RMV, mbetet e paqartë se kush me kë do të formojë Qeveri, partitë shqiptare presin certifikimin e rezultateve më pas do të shqyrtojnë mundësitë

Kanë kaluar një javë nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe akoma nuk është bërë e qartë për opinionin se si do të duket qeveria e ardhshme që do të udhëheq me pushtetin ekzekutiv në 4 vitet e ardhshme. Zgjedhjet e 15 korrikut nxorën partitë e bllokut maqedonas me rezultat të ngushtë, me vetëm dy mandate dallim, ndërkohë që për herë të parë, blloku i partive shqiptare numëron 32 mandate. Kjo gjë ka vështirësuar mundësitë për të parashikuar se cili do jetë koalicioni i ardhshëm qeveritar dhe negociatat për një gjë të tillë, të paktën zyrtarisht, nuk kanë filluar akoma, shkruan Portalb.mk.

Partia LSDM, pas publikimit të rezultateve preliminare të KSHZ-së, tha se mandatari dhe kryeministri i ardhshëm i Qeverisë do të jetë Zoran Zaev. Ata informuan se bisedimet për formimin e qeverisë së ardhshme do të bëhen pas festës së 2 gushtit, ndërkaq deri atëherë lideri i porosisë do të pushojë.

“Kryetari Zaev do të shfrytëzojë disa ditë nga pushimi vjetor të cilat do t’i kalojë në shtet. Duke e pasur parasysh periudhën e kaluar me krizën e koronës dhe fushatën parazgjedhore, LSDM përkushtohet që këto ditë dhe deri në dhe rreth Ilindenit qytetarët të munden të marrin frymë nga aktivitetet politike të partive. Pas Ilindenit, në pajtueshmëri me afatet ligjore, hyjmë në një proces të definimit të koalicionit qeveritar të udhëhequr nga LSDM”, kanë thënë nga LSDM.

Ndërkohë, partitë shqiptare presin certifikimin e rezultateve zgjedhore për të shqyrtuar bashkëpunimet e ardhshme për Qeveri.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti edhe pas zgjedhjeve, ka vazhduar të qëndroj pas idesë për kryeministër shqiptar. Ai mbrëmë gjatë një emisionin në Report Tv, tha se mund të bëjë koalicion për qeverinë e re edhe me partinë e ish kryeministrit Gruevski nëse pranon kushtin e vendosur nga BDI për kryeministër shqiptar. Ahmeti tha se nuk tërhiqet nga kushti që qeverinë këtë herë ta drejtojnë shqiptarët pasi i kanë treguar vlerat e tyre në 20 vite qeverisje në situata të vështira.

“Sigurisht që ne nuk kemi dalë të bëjmë shaka me elektoratin tone dhe me shqiptarë, kërkesa jonë është serioze dhe dua të dëgjojë kundërshtarët pse nuk i pranon këtë gjë. A do bashkëpunonim me VMRO/DPMNE? Përpara nesh i kemi të gjitha opsionet që jemi duke punuar dhe analizuar. Në 20 vite kemi punuar dhe bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar dhe kemi menaxhuar situata më të vështira dhe miqtë qe kemi krijuar nuk më duhen mua por i duhen shtetit për një zgjidhje sa më të mirë për kohën. Përpjekje për rikthimin VMRO/DPMNE ka por ne do të marrim qëndrimin e duhur në interes të vendit dhe të qytetarëve. ka lëvizje po jo lëvizje të cilat jemi ende duke bërë vlerësime dhe duke analizuar dhe duke u menduare konsulta e sipër, kemi një përvojë 20 vjeçare dhe ne kurrë nuk duam që vendit t’i  vijë e keqe, por kërkojmë politika të qëndrueshme dhe dobiprurëse për stabilitetin e vendit”, tha Ahmeti.

Kreu i BDI, Ahmeti tha gjithashtu se ka kontaktuar me partitë e tjera shqiptare për tu takuar  dhe disa kanë shprehur gatishmërinë e tyre.

Megjithatë, koalicioni “Tash është koha”, që përbëhet nga dy partitë shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, nuk ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me partinë e Ali Ahmeti.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka deklaruar për Portalb.mk se tani për tani, po presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe më pas do të shqyrtojnë mundësitë për koalicione qeveritare.

“Po e presim përfundimin e ankesave, ne kemi dorëzuar ankesa te organet kompetente. Ende nuk kemi shqyrtuar mundësinë për koalicion me ndonjë parti tjetër. Jemi në komunikim me të gjitha partitë, përpos BDI-së”, ka deklaruar Taravari.

Edhe Zeqirja Ibrahimi nga Alternativa, është shprehur në një vijë sa i përket kësaj çështje. Ai ka deklaruar për Portalb.mk. se për çështjen e bashkëpunimit, do të diskutohet pas konstituimit të Kuvendit dhe pasi që partia fituese e zgjedhjeve të marrë mandatin për të formuar qeveri.

“Duhet të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, të konstituohet Kuvendi dhe të merret mandati. Në kohën që e merr mandati, në këtë rast sipas numrave i bie që ta marrë Zaevi, atëherë i bie që të flasim se kush si mund të marrë pjesë, ndërsa për pjesën tjetër a është mirë të marrim pjesë me BDI-në, e kam thënë edhe më herët që BDI është mirë të shkoje në opozitë sepse është për të mirën e saj”, deklaroi Ibrahimi.

Sipas rezultateve fillestare që dje i publikoi KSHZ, LSDM ka fituar 46 mandate, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, Levica (E Majta) 2 dhe PDSH 1.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve unanimisht i hodhi poshtë të gjitha 2.142 ankesat e parashtruara nga partitë politike në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve. Partitë kanë të drejtë që të dorëzojnë padi në Gjykatën Administrative. Pas vendimit të Gjykatës Administrative dhe marrjes së vendimeve të mundshme nga Gjykata Kushtetuese për mbrojtjen e së drejtës së votës, KSHZ, në përputhje me ligjin, do të shpallë rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. KSHZ më pas do të lëshojë vërtetime për deputetët e zgjedhur. Afati i fundit për mbajtjen e seancës konstitutive të Kuvendit është 4 gushti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button