Për herë të parë pas tetë viteve, është zvogëluar numri i automjeteve të regjistruara në Shkup (Infografik)

Pas tetë vitesh rritje të vazhdueshme të numrit të automjeteve të regjistruara në Shkup, vitin e kaluar për herë të parë është vërejtur ulje e mjeteve motorike me targa të Shkupit, tregojnë të dhënat e Entit shtetëror për statistikë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në vitin 2019 në kryeqytet janë regjistruar 148.892 automjete, përkatësisht me numër modest prej 592 mjetesh motorike më pak, në krahasim me vitin e kaluar.

Është vërejtur edhe zvogëlim i numrit të përgjithshëm të mjeteve motorike në Shkup, nga 175.588 në vitin 2018 në 174.008 mjete motorike (automjete, motoçikleta, autobusë, kamionë, traktorë dhe tjera) në vitin 2019.

Ky zvogëlim i motorizimit të shkupjanëve është kryesisht pasojë e rënies së numrit të automjeteve që i posedojnë banorët e komunave Gazi Babë, Karposh, Aerodrom, Çair, Shuto Orizarë dhe Butel.

Përkundër kësaj, në Komunën Qendër ku është mungesa më e madhe e vendeve për parkim dhe probleme me kaosin rrugor, në vitin 2019 ka pasur rritje të numrit të automjeteve në 24.544 në vitin 2019, përkundër 23.415 automjeteve në vitin 2018. Rritje të numrit të automjeteve ka pasur edhe në komunat Kisella Vodë dhe Saraj.

Zvogëlimi i këtillë befasues i numrit të automjeteve të regjistruara në Shkup vjen paralelisht me numrin e zmadhuar të automjeteve të regjistruara në nivel të gjithë vendit. Përkatësisht, në vitin 2018 në vend ka pasur gjithsej 485.612 automjete me targa të Maqedonisë, ndërsa vitin e kaluar ky numër është rritur në 495.636 automjete.

Të dhënat paralele për shfrytëzim të transportit publik në Shkup tregojnë që numri i udhëtarëve që udhëtojnë me autobusë urban është duke rënë nga viti në vit, ndaj parashtrohet pyetja nëse rënia e automjeteve të regjistruara është rezultat i vetëdijes së ngritur ekologjike te qytetarët të cilët më tepër ecin dhe përdorin biçikleta apo ndoshta vitin e kaluar në Shkup më tepër kanë udhëtuar me automjete me targa të huaja.

Ajo që është evidente nga të dhënat statistikore është që për tetë vite në rrugët e kryeqytetit është zmadhuar numri i automjeteve për më tepër se 26.000, që është tregues shqetësues në raport me kaosin ekzistues, mungesën e vendeve për parkim dhe shkallën alarmante të ndotjes së ajrit. Të dhënat e NP“Parkingu i qytetit” – Shkup për vitin 2019 tregojnë që numri i vendeve për parkim me të cilat menaxhon në kryeqytet është madje 13 herë më i vogël nga numri i lejeve të lëshuara falas për parkim për banorët të cilët jetojnë në rrethinën e parkingjeve të tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button