Gashi: Nëse BDI nuk e merr kryeministrin, duhet që ASH-AA t’i nisin bisedimet për formimin e qeverisë

“BDI duhet që të provojë që Naser Ziberi të jetë kryeministër, ata fituan deputetë për shkak të tij dhe nëse nuk munden që ta realizojnë duhet të heqin dorë dhe të bëhen kombinime të reja dhe ne si Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa të fillojmë bisedime. Kemi biseduar me Ziadin Selën dhe kemi ardhur në përfundim që të mos hyjmë në bisedime përpara se BDI-ja ta harxhojë legjitimitetin e saj”, theksoi lideri i Alternativës, Afrim Gashi në një intervistë për “Sllobodna TV”, njofton Portalb.mk.

Ai shtoi se Koalicioni ASH-AA në zgjedhje kanë dalë me një program – shtet për të gjithë.

“Ne e kemi kundërshtuar idenë për kryeministër shqiptar, duke menduar se ajo është vetëm simbolikë dhe jo përmbajtje. Dhe tanimë nuk mundemi t’i gënjejmë votuesit tanë të cilët besuan në këtë koncept që ta mbrojmë ndonjë koncept tjetër”, theksoi Gashi, duke e sqaruar edhe thirrjen e Ahmetit që të gjithë partitë të qëndrojnë prapa idesë së BDI-së.

Gashi ka theksuar se Komisioni Shtetëror Zgjedhor dhe Gjykata Administrative i kanë legalizuar ata deputetë, që sipas tij janë marrë me ryshfet dhe vjedhje.

“Tani është i rëndësishëm një komponent – legjitimiteti. Kur një parti nuk e ka legjitimitetin te shqiptarët, ndërkaq nga ana tjetër ka dalë me maksimën kryeministër shqiptar, tani kur nuk mund ta realizojë e humb legjitimitetin që të jetë në qeveri”, deklaroi Gashi.

Ndryshe, të hënën Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternative mbajtëm marsh protestues, për të shprehur revoltën, kundër parregullsive zgjedhore dhe shkeljes së vullnetit të qytetarëve. Ky koalicion beson se BDI ka bërë manipulime gjatë procesit zgjedhor dhe akuzon këtë parti se ka vjedhur vota, prandaj nga ky marsh, para delegacionit të Bashkimit Evropian dhe KSHZ-së, dërguan porosi se, fitorja e BDI-së mund të jetë legale, por nuk është legjitime.

Në lidhje me këtë, kanë dërguar edhe një sërë ankesash në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, por të gjitha u hodhën poshtë si të “paargumentuara”. Ankesat e ASH-AAA u hodhën poshtë edhe nga Gjykata Administrative.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor i shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, në bazë të së cilit, Koalicioni “Mundemi” e udhëhequr nga LSDM fitoi 46 mandate, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, ASH-Alternativa 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 mandat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button