fbpx

Mijëra hungarezë protestuan për lirinë e shtypit

Mediumi më i madh i pavarur i Hungarisë, “Index” rrezikohet. Kritikët i tremben vënies së nën kontroll nga qeveria e Orbanit të portalit online. Mijëra vetë dolën në Budapest të protestojnë.

“Index qëndronte për lirinë e shtypit dhe ideve. Boshllëkun që do të lerë ai nuk do ta mbushë dot asnjë medium tjetër”, thotë Bálint Honos. Hungarezi i ri është një nga rreth 10.000 vetë që të premten në mbrëmje protestuan në Budapest kundër influencës së qeverisë ndaj mediumit më të madh të pavarur në vend. Edhe Luca Jelli është mes demonstruesve. „E para gjë që bëj në mëngjes është leximi i Index-it”, thotë ai. “Jam shumë i trishtuar për atë që po ndodh këtu.” Kolona e protestës u formua në afërsi të redaksisë së Index-it. Prej andej protestuesit vazhduan rrugën përgjatë Danubit deri para selisë së kryeministrit, Viktor Orban. Rrugës duartrokitje për punën e gazetarëve të portalit dhe thirrje për solidaritet. “Ne jemi me ju”, “Vend i lirë, media të lira », shkruan DW.

Më shumë se 80 gazetarë të Index-it dorëhiqen

Arsyeja e protestës lidhet me largimin nga detyra të kryeredaktorit të Index-it, Szabolcs Dull të mërkurën (22.7.2020). Në fund të qershorit ai kishte publikuar një artikull, ku paralajmëronte nga ndikimi në rritje tek Index i pronarëve të afërt me qeverinë. “Të mërkurën në fjalën e lamtumirës, Dull tha se “Index është një fortesë, që ata duan ta shkatërrojnë.” Pas largimit të Dull nga detyra, redaksia e Index-it u solidarizua me kryeredaktorin dhe kërkoi kthimin e tij në detyrë. Por drejtorët nuk reaguan. Të premten më shumë se 80 vetë gazetarë ofruan largimin nga detyra, si edhe zëvendëskryeredaktorja, Veronika Munk. Ajo u shpreh, se do të krijojë një medium të ri me ish-gazetarët e redaksisë së “Index-it”.

Përpjekja për influencë zgjat me vite

Me rreth 1,5 Milionë klikime të faqes në ditë, tek një popullsi me 10 milionë banorë, Index është mediumi më i lexuar në Hungari. Prej vitesh qeveria e Orbanit përpiqet të ndikojë në raportimin kritik që i bëhet qeverisë nga portali i internetit. Para tre vitesh ky portal u vu nën pronësi të pronarëve të afërt me partinë e Viktor Orbanit, Fidesz. Një fondacion i krijuar do duhej të garantonte pavarësinë e Index-it. Por në mars biznesi i reklamave u shkëput nga portali dhe u vendos nën kontrollin e pronarëve. Para një muaj, pronarët kërkuan nga fondacioni, bordi drejtues dhe redaksia një raportim më miqësor ndaj qeverisë, gjë që çoi në prishjen me kryeredaktorin, Dull dhe në fund me të gjithë redaksinë.

Marrja nën influencë e mediave kritike ka traditë

Vitet e kaluara, qeveria e Orbanit i ka vënë nën kontroll gati të gjitha mediat kritike. Analistët vlerësojnë, se gati 90% e mediave ndodhen nën kontrollin e qeverisë. Kritikët tremben, se Index-i do të vendoset tërësisht në linjën e qeverisë, sipas një modeli të njohur: Fillimisht pronarë të afërt me qeverinë e partisë Fidesz blejnë mediat kritike. Më vonë ato ose sillen në linjën e partisë, Fidesz ose mbyllen. Në vitin 2015 ndërroi në këtë mënyrë pronar, portali Origo, i njohur si kritik ndaj qeverisë – sot ai konsiderohet si zëdhënës i qeverisë së Orbanit. Një vit më vonë brenda natës u mbyll gazeta më e madhe ditore hungareze, Népszabadság. Radiotelevizioni publik qëndron që nga viti 2010 nën kontrollin shtetëror. Shumica e radiove e televizioneve private janë nën pronësi të pronarëve të afërt me Fidesz. Në listën e lirisë së shtypit të “Reporterëve pa kufij”, Hungaria zë vendin e 89 nga 180 vende.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close