Maqedonia e Veriut do të përfitojë fonde nga BE, por do të duhet të tregojë angazhim të madh

Maqedonia e Veriut mund të llogarisë në pothuajse 3 miliardë euro ndihma direkte nga buxheti i ri i miratuar nga BE, në shtatë vitet e ardhshme. Këto ndihma dhe resurse financiare do të jenë për projektet në fushën e transportit dhe infrastrukturës, bujqësisë dhe mjedisit, zhvillimit ekonomik, reformave në drejtësi dhe sundim të ligjit dhe fusha të tjera të rëndësishme. Mirëpo, se sa ka kapacitet ka shteti ynë për projekte të vlefshme që do të mund të marrin fondet e këtilla, studiuesit e çështjeve ekonomike thonë se resurset njerëzore të institucioneve të vendit duhet të shfrytëzojnë kapacitetet për këtë mundësi, shkruan Portalb.mk.

“Vendimi i BE-së për ndarjen e një pjese të buxhetit për vendet kandidate të BE-së ka një rëndësi të veçantë për ne dhe shkon në favor të konfirmimit të vullnetit politik të vendit tonë për të filluar negociatat e anëtarësimit. Vendimi i buxhetit ishte një nga vendimet më të vështira të liderëve evropianë. Ballafaqimi me pandeminë kërkon vendime të guximshme dhe strategjike për të shpenzuar fondet e qytetarëve të BE-së. Kemi folur për vite me radhë për nevojën që Maqedonia të përmirësojë kapacitetet e saj absorbuese për administrimin e fondeve evropiane dhe kjo periudhë do të jetë një provë e vërtetë për ne. Megjithë përpjekjet e mëdha për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore, sfidë është  gjithashtu edhe për anëtarët e tjerë”, tha për Portalb.mk, Ivana Petrovska nga Shoqata Evropiane për Demokracinë Lokale- Shkup.

Në kohë krize, sipas Petrovskës, ne duhet të tregojmë angazhim të madh, organizim dhe inovacion në zgjidhje për t’u marrë me krizën dhe inkurajuar zhvillimin ekonomik. Maqedonia është një vend i vogël dhe kështu burimet tona njerëzore janë të kufizuara. Mundësia e vetme për përdorimin e duhur të të gjitha mundësive dhe krijimin e kushteve për projekte krijuese dhe të qëndrueshme është veprimi i përbashkët i kapaciteteve që kemi në të gjithë sektorët: institucionet shtetërore, komunat, organizatat e shoqërisë civile, sektori i biznesit, etj. Me bashkëpunim ndërsektorial mund të arrijmë në projekte që do të arrijnë në këto fonde të BE-së, përfundoi Petrovska.

Edhe pse RMV, më herët ka thithur fonde prej BE-së për projekte në sfera të ndryshme, ato mezi janë realizuar, por edhe kanë dështuar, sipas profesorit universitar, Mislim Zendelit, sepse nuk ka pasur kapacitete edhe njerëzore për realizimin e projekteve ku edhe janë financuar nga BE-ja.

“Shteti ynë nuk besoj se ka infrastrukturë thithëse të fondeve në përgjithësi. Këtë e ka dëshmuar edhe përvoja e hidhur dhe përqindja jashtëzakonisht e vogël e thithjes së parave nga fondet nga projektet e ofruara nga BE edhe në të kaluarën. Kapacitetet tona njerëzore janë të mangëta për të bërë një hap të nevojshëm në këtë drejtim. Andaj Bashkimi Evropian fillimisht duhet investuar në burime njerëzore, të cilat më pastaj do të jepnin efektin e kërkuar, tha për Portalb.mk, Mislim Zendeli, profesor universitar.

Rreth 3 miliardë euro pritet që Bashkimi Evropian t’i ndajë RMV-së nga buxheti i saj si ndihma direkte, në shtatë vitet e ardhshme, këtë informacion, pas bisedimeve të gjata në kushte të një pandemie globale (Kovid-19), e kanë dhënë udhëheqësit evropianë në Bruksel. Përveç buxhetit, ata janë dakorduar për të shpërndarë Fondin e Rimëkëmbjes të BE-së në formën e granteve prej 312.5 miliardë eurove dhe 360 ​​miliardë euro kredi. Ku këto fonde për rimëkëmbjen e ekonomive të shteteve të BE-së (dhe shtetet para anëtarësimit) nga Kovid-19 do të shpenzohen përmes Mekanizmit të ri të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (MRR) dhe do të ndihmojnë vendet për të shpëtuar ekonomitë e tyre në krizën të shkaktuar nga pandemia Kovid-19,

Ndryshe nga Kuvendi i RMV-së thuhet që  nga 30 tetor 2007 janë nënshkruar Marrëveshje financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Komisionit të Bashkësive Evropiane për Programin nacional për vitin 2007 në kuadër të instrumentit për ndihmë paraaderuese  (IPA) dhe Marrëveshja kornizë ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Bashkësive Evropiane për rregullat për bashkëpunim lidhur me ndihmën financiare. Republika e Maqedonisë është vendi i parë në rajon projektet e të cilit janë miratuar nga Komisioni Evropian dhe vendi i parë në rajon i cili e ka nënshkruar Marrëveshjen financiare me të cilën mundësohet shfrytëzimi i mjeteve nga fondet IPA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button