. Nëse dikush i harron pas namazit, atëherë i shqipton më vonë kur ti kujtohet.

Forma e tekbireve është:

/ Allahu ekber Allahu ekber – La ilahe il-lallah, vallahu ekber – Allahu ekber ve lil-lahilhamd /

Përgatiti: Ragmi Destani- Këshilli i Bashkësisë Islame në Bujanoc

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button