Ish gjykatësi Pançevski nuk e kupton akuzën pasi e ka pranuar derisa është në paraburgim

I akuzuari Vlladimir Pançevski në seancën e sotme gjyqësore për keqpërdorimet sistemit për shpërndarje elektronike të lëndëve gjyqësore – AKMIS derisa ka qenë në krye të Gjykatës Penale, u deklarua se nuk e kupton akuzën për të cilën ngarkohet. Për atë, seanca e sotme u ndalua, vazhdimi është paralajmëruar për të hënën në ora 10 në Gjykatën Themelore të Velesit, ai është kthyer në Burgun e Shutkës, ku mbahet në paraburgim, njofton Portalb.mk.

Ai nuk do të gjykohet për veprën penale “keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare”. Prokurorja Cvetanka Bogoevska në prezantimin e akuzës tha se i akuzuari si person zyrtar – kryetar i Gjykatës Themelore Shkupi 1, ka kryer disa veprime të veprës penale, me tejkalim të kufijve të autorizimeve zyrtare.

“I akuzuari më rëndë i ka shkelur të drejtat e të tjerëve për qasje të barabartë”, tha Bogoevska.

Ajo i ka numëruar mbi 40 lëndë më së shumti të Prokurorisë për Krim të Organizuar, në periudhën prej 2013-të deri në vitin 2014-të, të cilat me kërkesë të Pançevskit janë shpërndarë te gjykatësit Ivica Stefanovski, Dijana Grujovska, Ognen Stavrev, Pavlina Hristova, Goran Boshevski dhe të tjerë, të cilët me vetëdije i kanë marrë dhe i kanë vazhduar lëndët e dhëna në duar nga kryetari.

Dy lëndë, lidhur me bisedat e përgjuara dhe me ish Prokurorinë Speciale, me kërkesë të Pançevskit janë dhënë te gjykatëset Liljana Petrovska dhe Tatjana Mihajllova.

Në vazhdimin e diskutimit kryesor, i pyetur nga gjykatësja Valentina Gjorgjievska nëse e kupton akuzën, i akuzuari tha se nuk e kupton.

“Akuzën e mora derisa jam në paraburgim. Nuk e kuptoj pse jam i akuzuar, nuk i kam provat që i ka Prokuroria Publike. Citohen nene të shumë ligjeve, të cilët nuk mundem t’i gjej pasi që jam në paraburgim. Më tej, lëndët të cilët citohen janë përpara gjashtë-shtatë viteve”, tha Pançevski.

Paraprakisht ai tha se më 15 korrik vetë është paraqitur në Burgun e Shutkës, në sektorin e paraburgimit, pasi që në opinion ka marrë vesh se ka paraburgim dhe është shpallur fletëarrest. Ajo ka qenë pas 10 korrikut, kur i është caktuar paraburgim nga ana e Gjykatës së Velesit, pasi që ka qenë vikend, ai nuk ka qenë në shtëpi. Mbrojtësi i tij avokat Petro Janura, ka reaguar se për të akuzuarin nuk ka vendim të plotfuqishëm për shkarkimin nga funksioni gjyqtar.

Por, Gjykata Supreme sot e ka hedhur poshtë edhe këtë tentim për ta zvarritur procedurën kundër Pançevskit.

“Këshilli për vendim për ankesa në Gjykatën Supreme të RMV-së ka diskutuar për ankesën e Vlladimir Pançevskit, gjykatës në Gjykatën penale të Shkupit të dorëzuar kundër vendimit të Këshillit Gjyqësor. Në seancën e mbajtur më 26.06.2020 Këshilli e ka refuzuar ankesën si të pabazë, ndërkaq e ka konfirmuar vendimin e Këshillit Gjyqësor”, kumtoi gjykata më e lartë.

“Pamë shkelje të të drejtave të njeriut, të akuzuarit Pançevski. Kërkojmë shfuqizim të paraburgimit për të, pasi që nuk ka prova materiale se vendimi i Gjykatës Supreme, pas ankesës së Pançevskit me të cilën ai është shkarkuar nga funksioni gjykatës. Pasi që vendim i tillë nuk ekziston ose nuk është në lëndë, ai ende ka imunitet dhe nuk mundet t’i shqiptohet paraburgim, pa vendim të Këshillit Gjyqësor”, tha Janura.

Në pyetje gazetareske nëse kolegët e tij nga ekipi i avokatëve të Pançevskit, të cilët paraprakisht kanë punuar me atë (pasi Janura është më vonë i kyçur) se pse janë shmangur që ta marrin vendimin e Gjykatës Supreme, ashtu siç janë shmangur t’i marrin ftesat për gjykim në Gjykatën e Velesit, Janura e mohoi një gjë të tillë dhe menjëherë u largua.

Pançevski është i akuzuar për keqpërdorim të sistemit AKMIS, gjegjësisht se ka ndikuar në shpërndarjen e rreth 50 lëndëve në Gjykatën Penale të Shkupit, gjegjësisht në vend që lëndët në shpërndahen në mënyrë kompjuterike, ai ua ka dhënë në mënyrë manuale.

Pasi që seancën e fundit më 10 korrik nuk u paraqit në gjykim, Pançevskit iu caktua masë paraburgimi. Për të u shpall fletëarrest, pasi që disa ditë me radhë nuk ishte i kapshëm për policinë. Në fund, ai vetë është paraqitur në Burgun e Shutkës.

Pançevski u pezullua nga puna për kryerjen joprofesionale dhe të pandërgjegjshme të funksionit të gjykatësit. Prokuroria ka ngritur akuzë kundër Pançevskit, për kurdisje të lëndëve te gjyqtarët e përshtatshëm derisa ishte në krye të Gjykatës së Shkupit. Sipas Prokurorisë, ai ua ka ndarë në dorë lëndët gjyqësore gjyqtarëve të përzgjedhur, duke e anashkaluar sistemin për shpërndarje elektronike AKMIS. Përveç rasteve të Prokurorisë së rregullt, Pançevski ka ndarë me dorë edhe lëndë të cilat i ka drejtuar Prokuroria Speciale.

Akuza ndaj Pançevskit u ngrit pasi që në fund të vitit 2017-të Ministria e Drejtësisë e publikoi raportin që doli nga kontrolli i sistemit AKMIS. Pas kontrollit të bërë në Gjykatën Themelore Shkupi 1 plani vjetor për menaxhim me lëndët gjyqësore është sjellë më vitin 2013 dhe për të njëjtin nuk është formuar trup punues, gjë e cila nënkupton se lëndët janë ndarë në mënyrë manuale. Edhe orari i punës në këtë gjykatë nuk ka qenë stabil, vetëm gjatë shtatorit të 2017-s i njëjti është ndryshuar tre herë.

Për manipulimin e sistemit u shkruajt edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), të cilët i theksuan me emër dhe mbiemër kryetarët e Gjykatës Themelore të Shkupit dhe asaj Supreme, si të përfshirë në skandalin me AKMIS.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button