Gjinkalla dhe milingona

Deri sa e presim formimin e qeverisë së re dhe meremi me spekulimet kush me kë do të bëjë koalicion për të formuar shumicën parlamentare, vera ngadalë kalon. Ja ku iku korriku dhe vjen gushti, e së shpejti edhe fillimi i vitit shkollor. Duke pasur parasysh që numrat e të infektuarve me Covid19 vazhdojnë të mbeten treshifrorë edhe gjatë kësaj periudhe, pritshmëritë për valën tjetër të këtij virusi që pritet të sulmojë gjatë vjeshtës bëhen gjithnjë e më shqetësusese. Në këtë drejtim, përveç planifikimit në aspekt shëndetësor të përballjes me valën e re të virusit, duhet poashtu të mendojmë mirë se çfarë do të bëjmë me arsimin gjatë vitit të ardhshëm shkollor dhe akademik.

Nuk shoh ndonjë përgatitje të veçantë për të trajnuar mësimdhënësit për përshtatje në mësim online, edhe pse pikërisht është kjo koha kur një gjë e tillë duhet të bëhet. Të them të drejtën, më shumë shoh njerëz që përgatiten për dasmat që i kanë në periudhën në vazhdim dhe për përshtatje ndaj situarës me pandeminë se sa të shoh ndonjë shqetësim real për atë se si mendohet të fillojë viti i ri shkollor. Dhe vërtet dasmat vazhdojnë sikur të mos ketë ndodhur gjë, mëhallat ushtojnë me muzikën e dasmave nëpër kopshte, salltanatet nuk kanë të ndalur, përkudër krizës globale ekonomike, ndërsa distanca sociale dhe masat e prandalimit të virusit shpesh anashkalohen në tërësi. E gjithë kjo situarë ma kujton gjinkallën që këndon gjithë verës e nuk çan kokën për dimrin që ka pas.

Duke pasur mundësinë të punoj në institucion të arsimit të lartë i cili ishte dhe mbetet shembull i mësimit online, mund të them me kompetencë që kjo nuk është diçka që mësohet brenda natës. Universiteti ku punoj ka bërë trajnime të panumërta, vit pas viti, duke përfshirë këtu gjithë stafin akademik, me qëllim që ti afëtsojë ata të përdorin teknologjinë në mësimdhënie. Dhe përsëri, përshtatja në mësim online dhe realizimi me sukses i kësaj forme të mësimdhënies kërkon trajnim të vazhdueshëm dhe këmbëngulës i cili vijon në këtë institucion që në kohën kur u shfaq pandemia. Nuk shoh që trajnime të tilla po organizohet për mësuesit e shkollave fillore dhe të mesme, ndërsa koha kalon, e fëmijët shumë shpejt do të përballen me dilemën a do të vazhdojë mësimi konvencional ose jo në shtator.

Është e qartë që jetojmë në shtet ku të gjithë sytë gjithmonë kthehen nga politika qendrore dhe pritshmëritë e krijimit të qeverisë së re. Por në anën tjetër, poashtu është e qartë që vendet tjera tani më kanë plan se si do të vazhdojnë mësimin në shkolla dhe universitete gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Universitetet më prestigjioze në botë kanë shpallur që mësimin këtë vit do e vazhdojnë online. Ndërsa shkollat bëhen gati për të ngritur efikasitetin e këtij mësimi përmes përgatitjes adekuate të mësuesve dhe nxënësve.

Para se të jetë shumë vonë, dhe të na “befasojë” vala e re e virusit të cilën të gjithë e presim, është mirë të organizohen trajnime intenzive për stafin që punon në shkolla dhe universitete. Edhe milingona më e vogël e shfrytëzon verën e nxehtë për tu bërë gati për dimrin e gjatë. Ky dimër mund të jetë posaçërisht i mundimshëm për fëmijët tanë të cilët rrezikojnë të mbeten shumë pas me mësime nëse tani nuk punohet në përgatitje serioze për mësim online. Kur të shfaqet nevoja për tu izoluar sërish në shtëpi, nuk guxojmë të themi që nuk kemi arritur të trajnohemi sa duhet për ti bërë ballë kësaj situate.

Të mos bëhemi gjinkalla e tani të këndojmë nëpër dasma pa menduar se çfarë dimri i pret fëmijët tanë sivjet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button