Qëllimi justifikon mjetin, por jo domosdoshmërisht

Në fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve të fundit parlamentare në Maqedoninë Veriore mbisunduan dhe u përballën kryesisht dy rryma të veprimit politik, të cilat sipas teorisë politike në fuqi, definohen si vijon:
Pragmatizmi nënkupton zgjidhjen e problemeve në një mënyrë të arsyeshme që i përshtatet kushteve që ekzistojnë me të vërtetë tani, në vend të bindjes ndaj teorive, ideve ose rregullave fikse.
Në biznes, qasja pragmatike ndaj problemeve shpesh është më e suksesshme se ajo idealiste.
Makiavelizmi nënkupton të jesh ose të veprosh në përputhje me parimet e qeverisjes të analizuara në traktatin Princi të Machiavelli-t, në të cilin qëllimi politik vendoset mbi moralin dhe ku përshkruhet përdorimi i shkathtësisë së mashtrimit për të ruajtur pushtetin dhe për të zbatuar politikat e një sundimtari.

Makiavelisti karakterizohet nga dinakëria delikate ose e paskrupull, mashtrimi, papërshtatshmëria morale ose pandershmëria:

Pra, Makiavelisti është një ndjekës i parimeve të analizuara ose të përshkruara në Prince, veçanërisht në lidhje me teknikat e manipulimit politik.

Shikuar në këtë kontekst, është shumë lehtë që në skenën politike të identifikohet filozofia e pragmatizmit politik të Lëvizjes Besa, si pjese e Koalicionit Mundemi, sepse është shumë evidente që ajo zgjodhi pragmatizmin politik dhe praktikoi një fushatë dhe ofertë realiste për zgjidhjen e problemeve në përputhje me kushtet dhe mundësitë aktuale, duke e ofruar gjithë potencialin dhe ekspertizën e kuadrove të veta partiake në shërbim të “dobisë” shoqërore, për një jetë dhe mirëqenie me dinjitoze ekonomike.

Për ta pranuar realitetin e domosdoshmërisë së zgjidhjes emergjente së çështjeve ekzistenciale, të sanimit të pasojave të tendences globaliste të shpërnguljes masovike të të rinjve jashtë vendit për një jetë dhe perspektivë më të mirë ekonomike dhe shoqërore, LB në mënyrë shumë transparente dhe pragmatike bashkoi forcat me lëvizjet dhe partitë tjera pro pragmatike dhe realiste në skenën politike maqedonase, duke e sfiduar në këte menyrë edhe mentalitetin e vjeter të dyshimit dhe skepticizmit ndaj palës tjetër, dhe duke rrezikuar kësisoj që edhe ta akuzonin me etiketime të ndryshme pezhorative.

Nga ana tjetër, është shume evidente se cila-t prej partive shqiptare zgjodhi apo zgjodhën ta praktikonin filozofinë e veprimit makiavelist, të tipit ‘qëllimi justifikon mjetin’, në mënyrë që, për ta fituar apo mbajtur pushtetin, kundërshtarin tënd politik mund edhe ta përbuzësh, nënçmosh, dhe poshtërosh me etiketime denigruese, edhepse deri dje ka-në qenë bashkëpunetorë dhe bashkudhetarë politikë.

Kësisoj, për ta bërë më atraktive ofertën politike janë dhënë edhe premtime surrealiste të tipit të gjoja ‘kohës së ardhur për ndërtimin e një qeverie me kryeministër të parë shqiptar’, apo në mungesë të realizimit të saj, ka ardhur koha e daljes jashtë sistemit dhe e ndërtimit të një qeverie kinse paralele puro shqiptare, dhe të ngjashme.

Eshtë shumë e dukshme se kush i përqafoi dhe praktikoi teknikat e manipulimit politik, se cila-t prej partive shqiptare parapëlqëu shkathtësinë e mashtrimit për të ruajtur pushtetin me çdo kusht, në përputhje me devizën e famshme politike të Makiavelit “qëllimi justifikon mjetin”.
Sipas kësaj filozofie politike, qytetari apo votuesi mund edhe të mashtrohet, të intimidohet në mënyrë eksplicite apo implicite, të kerkohet besnikëria e tij e verbër dhe e përjetshme në emër të sherbimit të bërë apo të premtuar, por edhe të përkujtohet për mundësinë e humbjes së privilegjeve të tilla, në rast të kundërt. Në këtë drejtim mund të manipulohet edhe me ndjenjat kombëtare të individëve për ta provokuar dhe ndjellur admirimin e tyre në emër të një ngjarje heroike në të kaluarën e afërt, dhe të ngjashme.

Për hir të korrektësisë politike, është çështje e karakterit personal dhe e konstruktit mental se cilën prej këtyre dy filozofive politike e zgjedh individi, por ështe edhe fakt se kjo tipare e definon edhe psikologjinë mentale të një etnikumi.

Të mashtruar apo jo, të manipuluar apo jo, një pjesë e mirë e votuesve nuk deshtën ta pranonin realitetin dhe obligimin e marrjes së pergjegjësisë personale për degjenerimin shoqëror. Ata parapëlqyen që me vetëdije të ‘lejonin të mashtroheshin’ me oferta të tilla surrealiste, edhepse thellë në shpirtin e tyre e dinin se këto premtime nuk ishin të realizueshme. Ata nuk zgjedhin ta marrin përgjegjësinë dhe pjesën e tyre të fajit për gjendjen shoqërore, për ta qetësuar kështu ndërgjegjen e tyre të fjetur, me kërkimin e fajit vetëm te politikanët, por që ata praprakisht i kishin zgjedhur t’i përfaqësonin.

Defetizmi dhe skepctizmi i tyre i mbjellur me vite nuk lejoi të shëroheshin komplekset individuale të njerëzve të cilët, edhepse thellë të vetëdishëm për gjendjen e vështirë ekonomike, fajin nuk e shohin te qeverisja e deritashme por te opozita, e cila sipas tyre nuk ka bërë sa duhet ‘për t’u bashkuar’, dhe qenka shkaktari kryesor i agonisë së tyre ekonomike dhe politike.

Si pasojë e këtij skepticizmi të ngulitur nder vite, ata i votojnë me vetëdije të njëjtët, që paturpësisht ua zënë deren e shtëpisë duke e kërkuar votën e tyre, në shkëmbim të një rruge lokale që shtrohet në vigjile të zgjedhjeve, për ca themele të institucioneve që hudhen për të satën herë, me premtimin se këtë herë e kanë seriozisht, për premtimin se kesaj rradhë do të punësohen edhe ata apo te afërmit e tyre në administratë, apo për ndonjë privilegj individual ‘të shpresuar’ në mandatin e ardhshëm. Pra, secili prej tyre votoi për ndonjë interes të ‘vogël’ personal dhe familjar, që i bën edhe këta ‘makiavelista’ apo thënë më butë interesaxhinj.

Nese kjo nuk është tipare e filozofisë makiaveliste, në kuptimin “premto dhe genje sa të duash, me rëndësi është ta besojnë edhe genjeshtrën më të pamundur”, apo në kuptimin “frikësoi ata që janë të lëkundur në vendosmërinë e tyre, duke ua rrezikuar edhe rehatinë e tyre sado të vogël momentale”, vetëm e vetëm që të mbetesh sa më gjatë në pushtet, atëherë thënia ‘qëllimi justifikon mjetin’, s’do të kishte fare kuptim.

Këta që besojnë verbërisht në genjeshtra apo premtime të rrejshme nuk mund ta pranojnë lehtë kur u perplaset realiteti i hidhur në fytyrë, dhe kur kërkohet prej tyre të marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre, sepse e kanë ndertuar tashmë realitetin e tyre virutal, dhe kanë frikë të dalin jashtë grilave të burgut të tyre politik, dhe të përballen vetë me sfidat e jetës, por presin që dikush tjetër ta bëjë punën e tyre.
Prandaj, në trevat shqiptare por edhe ballkanike, gjejnë strehim metodat e vjetra makiaveliste, dhe është vështirë të mbillet fara e pragmatizmit dhe realizmit politik, në mënyrë që njeriu të fillojë vetë ta ndertojë fatin e vet, dhe te mos presë mrekullira nga lart, të mos presë lindjen dhe paraqitjen e ndonjë figure mesiatike dhe legjendare, që me shkopin e tij magjik t’i zgjidhë problemet dhe telashet e tyre të përditshme ekonomike dhe shoqërore.

Vetëm atëherë kur çdo individ do të merr përsipër që me punën e vet ta ndertojë lumturinë familjare, do të kemi shansin të ndertojmë edhe këtu, një shoqeri me mirëqenie ekonomike dhe shoqërore. Ne raste të kundërta, do të ketë gjithmonë njerëz që do të bien pre e politikanëve makiavelistë të tipit të mashtruesve, intrigantëve, akrobacionistëve, matrapazëve dhe huliganëve, që do të arrijnë ta trazojne shpirtin e tyre të mjerë, dhe do t’i mbyllin gjatë kohë në realitetin e tyre virtual të burgut shtepiak dhe afarist. Deri atëherë, mirupafshim!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button