Bajrami: Lënda për keqpërdorimet eventuale në BFI, i lëvizi institucionet që kishin fjetur

Pas hapjes së lëndës për keqpërdorime eventuale financiare në Bashkësinë Fetare Islame nga ana e Antikorrupsioni, institucionet janë zgjuar nga gjumi dhe kanë filluar të punojnë. BFI-ja ka dorëzuar raport vjetor për vitin 2019-të, ndërkaq Antikorrupsioni ka dorëzuar iniciativë për ngritjen e përgjegjësisë ndaj drejtoreshës së Regjistrit Qendror për mosushtrim të kompetencave. Sqaron për Portalb.mk, anëtari i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Nuri Bajrami.

“Lënda nuk është mbyllur, efekti i saj duket se kishte lëvizje, thjeshtë tek institucionet që kishin fjetur, as që i dinin kompetencat e veta ose thënë më butë, i dinë por nuk i ushtrojnë”, thotë Bajrami.

Ai gjithashtu sqaron se Regjistri Qendror kishte mohuar se tek ata duhet që BFI-ja të dorëzojë llogaritë vjetore, të cilat s’i kishte dorëzuar 5 vite.

“Regjistri Qendror e kontestoi, pastaj e sqaruam se gjoja nuk kanë ata obligim për llogaritë vjetore. Me Ligjin të Sistemit Njësportelësh, me Ligjin për Regjistrin Qendror është mirë e definuar se kush duhet t’i mbajë regjistrat. Regjistrin e mban Gjykata Themelore Shkupi 2, por ata janë detyruar t’ia dorëzojnë Regjistrit dhe ata kontestonin se nuk ka të dhëna të tilla, por në fakt të dhënat prej vitit 2006 janë marrë dhe nëse nuk do të kishin të dhëna, as që nuk do të na jepnin përgjigje. Pra Regjistri e ka përpunuar, por nuk na jepte përgjigje”, thotë Bajrami.

Ai më tej sqaron se ata kanë dorëzuar përpara Këshillit Drejtues të Regjistrit Qendror iniciativë për ngritjen e përgjegjësisë ndaj drejtoreshës së Regjistrit Qendror për mosushtrimin e kompetencave të veta që faktikisht të ketë qasje institucionale ndaj obliguesve tatimor, pavarësisht nëse janë ose s’janë të liruar, raportet vjetore dorëzohen sipas ligjit. Këshilli duhet të vendos brenda 60 ditëve.

“Të gjithë institucionet rreth e përqark thirreshin në autonomi, s’ka asnjëherë autonomi absolute. Autonomia është në kuadër të ligjeve, askush nuk u përzihet atyre (BFI-së, shkrim i redaksisë), por me organet shtetërore, bartësit e autorizimeve publike të cilët janë të autorizuar t’i ushtrojnë funksionet ashtu siç duhet”, thotë Bajrami.

Kur është dorëzuar kërkesa për të mbledhur të dhëna, BFI-ja, sipas përshtypjes së Bajramit, e kanë kuptuar që duhet të dorëzojnë llogari vjetore dhe kanë alarmuar në njëfarë mënyre dhe për vitin e fundit (2019) kanë dorëzuar llogari vjetore.

“Vetë Regjistri Qendror thotë se BFI-ja s’ka dorëzuar raport, kur hymë ne në Regjistër Qendror shohim se për vitin e fundit ka, pra mund të nënkuptohet se ata janë vetëdijesuar”, thotë Bajrami.

Nga ana tjetër, Bajrami gjithashtu njofton se ka kontaktuar edhe me Prokurorinë në lidhje me padinë e dorëzuar për keqpërdorimet financiare në BFI, por nga Prokuroria kanë dhënë përgjigje se ende po veprohet në këtë lëndë.

Ndryshe, më 12 qershor Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit ka hapur lëndë për analizim të keqpërdorimeve financiare që dyshohet se ka bërë Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut. Anëtari i Antikorrupsionit, Nuri Bajrami, në konferencë për media tha se, lënda në formë të padisë i është dorëzuar  komisionit me datë 01.11.2019 dhe është një kopje e padisë penale që është dorëzuar edhe te shumë institucione tjera, përfshirë Prokurorinë Publike për krim të organizuar. Në atë padi penale e cila përbën 116 dëshmi ka dyshime se ka keqpërdorime të mëdha të mjeteve financiare në BFI.

Kujtojmë se më 27 maj, Riaseti i Bashkësia Fetare Islame në mbledhjen e jashtëzakonshme me shumicë prej dy të tretave e ka shkarkuar nga funksioni kreun e tyre, Sulejman Rexhepi i cili u zgjodh në vitin 2007 kryetar dhe deri më tani disa herë u rizgjodh me mandat 5-vjeçar. Në vend të tij u.d. kryetar u zgjodh Shaqir efendi Fetahu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button