fbpx

Ikona e lëvizjes për të drejtat civile ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare

John Lewis, lider i lëvizjes për të drejtat civile, që më pas u zgjodh edhe kongresist në SHBA, ka vdekur në moshën 80-vjeçare, transmeton REL.

Lewis ka qenë njëri prej liderëve kryesorë të lëvizjes për të drejtat civile, së bashku me Martin Luther King Jr. Ai po ashtu kishte ndihmuar në organizimin e marshit historik në Uashington më 1963.

Si kongresist ai ishte përfaqësues demokrat i Gjorgias dhe përfaqësonte një zonë që përfshinte kryeqytetin e këtij shteti, Atlantën.

Në dhjetor të vitit 2019, Lewis njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer në pankreas.

“Kam qenë në një lloj lufte – për liri, barazi dhe të drejta themelore të njeriut – për pothuajse gjithë jetën time. Kur nuk jam përballur me një luftë që po përballem tani”, kishte deklaruar ai atëbotë.

Gjatë lëvizjes për të drejtat civile, Lewis ishte njëri prej themeluesve të Komitetit koordinues jo të dhunshëm të studentëve (SNCC) dhe më pas u bë kryetar i këtij komiteti, post të cilin e mbajti nga viti 1963 deri më 1966.

Ai ishte bashkëorgizator dhe kishte mbajtur fjalim në marshin në Uashington për vende pune dhe liri, një tubim ku Dr.King kishte mbajtur fjalimin e tij historik “Unë kam një ëndërr”.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi konfirmoi vdekjen e Lewis përmes një deklarate të postuar në ueb-faqen e saj dhe në rrjetet sociale.

Ajo tha se Lewis “ishte një titan i lëvizjes për të drejtat civile, mirësia, besimi dhe trimëria e së cilit transformoi shtetin tonë”, duke shtuar se si kongresist, Lewis ishte “i nderuar dhe i dashur nga të dy partitë në Kapitol”.

“Çdo ditë e jetës së John Lewis ishte e dedikuar për të sjellë liri dhe drejtësi për të gjithë”, tha Pelosi.

Edhe ish-presidenti amerikan, Barack Obama foli për vdekjen e Lewis, pasi mori pjesë në një takim virtual me aktivistët që po kërkojnë drejtësi për vdekjen e George Floyd. Obama ta se Lewis nuk mund të ishte më krenar për përpjekjet “e gjeneratës së re, që kërkojnë liri dhe barazi”.

“Jo shumë prej nesh kanë fatin që të shohin se si trashëgimia jonë jetësohet në një mënyrë kaq domethënëse, të jashtëzakonshme. John Lewis e bëri këtë”, tha ai.

Vdekja e Lewis vjen në të njëjtin ditë kur në moshën 95 vjeçe ndërroi jetë edhe udhëheqësi i të drejtave civile CT Vivian.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close