Trump i riktheu konferencat për koronavirusin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pranoi se SHBA-ja është duke përjetuar një “hov të madh” të rasteve me koronavirus.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i të infektuareve në SHBA ka arritur në mbi 3.8 milionë, ndërsa i viktimave në gati 141,000, transmeton REL.

Trump tha se do t’i rikthejë konferencat e përditshme për media të task-forcës së Shtëpisë së Bardhë “për t’i dhënë informacione publikut”, nisur nga sot.

Ai po ashtu duket se ndryshoi qëndrimin ndaj veshjes së maskës, të cilën ka refuzuar ta miratojë si masë.

Meqenëse nuk ka ende trajtim efektiv të koronavirusit, maskat shihen si një nga opsionet e pakta në dispozicion, që ndihmojnë në luftimin e përhapjes së virusit.

Trump postoi në Twitter një fotografi të vetes së tij me maskë dhe shkroi:

“Ne jemi të bashkuar në përpjekjen tonë për të mposhtur virusin e padukshëm të Kinës dhe shumë njerëz thonë se është patriotike të vishni maskë kur nuk mund të keni distancë sociale”.

“Askush nuk është më patriot se unë, presidenti juaj i preferuar”, tha Trump.

Ai i bëri këto komente pasi shteti i Floridës raportoi të hënën për mbi 10,000 raste të reja me koronavirus, për të gjashtën ditë me radhë.

Trump pritet ta udhëheqë konferencën e përditshme për media, që do të transmetohet në televizione në orën 17:00, sipas kohës lokale.

Task-forca, e udhëhequr nga nënpresidenti amerikan, Mike Pence, e ka informuar publikun çdo ditë në mars dhe në prill, por Trump i ka pezulluar konferencat për shkak të kritikave se nganjëherë jepnin informacione konfuze.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button