Premtimet

Tani që zgjedhjet mbaruan dhe të gjitha ankesat u shqyrtuan në organet kompetente mbetet të shihet se si do rrjedhin proceset e negociatave për krijimin e qeverisë së re. Dhe në këtë drejtim duket sikur aktorët kryesorë e kanë marë me nge punën dhe i kanë dhënë vehtes ca ditë pushim. Nuk e di sa është i arsyeshëm ky pushim kur të gjithë e dimë që jemi ende në valën e pandemisë e cila sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë edhe në vjeshtë, bile do të marrë më shumë hov atëherë e kombinuar edhe me gripin e zakonshëm sezonal. Prandaj kohë për të pritur nuk ka, dhe askush nuk ka luks të shkojë me pushime sivjet, e të shtyej pa nevojë krijimin e qeverisë që duhet të jetë rezultat normal i zgjedhjeve të mbajtura me urgjencë në kushte pandemie.

Dhe gjersa bisedimet joformale vazhdojnë, e kalkulimet e ndryshme marrin hov, është mirë të kujtohemi që në këto zgjedhje parlamentare për herë të parë në historinë e këtij shteti shqiptarët janë përfaqësuar me gjithësej 33 deputetë nga parti të ndryshme. Rrethanat ishin të tilla që e mundësuan këtë numër i cili tani duhet kapitalizuar për të përmbushur premtimet e kahëhershme ndaj qytetarëve shqiptarë të këtij vendi. Të mos harrojmë, në vitin 2016 numri i deputetëve shqiptarë u ul në mënyrë drastike pikërisht për shkak të asaj që shqiptarët e këtij shteti me votën e tyre të revoltës shprehën pakënaqësinë ndaj pushtetit të Gruevskit dhe sakrifikuan rradhët e tyre në Kuvend për të rrëzuar regjimin e tij. Në atë kohë shqiptarët bënë kompromis me të drejtat e tyre të përfaqësimit në mënyrë që të sigurojnë të drejtat themelore të njeriut për të gjithë në këtë shtet. Dhe kjo sacrificë sigurisht që u shpagua sepse falë asaj vote qeverija ndryshoi, ndryshuan dhe shumë gjëra tjera dhe ne sot jemi vend i anëtarësuar në NATO e që pret fillimin e negociatave për aderim në BE.

Në këto zgjedhje parlamentare shqiptarët dhanë sërish mesazhin e tyre përmes votës. Dhe mesazhi duhet lexuar kështu:

Në të gjitha zgjedhjet parlamentare pa përjashtim, partitë shqiptare mbledhin vota me premtime patriotike nga më të ndryshmet, duke filluar nga jetësimi i Marrëveshjes së Ohrit, përmes Ligjit për përdorim të gjuhës shqipe, e deri tek Kryeministri i parë shqiptar. Ja ku i keni tani 33 deputetë. Përkrahje më të madhe asnjëherë s’keni pasur. Uluni dhe koordinohuni për qëllimet që doni ti arrini e të cilat përkojnë me të gjitha programet e juaja parazgjedhore. Uluni dhe përmbushini një herë e përgjithmonë këto premtime tani që e keni rastin për të bërë një gjë të tillë. Nëse vërtet jeni të sinqertë në atë që keni thenë, realizoni tani premimet që aq lehtë i jepni gjatë fushatave parazgjedhore. Tani e keni kohën dhe përkrahjen e duhur. Nuk ka më presion se Gruevski do të bëjë qeverinë. Nuk është më as presioni për të zgjidhur çështjet madhore shtetërore që na mbanin të bllokuar. Urdhëroni dhe realizoni premtimet e juaja.

Ndërsa nëse qëllimi juaj i mirëfilltë ka qenë sërish vetëm ardhja në pushtet, atëherë edhe kjo është legjitime. Fundja definicioni më i thjeshtë për partitë politike i karakterizon ato si grupe njerëzish qëllimi i të cilëve është ardhja në pushtet. Prandaj kjo tendencë e secilës parti politike është më se legjitime. Por atëherë ju lutemi punoni për të mirën e përgjithshme dhe rregulloni ato çështje që nuk sjellin vota direkte por përmirësojnë dukshëm mirëqenien tonë që pret t’i vijë rendi pas premtimeve të shumta patriotike. Përmirësoni shëndetësinë sepse do na duhet më shumë se gjithçka gjatë muajve në vijim, përmirësoni arsimin, sepse fëmijeve tanë u duhet përkrahje e specifikuar gjatë kësaj periudhe në mënyrë që të mos mbesin analfabetë, përmirësoni ndarjen e barabartë të buxhetit në të gjitha rajonet dhe jepuni fund ndasive të thella sociale.

Bëni këto dhe do të keni sukses të garantuar në të gjitha zgjedhjet. Por nëse edhe tani, me 33 deputetë shqiptarë në Kuvend nuk i mbyllni një herë e përgjithmonë të gjitha çështjet e hapura etnike, atëherë ju lutemi sinqerisht, që në zgjedhjet e rradhës të mos na lodhni sërish me premtime patriotike sepse nëse tani nuk e kapitalizoni këtë mundësi që ju është dhënë, atëherë çdo premtim i juaji i rradhës i kësaj natyre do të mbetet thjesht një demagogji me qëllim specifik dhe afatshkurtër, atë të mbledhjes së votave për të ardhur në pushtet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button