Greqia raportoi 52 raste të reja me COVID-19
Në Greqi gjatë 24 orëve të fundit janë zbuluar 52 raste të tjera të koronavirusit të ri (COVID-19), duke e çuar në 4.279 numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara me këtë virus në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Organizatës Kombëtare për Shëndetin Publik (EODY), ndër rastet e reja të zbuluara shtatë janë persona që u kontrolluan gjatë hyrjes në Greqi.
Përderisa numri i infeksioneve vazhdon të rritet, qeveria ka marrë vendim që duke filluar nga sot mbajtja e maskave të jetë e detyrueshme në shumë vende publike, si në ushqimore dhe dyqane me pakicë, sallone flokësh, banka dhe zyra të shërbimit publik.
Deri më tani, maska ishte e detyrueshme të mbahet në tregje, transport publik, kafene dhe restorante.
Gjatë 24 orëve të fundit në Greqi u regjistrua vetëm një viktimë nga koronavirusi, me çka numri i përgjithshëm i vdekjeve ka shkuar në 203.
Nga gjithsej 4.279 raste të konfirmuara me COVID-19 në Greqi, 54,5 për qind janë burra, ndërsa 1.195 prej tyre lidhen me udhëtimet e huaja.
Autoritetet greke kanë shprehur shqetësim për një rritje të mundshme të infeksioneve gjatë sezonit të turizmit në vazhdim, pasi disa turistë gjatë javëve të fundit janë testuar pozitiv ndaj koronavirusit.