TRAGJEDIA GREKE

Rrethimi dhe bllokada e Kostandinopojës së dikurshme apo të Stambollit të sotëm, kishte zgjatur 90 ditë. Në mëngjes herët, në muajin maj, kishte filluar finalja për pushtimin e Kështjellës. Osmanët kishin thyer portën kryesore dhe Sulltan Mehmed Fatihu kishte hyrë brenda. Kambanat binin anembanë qytetit. Mbi kullë dhe në fund mbi kupolën e Aja Sofjes valëvitej flamuri osman.  Në fund, perandori bizantin, me shpatë në dorë, u fut në betejë. Sipas legjendës, thuhej se një luftëtar i quajtur Arnaut Ballabani, pas prerjes së kokës së Perandorit bizantin, Justinianit, ia dorëzoi kokën Sulltan Mehmedit. Me pushtimin e Kostandinopojës, në betejë ishin futur edhe shqiptarët. Në anën e Perandorisë osmane, arbanët, të konvertuar në Islam dhe në anën e Bizantit, arvanitasit. Në fund, me pushtimin e Kostandinopojës, kishte marrë fund Perandoria bizantine.

TRAGJEDIA E DYTË GREKE

 Tragjedia e dytë greke kishte filluar më 1570-1572, kur osmanët pushtuan Kretën dhe ishullin Qipriot. Si protagonist, në njërën ndër luftërat më të mëdha mes Perandorisë osmane dhe evropianëve, ishte udhëhequr me komandën e dy shqiptarëve. Për këtë luftë, shkruan historiani dhe akademiku anglez, Neol Mallkom, i cili rrëfen edhe për historinë e dy familjeve shqiptare ulqinake, Bruni dhe Bruti. Anija luftarake e Republikës dhe Papatit të Venedikut, ishte nën komandën e komandantit, pinjollit të familjes ulqinake, Bruni, ndërsa Sinan Pasha, veziri i madh ishte udhëheqësi i luftës. Sipas historianit Neol Mallkom, Sinan pasha me Brunin ishin kushërinj të afërt. Familja e Brunit, me origjinë nga Lezha, ishte shpërngulur në Ulqin. Ndërsa veziri i madh, Sinan pasha ishte nga Topojani që i përket Shqipërisë veriore, një krahinë mes zonës kufitare Kosovë-Maqedoni e sotme.

Neol Mallkom, në vitet e 60-ta, kishte marrë një ekspeditë në Ballkanin perëndimor. Duke kaluar nëpër rrugën Tetovë-Prizren, mes bjeshkëve dhe maleve të Sharrit, siç rrëfen Mallkom, ishte mahnitur dhe fascinuar nga bukuritë magjepsëse të këtyre perlave, duke theksuar në shkrimet e tij se kishte kaluar në njërën ndër vendet më të bukura që kishte parë gjatë ekspeditave të tij.

Ai më tej shkruan se pas armëpushimit, komandanti Bruni dhe veziri Sinan pasha ishin takuar kokë më kokë, për të bërë negociata dhe lëshime nga të dyja palët. Pas dështimit të bisedimeve, Osmanët nën udhëheqjen e Sinan pashës përfundimisht kishin pushtuar Kretën dhe ishullin Qipriot.

TRAGJEDIA E TRETË GREKE

 Para tre vjetësh, me kushëririn tim, me gjithë familjet, vizituam së pari  kushërinjtë që ishin shpërngulur nga fshati Bozovcë i malësisë së Tetovës në vitin 1912, në një qytet bregdetar afër Izmirit. Gjyshi i babait tim, Hasip Ukaj, me familje dhe tre djemtë ishte shpërngulur në qytetin bregdetar, Edemish. Hasip Ukaj, gjyshi im prej babai, ishte me prejardhje nga Topojani. Shumë familje nga Topojani ishin shpërngulur në fshatin Bozovcë dhe në fshatrat e tjerë të malësisë së Sharrit. Një ndër familjet që kanë ardhur në këtë fshat nga Topojani, është edhe ajo e pronarit të kompanisë “Ekolog”, z. Lazim Destani. Pleqtë e fshatit rrëfenin se nëpër dasma vinin krushqi që ishin rapsodë nga fshatrat e Topojanit dhe këndonin këngë për vezirin e madh, Sinan Pasha nga Topojani.

* * *

Kushërinjtë dhe halla Emine, e cila ishte në moshë të thyer nga të 90-tat, rrëfenin për historikun e familjes. Njëri nga djemtë e familjes së Hasip Ukajt, Shaqiri, daja i babait tim, kishte marrë pjesë në ekspedita dhe beteja luftarake për çlirimin e Izmirit. Me shumë shqiptarë, Shaqiri, një malësor me shtat gjigant,  shpatullgjerë, duke qëndruar në istikame kishte dëgjuar një bërtitje: “Përpara djema, nuk do të jetojmë njëqind vjet, është krenari të vdesësh për vatan!” Shaqiri në fund kishte vërejtur se ky që bërtiste ishte komandanti Mustafa Kemal (Ataturku), duke kaluar përskaj istikameve. Izmiri kishte qenë bastioni i fundit i ushtrisë greke. Në një kishë ishte zënë rob gjenerali grek. Ushtarët e kishin sjellë gjeneralin grek te komandanti, Mustafa Kemali, i cili e kishte përshëndetur dhe ia kishte dhënë dorën, duke i ofruar një cigare, ndërsa korrierin e kishte urdhëruar që të përgatiste kafe edhe për gjeneralin, duke e lavdëruar se kishte luftuar me trimëri. Mustafa Kemali e kishte pyetur gjeneralin se nga cili vend ishte, ai i kishte thënë se është nga një provincë e Selanikut dhe se kishte qenë shqiptar ortodoks nga Çamëria. Atëherë edhe Mustafa Kemali i kishte thënë se është me origjinë shqiptare, edhe pse nuk dinte të flasë shqip. I kishte treguar se babai i tij ishte shpërngulur nga një fshat i Dibrës për në Selanik. Pasi ishin ndarë, komandanti kishte dhënë urdhër ushtarëve që të pushkatohet gjenerali.

LUFTA TURKO-GREKE DHE NDARJA E ISHULLIT QIPRIOT

 Më  kujtohet, mes viteve të 70-ta, fraza apo maksima shpesh e përmendur nëpër kafe e çajtore tek maqedonasit dhe shqiptarët, duke luajtur shah ose domino, thoshin se “ke humbur si greku!” Si i ri, atëbotë s’e kuptoja thelbin e asaj fraze. Kur e pyeta një kushëri, ai më tha se kjo frazë kishte mbetur pas disfatës greke nga Turqia, më 15 korrik 1974.

Gardistët kombëtarë greko-qipriotë, me ndihmën e nacionalistëve grekë, bënë puç për bashkimin e ishullit me Greqinë. Pas disa ditësh, në një luftë turko-greke, Turqia e aneksoi pjesën veriore të ishullit, kështu që ishulli u nda.

* * *

Më kujtohet, burri i tezes që punonte në Gjermani, në firmën ku kishte zënë punë në Hamburg, shumica ishin turq. Kur u dha lajmi për konfliktin turko-grek, shumica e punëtorëve turk nuk punuan atë ditë. Ata kishin shkuar në Konsullatën e Turqisë dhe ishin paraqitur vullnetarë, për të shkuar në luftë. Një ndër ta ishin edhe dy shqiptarë nga Manastiri, të cilët ishin të flaktë për të shkuar vullnetarisht në luftë. Personeli i Konsullit u kishte thënë se nuk kishin të drejtë të shkonin në luftë si shtetas të huaj. Pas një jave, nga Konsullata turke erdhën falënderime, mirënjohje dhe nga një pako dhuratë. Burri i tezes rrëfente për kolegët e punës nga Manastiri, të cilët banonin afër zonës kufitare me Greqinë. Nga masakrat, vrasjet, gjenocidin, djegiet dhe dhunën që kishin bërë grekët gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore ndaj tyre, ishin detyruar të shpërngulen për në Turqi dhe Shqipëri.

Disa miq të mi, shqiptarë të shpërngulur në Turqi, rrëfenin për konfliktin turko-grek që kishte ndodhur në korrik të vitit 1974. Ata tregonin se gjenerali që kishte udhëhequr luftën kishte qenë shqiptar nga fshatrat e Kaçanikut, ndërsa sipas gojëdhënave çame, në Turqi kishte udhëhequr ekspeditën e luftës kundër turqve një admiral çam.

KONFRONTIMET E FUNDIT MES TURQISË DHE GREQISË

 Javën e kaluar, ashpërsimi i raporteve mes Turqisë dhe Greqisë mund të shkallëzohej në një luftë rajonale me përmasa katastrofale dhe tragjike. Dy shtete, anëtare të NATO-s, ishin mobilizuar në gatishmëri të lartë lufte, me aeroporte, limane dhe anije luftarake. Në fund pritej aksioni final për fillimin e luftës. Falë zonjës së hekurt, kancelares gjermane Angela Merkel, konflikti dhe lufta u shmangën. Kancelarja Merkel, të martën në mbrëmje, javën e kaluar, tërë natën kishte biseduar me presidentin turk, Taip Erdogan dhe me kryeministrin grek, Kiriakos Mitsotakis. Po të fillonte konflikti, lufta mes Turqisë dhe Greqisë, do të ishte katastrofale, kanë thënë ekspertë dhe analistë të njohur botërorë, me gjasa që të zgjerohej në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme.

Tek shqiptarët do të përsëriteshin ngjarjet tragjike të së kaluarës. Si çdo herë, shqiptarët myslimanë do të rekrutoheshin vullnetarisht dhe si mercenarë, për të luftuar në fushëbetejat e stepave të Anadollit. Po ashtu shumë arvanitas të asimiluar çamë dhe mijëra shqiptarë të shkuar pas shembjes së komunizmit dhe diktaturës në Greqi, që një pjesë janë konvertuar dhe asimiluar, do të luftonin ballë për ballë dhe do të derdhnin gjakun shqiptar.

Shkruan: Merxhan Jakupi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button