Komuna e Çairit nuk e ka gjetur akoma pronarin e objektit pa leje në QT “Mavrovasja”, rrënimi nuk pritet të ndodhë së shpejti

Komuna e Çairit tash më 13 ditë nuk ka arritur të konstatojë se kush është pronari që qëndron pas ndërtimit të objektit ilegal para QT “Mavrovasja”, ndërsa procedurat ligjore për rrënimin e tij, do të zgjasin të paktën edhe për një muaj e gjysmë, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i kësaj komune, Visar Ganiu, në konferencën e mbajtur për media sot, tha se inspektorët e autorizuar të komunës janë vazhdimisht në terren dhe ndjekin situatën. Por edhe përkundër kësaj, ata nuk kanë pasur sukses që të hasin në pronarin dhe Ganiu shpreson që ai të paraqitet vet dhe të respektojë vendimin, duke u arsyetuar se inspektorët nuk e kanë për detyrë që të kërkojnë dhe identifikojnë persona.

Aktvendimi për largimin e objektin nga ana e inspektorëve është lëshuar më 10 korrik, megjithatë gjatë kontrolleve të kryera dhe tentimeve për ta dorëzuar aktvendimin, inspektorët kanë takuar në objekt vetëm punëtorët, të cilët nuk kanë marrë përgjegjësi për ta pranuar aktvendimin. Në këtë mënyrë, komuna është detyruar që të ndjek procedura të tjera ligjore.

“Më 10 korrik 2020, inspektori i autorizuar i ndërtimit ka lëshuar edhe aktvendim me të cilin kërkohet largimi i këtij objekti dhe akti i veprimit shënon 8 ditë nga pranimi i të njëjtit nga ana e realizuesit të punimeve apo investitorit. Mirëpo, ajo që vlen të theksohet është që gjatë inspektimit askush nga personat e pranishëm në vend ngjarje nuk ka pranuar përgjegjësinë për zhvillimin e punimeve si investitor dhe për këtë arsye aktvendimi i drejtohet personit të panjohur. Duke iu përmbajtur procedurës për dorëzim të aktit, në këtë rast kur personi është i panjohur, ne e bëjmë dorëzimin e të njëjtës përmes shpalljes publike, procedurë e cila është ende në rrjedhojë e sipër. Pas ndërmarrjes së masave konform kompetencave ligjore, si komunë 14.07.2020 kemi pranuar njoftim nga MPB, në të cilin thuhet gjithashtu se nga inspektimi në vend ngjarje është konstatuar se pronari i objektit nuk ka proceduar leje ndërtim dhe nga ana e komunës kanë kërkuar të ndërmerren masa”, deklaroi Ganiu.

Duke filluar nga dita e nesërme, në afat brenda tetë ditësh, investitori është i obliguar që të largojë objektin e ndërtuar pa leje dhe mundësia e tij ligjore për të ardhmen është që t’i parashtrojë kërkesë komunës, për të kthyer objektin në gjendjen e mëparshme. Në rast se pronari nuk paraqitet, siç shpreson kryetari i komunës, atëherë duhet të shpallet tender i cili zgjat afërsisht 40 ditë dhe më pas objekti të rrënohet, ndërsa harxhimet do të mbesin në barrë të komunës.

“Pronari në afat prej tetë ditësh duhet ta rrënojë vetë objektin, nëse nuk e bën këtë atëherë komuna do të marrë masa. Besoj se nga dita e hënë komuna do të shpallë tenderin apo shpalljen publike për rrënime të objektit, për shkak se për momentin e ka të skaduar. Procedura në tërësi, me ankesa me të gjitha që i presim, do të thotë 40 ditë.  Komuna do të shpallë. Harxhimet e rrënimit duhet t’i mbulojë pronari, por në rast se ai nuk paraqitet atëherë harxhimet do të mbesin në barrë të komunës. Inspektorët janë vazhdimisht në terren dhe në momentin që do të vërejnë punime do t’i ndërpresin ato”, sqaroi Ganiu.

Në lidhje me këtë rast,  Ministria e Punëve të Brendshme  ka ndërmarrë aktivitete për të konfirmuar nëse ka elemente të veprës penale dhe për këto aktivitete ka informuar Prokurorinë Publike.

Objekti në fjalë po ndërtohet në lokacion ku ka qenë i pozicionuar më herët lokali “Fontana”, i cili muaj më parë u përfshi nga zjarri. Zjarri përfshiu gjithçka duke lënë vetëm skeletin e strukturës metalike të lokalit afër përmendores së Hasan Prishtinës.

LEXO: Komuna e Çairit thotë se “personi i panjohur” ndërton objekt ilegal në QT “Mavrovasja”, vendimi për rrënim duhet të kalojë disa procedura

LEXO: Zjarri e ka kapluar një kafiteri në Q.T. Mavrovasja (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button