fbpx

Presidenti shqiptar, Meta reagoi mbi nismën për ndryshimet kushtetuese

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka kundërshtuar ndryshimet kushtetuese të cilat kërkon t’i ndërmarrë Kuvendi i Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për mediat nga selia e Presidencës së Shqipërisë, presidenti Meta deklaroi se vendimi i mazhorancës për të ndryshuar Kushtetutën prish në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e 5 qershorit dhe e zeron këtë arritje të Shqipërisë.

“Kjo marrëveshje, sikurse e dini, u mbështet nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë dhe u përshëndet edhe nga sekretari amerikan i shtetit, (Mike) Pompeo dhe përfaqësuesit e BE-së (Josep) Borell dhe (Oliver) Varhelyi. Përmbyllja e reformës zgjedhore me gjithëpërfshirje dhe konsensus do të konsiderohej nga BE-ja si kushti i parë i përmbushur nga Shqiperia. Iniciativa e mazhorancës për të ndryshuar kushtetutën 10 ditë pasi ishte dakordësuar një marrëveshje dhe pa konsensusin e Këshillit Politik e prish në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e 5 qershorit dhe e zeron këtë arritje të Shqipërisë”, tha Meta.

Sipas tij, është e domosdoshme që palët politike t’i qëndrojnë besnike marrëveshjes, aq më tepër që janë investuar dhe partnerët ndërkombëtarët.

“Këto ndryshime kushtetuese janë në kundërshtim të plotë me parimet e vendosura nga Komisioni i Venecias si udhërrëfyesi i vetëm për vendet e Këshillit të Evropës për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Ndryshimet thelbësore duhet të nisin të paktën 1 vit para zgjedhjeve. Përse Kuvendi aktual nuk e ka legjitimitetin e plotë për ndryshimet kushtetuese. E theksoj në mënyrë të përsëritur se Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka legjitimitetin kushtetues për të realizuar këto ndryshime. Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë që kanë fituar mandatin nga procesi zgjedhor ku përfshin dhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan me të drejtë që të dorëhiqeshin nga largimi i deputetëve të opozitës”, u shpreh Meta.

Kujtojmë që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbështeti kërkesën e bërë nga opozita parlamentare, e mbështetur nga dy deputetë të mazhorancës për ndryshimin e sistemit zgjedhor, nga propocional rajonal në mazhoritar kombëtar dhe lista të hapura, por edhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.

Ndërkohë që Partia Demokratike dhe parti të tjera opozitare kërkojnë që ndryshimet kushtetuese për reformën zgjedhore të bëhën më konsensus.

Ndërkohë presidenti Meta në rrjetet sociale ke reaguar edhe për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, duke shkruar se: “Shumë urime Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet e lira, demokratike dhe konkurruese! Shumë urime partive shqiptare për përfaqësimin e lartë në Parlamentin e ri”

“Të bashkojmë përpjekjet për të ecur së bashku për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button