NDJENJA PËR GJUHËN DHE ÇËSHTJEN KOMBËTARE

“Parashtresë mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” është njëra prej sprovave më interesante të shkruara nga pena e mprehtë e Faik Konicës. Fjala është për një shkrim të  porositur nga Austro-Hungaria, e cila kishte nevojë për informacion të dorës së parë lidhur me çështjen shqiptare, të shtrembëruar keq nga propagandat e pushtuesve dhe lakmitarëve të trojeve tona. Këtë e kuptojmë nga letra e 22 shkurtit 1899, të cilën Konica ia dërgon Baronit Goluchovski: Ky kujtim që po ju bashkangjes këtu, ka gjithsejt 84 faqe që përbëjnë një volum të vogël. Pa dyshim është pak i gjatë nga ajo që kërkon Shkëlqesia Juaj. Mirëpo kjo çështje përmban një material kaq të madh, saqë nuk ishte e mundur t’i bija akoma më shkurt…

Po ç’është në të vërtetë kujtimi që shkroi Konica në gjuhën frënge me kërkesë të Ministrisë së jashtme të Austro-Hungarisë, superfuqisë së kohës tek e cila Ai e kishte gjetur atë krahun e nonjë Shtetit të shëndoshë dhe të math qi të mos na dojë të ligën?

Është njëra ndër esetë më të plota mbi pothuajse të gjitha segmentet me interes për Shqipërinë e për shqiptarët. Studimi është përplot informacione të dorës së parë, përplot të dhëna të rralla për kohën – një enciklopedi e vogël shqiptare e hartuar prej njërit prej krijuesve më eruditë të kohës së tij.

Eseja mund të konceptohet dhe si kronikë mbi çështjet e rëndësishme shqiptare, si: gjuha, religjioni, letërsia, kultura… Ajo ka pesë pjesë: E para shkon deri në vitin 1877, e dyta nga 1877 deri në vitin 1885, e treta nga 1885 deri në vitin 1895, e katërta nga 1895 deri në vitin 1899, kurse e pesta përmbledh një listë alfabetike të shqiptarëve që, drejtpërdrejt, tërthorazi ose kundër, përzihen në këtë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Kjo pra është struktura e parashtresës së enciklopedistit tonë, që nis me përpjekjet e para të shqiptarëve për ta njohur e kultivuar gjuhën e tyre të shkruar, me kontributin e albanologëve të huaj, me pengesat dhe ndalesat që i bënte gjuhës sonë patriku grek në bashkëpunim me turqit.

Në pjesën e dytë të studimit Konica flet për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të udhëhequr nga Abdyl Frashëri; përpjekjet dhe kontributet e personaliteteve si Hasan Tahsini, Anastas Kullurioti, Nikolla Naço dhe atdhetarët e tjerë; rolin e medieve të kohës, si: Zëri i Shqipërisë, i botuar shqip e greqisht nga Kullurioti, gjatë viteve 1879-1880 dhe Drita e Bukureshtit, e udhëhequr nga Nikolla Naço.

Pjesa e tretë hedh dritë mbi shkollat e para shqipe të Korçës, Pogradecit e Starovës, rolin e tyre në zgjimin përfundimtar të vetëdijes kombëtare dhe antagonizmat brendashqiptare rreth një alfabeti të përbashkët.

Kapitulli i katërt shpalon të vërtetën mbi propagandën inekzistente të shqiptarëve të diasporës, të cilët kishin koncept shumë të rrudhur rajonal të çështjes kombëtare; mbi antagonizmat ndërfetare; propagandat greko-sllave; pengesat që i bëheshin revistës Albania, që të mos përhapej atje ku duhej; polemikat e bëra në mediet e kohës etj.

Pjesa e pestë, siç u tha më lart, është tabela alfabetike e patriotëve ose e të ashtuquajturve patriotë, ku gjejmë të dhëna intgeresante mbi shumë figura të njohura të Shqipërisë së kohës së Konicës.

Parë në tërësinë e saj, parashtresa është vepër që plotëson gjërat që kishin mbetur pa u thënë në esetë paraprake të Konicës mbi Shqipërinë, në veçanti mbi ndjenjën e shqiptarëve për gjuhën e tyre të lashtë dhe rolin e saj në zgjimin e vetëdijes kombëtare.

Po sjellim në vijim ca fragmente që lidhen pikërisht me këtë çështje:

I

“Deri më 1877 shumë pakë shqiptarë kishin ide se gjuha e tyre mund dhe duhej të shkruhej. Në Shqipërinë e Veriut, sidomos në Shkodër, disa tregtarë komunikimin ndërmjet tyre e bënin në gjuhën shqipe, propaganda e Romës kishte botuar disa libra fetarë në gjuhën shqipe. Mirëpo kjo përpjekje nuk e kapërceu këtë terren të ngushtë dhe as që lidhej me asnjë ide kombëtare.

Në Shqipërinë e Jugut një përpjekje e tillë pati më shumë sukses. Më 1827 u botuan në Korfuz katër ungjijtë në gjuhën shqipe, por me gërma greke. Ky libër brenda një kohë të shkurtër u përhap në të gjitha shtëpitë e kristianëve. Megjithëse botimi i parë u bë në disa mijëra copë, u bë edhe një botim i dytë më 1858 në Athinë”.

II

“Po në këtë kohë, një shqiptar me origjinë nga Vithkuqi (Buthkuki), pranë Korçës, i quajtur Naum Veqilharxhi, botoi në Bukuresht një alfabet shqip; kur u kthye në Shqipëri kishte ndër mend ta vazhdonte në praktikë këtë përpjekje të tij, duke krijuar disa shkolla dhe duke përhapur shijen e gjuhës amtare. Por pasi u denoncua nga autoritetet kishtare, atë e helmuan me urdhër të Patriarkut të Konstandinopolit”.

III

“Një rrethanë tjetër ka qenë më e favorshme për gjuhën shqipe. Rreth mesit të shekullit, G. Hahn, konsull i Austrisë në Janinë, duke dashur të mësojë gjuhën shqipe, mori dy profesorë, njërin të quajtur Apostol, me profesion mjek dhe tjetrin të quajtur Kristoforidhi. Pastaj filloi të shëtisë gjithë vendin për të mbledhur këngë dhe tregime popullore. Pikërisht ky interesim që kishte një i huaj për gjuhën e tyre amtare, bëri përshtypje mbi disa shqiptarë, të cilët u vunë të lëvronin gjuhën kombëtare”.

IV

“Në fakt, njëri prej dy profesorëve të Hahnit, Kristoforidhi, filloi të mbledhë të gjitha fjalët e gjuhës shqipe, për të hartuar një fjalor të madh. Më 1871, u angazhua nga Shoqëria Biblike e Londrës dhe pas një viti ai botoi një alfabet, një gramatikë, një shkurtim të historisë së shenjtë etj.

Patriarku grek mundohej të gjente rastin për të çrrënjosur përgjithmonë nga zemra e shqiptarëve ortodoksë gjuhën shqipe dhe e gjeti. Ai urdhëroi që të predokohej të dielave, në të gjitha kishat, se gjuha shqipe ishte gjuha e protestantëve, e katolokëve (framasonëve) dhe e ateistëve (pasi për ortodoksët këto katër terma janë njësi të njëjta), për këtë arsye duhet të ruheshin dhe të mos përkisnin asnjë nga librat shqip që kishin filluar të shpërndaheshin. Që nga kjo kohë fillon urrejtja e shurdhër dhe e paçrrënjosur që ushqenin disa shqiptarë ortodoksë (që janë, pa dyshim, fraksioni më fanatik, më kokëfort dhe më pak inteligjent i Shqipërisë), për gjuhën amtare.

Pra, në këtë pikëpamje librat e Kristoforidhit bënë shumë keq. Morëpo nga ana tjetër mjaft shqiptarë myslimanë i blenin këto libra me dëshirë të madhe. Unë kam parë mjaft në duart e shumë shqiptarëve në Shqipërinë e Jugut. Megjithatë edhe sikur të mos ishte paraqitur ky rast (librat e Kristoforidhit), patriarkati do të kërkonte e do të gjente një rast tjetër”.

V

„Një ndikim të ngjashëm me atë të hahnit ka ushtruar edhe A. Dozoni, konsull i Francës. Asgjë nuk i çudiste më tepër shqiptarët, të cilët shkonin tek ai dhe shikonin këtë të huaj të shkruante gjuhën e tyre kombëtare”.

VI

„Pra, mund të themi se deri më 1877 ndjenja e gjuhës kombëtare ekzistonte vetëm në embrion dhe sidomos në mes të disa shtresave të shquara. Me gjithë kryengritjet e ndryshme dhe sidomos ajo e vitit 1830 kundër Tanzimatit dhe ato të vitit 1854 dhe 1863 kundër shërbimit ushtarak të detyruar, kryengritje këto që sinonin njëfarë autonomie, çështja kombëtare nuk ishte shtruar në mënyrë serioze. Duhej të arrinim 1888-ën që të shtrohej përsëri ky problem”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button