fbpx

Thaçi: Unë nuk isha i përkryer, por gjithmonë jam munduar ta bëj më të mirën për atdheun

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në fjalimin e mbajtur sonte rreth intervistimit nga Gjykata Speciale për aktakuzën ndaj tij, ka thënë se për shkaqe etike e ligjore nuk mund të japë shumë detaje, por gjithsesi tha se ka vendosur të ndajë me opinionin disa gjëra.

“Tri gjëra dua t’ju them duke kërkuar mirëkuptimin tuaj njerëzor që të mos hyj në detaje të këtyre ballafaqimeve”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka thënë se ky proces i Specialës është në vazhdën e akuzave për 21 vjet për luftëtarët e lirisë.

“Ky proces i radhës është në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet. Por, ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik. Këto përbuzje etnike, maltretimi i shqiptarëve qysh në barkun e nënës, sjelljet gjenocidale kundër popullit me të drejtë historike mbi këtë tokë, represioni i kulmuar me spastrim etnik deri në përmasat gjenocidale do të jetë një prej faqeve më të errëta të së shkuarës, që kurrë më nuk do të mund të rikthehet”, ka thënë Thaçi.

Thaçi tha se pati fatin dhe nderin që të ketë rol në luftën drejt pavarësisë së Kosovës.

“Unë që pata fatin dhe nderin të kem rol në luftën dhe në rrugën e pavarësisë e të shtetformimit të Kosovës, ndjehem sot edhe më i bindur, edhe më i vendosur sesa përpara këtij ballafaqimi për vlerën e madhe që ka mundimi dhe sakrifica personale për ta çuar deri në fund zbardhjen e kësaj historie 22 vjeçare. Një histori e mbushur me lëndime të shkaktuara nga akuzat kundër meje dhe kundër luftës sonë të përbashkët me SHBA-në, me NATO-n, me shtetet e Bashkimit Evropian dhe shtetet mike të tjera, për çlirimin e popullit të Kosovës nga diktatura fashiste e Sllobodan Millosheviqit dhe e shtetit të Serbisë”, tha ai.

Fjalimi i plotë i presidentit Thaçi

Të dashur bashkëkombës dhe bashkëqytetarë të mi,

Motra dhe vëllezër të një gjuhe kudo që jeni, të çdo gjuhe dhe etnie këtu në Kosovë,

Miq të nderuar, ju që i shërbeni shteteve mike në Prishtinë,

Dhe, të nderuar partnerë të çmuar ndërkombëtarë,

Gjatë kësaj jave, për katër ditë rresht, kam kryer detyrimin tim qytetar dhe institucional për t’u paraqitur para prokurorëve në Dhomat e Specializuara në Hagë.

I kam përfunduar rreth 30 orë ballafaqim me trupën e organit të akuzës, ku jam njohur me të gjitha pretendimet e tyre dhe u kam dhënë përgjigje pyetjeve të tyre.

Kam respekt të plotë për procesin e zbardhjes, deri në fund, të së vërtetës dhe të rolit tim në luftën çlirimtare për liri dhe pavarësi.

Për shkaqe etike dhe të kufizimeve ligjore nuk mund të hyj në detaje konkrete të këtij ballafaqimi. Por, nga ana tjetër nuk mund të mos ndaj asgjë me ju.

Jam i vetëdijshëm që të gjithë ju që më keni qëndruar afër me përkujdesje vëllazërore, me të drejtë mund t’i keni pikëpyetjet tuaja për pretendimet e Prokurorisë Speciale ndaj meje.

Të dashur qytetarë,

Tri gjëra dua t’ju them duke kërkuar mirëkuptimin tuaj njerëzor që të mos hyj në detaje të këtyre ballafaqimeve.

E para: siç e kam thënë edhe para se ta kapërceja pragun e gjykatës, historia e lavdishme e luftës çlirimtare dhe e shtetformimit të Kosovës së pavarur, demokratike dhe evropiane nuk mund të rishkruhet nga askush!

Sot ju them me bindje se ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush!

E dyta: ky proces i radhës është në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet.

Por, ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik.

Këto përbuzje etnike, maltretimi i shqiptarëve qysh në barkun e nënës, sjelljet gjenocidale kundër popullit me të drejtë historike mbi këtë tokë, represioni i kulmuar me spastrim etnik deri në përmasat gjenocidale do të jetë një prej faqeve më të errëta të së shkuarës, që kurrë më nuk do të mund të rikthehet.

Dhe e treta: unë që pata fatin dhe nderin të kem rol në luftën dhe në rrugën e pavarësisë e të shtetformimit të Kosovës, ndjehem sot edhe më i bindur, edhe më i vendosur sesa përpara këtij ballafaqimi për vlerën e madhe që ka mundimi dhe sakrifica personale për ta çuar deri në fund zbardhjen e kësaj historie 22 vjeçare.

Një histori e mbushur me lëndime të shkaktuara nga akuzat kundër meje dhe kundër luftës sonë të përbashkët me SHBA-në, me NATO-n, me shtetet e Bashkimit Evropian dhe shtetet mike të tjera, për çlirimin e popullit të Kosovës nga diktatura fashiste e Sllobodan Millosheviqit dhe e shtetit të Serbisë.

Të dashurit e mi,

Sonte dua të përsëris se për mua Kosova është gjithnjë e para.

Nëse për Kosovën isha gati të jap jetën kur isha një djalë i ri, sot që jam një prind me thinja nuk kam fare dyshim se detyra ime është ta mbroj Kosovën, duke mos lejuar që procesi ku më kanë përfshirë mua dhe bashkëluftëtarët e mi krejt padrejtësisht, të pengojë punët e mëdha që ka përpara Kosova.

Prandaj, duke ju falënderuar nga thellësia e zemrës për këtë respekt dhe solidaritet gjithëkombëtar, dua t’ju lus të gjithëve që ta vendosni Kosovën mbi dallimet politike partiake, mbi hatërmbetjet dhe pakënaqësitë e përditshme.

Kosova është një amanet që e kemi nga të parët tanë, nga rilindësit tanë, nga dëshmorët tanë, nga heronjtë tanë, nga Hasan Prishtina, Shota dhe Azemi, nga Adem Jashari, Adem Demaçi dhe Ibrahim Rugova, dhe qindra e mijëra të tjerë të cilët janë engjëjt mbrojtjes të kësaj toke.

Kosova është edhe vizion. Është edhe borxhi që ua kemi fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë.

Atyre që po rriten në këtë vend dhe atyre që do të lindin dhe jetojnë në këtë tokë që deshën të na e mohojnë, tokë të djegur dhe të përgjakur, ku ne të gjithë së bashku kemi detyrimin të ndërtojmë rrugën e bashkëjetesës demokratike dhe multietnike.

Kështu e forcojmë demokracinë, rrisim mirëqenien dhe ndërtojmë urat e paqes së qëndrueshme mes vete dhe fqinjëve tanë.

Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog të civilizuar mes forcave politike, për stabilitet institucional, për qeverisje të mirë dhe unitet qytetar e politik, veçanërisht në dialogun për njohjen e saj përfundimtare nga Serbia dhe nga krejt bota.

Kosova sot duhet ta kultivojë shumëllojshmërinë e mendimit dhe të jetojë me debatin e shëndetshëm mes Qeverisë dhe opozitës.

Por, njëkohësisht duhet t’i flasim botës me një zë dhe të zhvillojmë dialogun me Serbinë me një unitet shembullor çfarë e kishim në Rambuje, në Vjenë dhe në Bruksel.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Unë dje isha një luftëtar në shërbim të Kosovës, ndërsa ju më keni dhënë gjithçka.

Më keni besuar gjithçka që mund t’i jepet një njeriu në atdheun e tij, nga populli i tij!

Për ndërtimin e Kosovës së re, Kosovës evropiane, atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.

Përulem me respekt për besimin tuaj!

U jam mirënjohës përgjithmonë!

Unë nuk isha i përkryer, por gjithmonë jam munduar ta bëj më të mirën për atdheun tim dhe për juve.

Dua t’ju shtrëngoj dorën secilit nga ju, t’ju përqafoj të gjithëve dhe t’ju siguroj se do të dal me çdo qelizë time të pastër si loti në fund të këtij rrugëtimi që vazhdon me ju dhe për ju.

Ju faleminderit!

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close