Demokraci në krizë: Evolucion përmes edukimit

Aleksandar Karatoso 200x250
Aleksandar Karatosho

Në qeverisjen që tekstualisht do të thotë sundimi i popullit, ndërsa nga ana tjetër populli i zhgënjyer nga situata bëhet letargjik, është koha për të shtruar pyetjen: “Çfarë ndodh kur demokracia bie në krizë ekzistenciale?”

“Diçka është kalbur në shtetin Danimarkë”.

Kohë më parë, citati më kujtoi sistemin e përshkruar në tragjedinë e Shekspirit dhe mënyrën e kalbjes së tij deri sa familja mbretërore përfundoi aq tragjikisht sa vetë shteti. Duke analizuar situatën globale vitet e fundit, dhe veçanërisht muajt e fundit, është gjithnjë e më e sigurt se ne po lëvizim në atë drejtim, përkatësisht i afrohemi një prej kryqëzimeve më serioze në historinë tonë, për të cilën do të detyrohemi të marrim vendimet kryesore për mbijetesën tonë.

Kriza ekzistenciale është një fenomen i jashtëzakonshëm që inkurajon njerëzit të prekin rrënjët e tyre dhe të eksplorojnë dëshirat dhe ndjenjat më të thella për të arritur deri te kuptimi për dhe me vetveten. Përgjatë jetës së tij, njeriu kalon nëpër faza të shumta dhe situata krizash që e çojnë atë në vetë-shkatërrim, ose në zbatimin e ndryshimeve thelbësore të domosdoshme me të cilat, me sukses do të kishte vazhduar më tutje. I njëjti fenomen ndodh edhe në shoqëri, i cili, megjithatë është vetëm reflektim i individit.

Çdo sistem shoqëror është i përshtatur për një interes të veçantë, ndërsa më pas ai modifikohet ose shkatërrohet për shkak të vjetërsimit të tij, përkatësisht paqëndrueshmërisë. Deri më tani, demokracia është konsideruar sistemi më i mirë i krijuar për shkak të paqes së qëndrueshme në pjesën perëndimore të botës, por në emër të demokracisë po bëhen gjithnjë e më tepër precedentë dhe padrejtësi me të cilat shkaktojnë dëme të paçmueshme në shumë shoqëri dhe kultura, duke trazuar mirëqenien e tyre dhe mënyrën e jetesës. Nga ana tjetër, zhgënjimi i votuesve është i dukshëm në shumicën e shoqërive demokratike, veçanërisht në mesin e të rinjve, të cilët gjithnjë e më shumë po shmangin proceset sociale dhe bëhen apatikë. Në qeverisjen që tekstualisht do të thotë sundim i popullit, ndërsa nga ana tjetër populli i zhgënjyer nga situata bëhet letargjik, është koha për të shtruar pyetjen: “Çfarë ndodh kur demokracia bie në krizë ekzistenciale?”

Demokracia është aftësi që duhet mësuar

Më mirë është të fillohet nga rrënja e saj, e cila dihet se gjendet në kulturën e lashtë antike, kur shërbeu në polisin e Athinës dhe ishte në formën e demokracisë së drejtpërdrejtë, ku të gjithë përfaqësonin vetveten. Edhe pse kjo konsiderohet themeli i sistemit të sotëm demokratik, jo të gjithë banorët kanë të drejtë të votës sipas moshës, por këtë privilegj e kanë pasur vetëm burrat, të cilët kanë përbërë rreth 20 përqind të popullsisë së përgjithshme. Një fakt interesant është se pozicionet publike i kanë siguruar njerëz të zgjedhur sipas zgjedhjes së rastësishme, përkatësisht lotari, ndryshe nga listat e sotme dhe / ose personat të cilëve me vetëdije u jepet legjitimiteti i tyre për të marrë vendime.

Edhe pse sistemi aktual ka bërë përparime të mëdha sa i përket barazisë, megjithatë nuk janë marrë parasysh gabimet dhe kritikat të cilat janë vendosur në mënyrë legjitime që nga koha kur demokracia është paraqitur për herë të parë. Një nga kritikët e saj më të njohur paraqet edhe një nga figurat më të mençura të asaj periudhe, ndërkaq ky është babai i filozofisë – Sokrati. Ai demokracinë e ka parë me syrin pesimist, sepse ka menduar se demokracia duhet të jetë aftësi që duhet mësuar në vend të ndonjë ndjenje intuitive. Sokrati ka krahasuar dhënien e të drejtës së votës pa arsim paraprak si autorizim i papërgjegjshëm për të gjithë ekuipazhin e një anije, të marrë vendime për drejtimin e saj gjatë udhëtimit nëpër një stuhi. Ironia konsistonte në atë se vetë Sokrati ishte viktimë e sistemit ku qytetarët e qytetit votuan në mënyrë demokratike për ta dënuar atë me vdekje në rast të montuar kundër tij. Por në vend që kritikat dhe vdekja e një prej filozofëve më të mençur antikë të jenë themeli i ndërtimit të një demokracie moderne ku kjo ngjarje nuk do të ishte e mundur të përsëritej, duket se asgjë nuk është mësuar.

Ndërsa Athina përjeton fundin e vet si një shtet i pavarur, ashtu zhduket edhe demokracia, e cila kthehet si rregullim shtetëror i vendeve më të zhvilluara në shekujt 19-të dhe 20 , për çka duhet të konkludohet se është një hap pozitiv përpara nga sundimi i tiranëve. Megjithatë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se kultura perëndimore ka mbivlerësuar njohuritë dhe ndikimin e saj duke krijuar demokraci të modifikuar në të gjithë botën që shpesh përfundojnë si regjime hibride, që punojnë për interesat e dikujt. Vendosja artificiale dhe e dhunshme e demokracisë në shoqëri që nuk është e gatshme për të, vërteton të jetë jashtëzakonisht e dëmshme për popullatën dhe gjithnjë e më shpesh përfundon në rrënoja. Kjo, do të ishte identike me vendosjen e injeksionit në një organizëm që është alergjik ndaj tij dhe vetëm më pas të bëhet test alergjie. Prandaj, duhet të bëhet dallimi midis demokracisë që vepron natyrshëm si nevojë e popullit, në krahasim me demokracinë që imponohet me forcë.

Regjim hibrid

Megjithëse ka shumë eksperimente të pasuksesshme në të gjithë botën me epilog të keq, do të merrja si shembull shoqërinë maqedonase, e cila bëri një hap të madh nga socializmi me burgimet politike dhe njëmendësisë partiake deri te demokracia deklarative në të cilën të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët. Privatizimi ka shkaktuar dëme të pariparueshme për ekonominë dhe ka rezultuar me rritjen e papunësisë, që kontribuoi në privimin e lirisë financiare të qytetarëve, por edhe në humbjen e besimit në institucione. Nga ana tjetër, politika e jashtme e dobët ka qenë freni i çdo përparimi në nivel ndërkombëtar, si dhe për të krijuar situatë të qëndrueshme të sigurisë. E gjithë kjo, së bashku me një mori vendimesh të tjera të pamatura, staf jo kompetent dhe kapitullime politike, ka kushtuar tre dekada dhe shumë burime të vlefshme. Cili është rezultati përfundimtar?

Edhe pse ka kaluar kaq shumë kohë nga shpallja e pavarësisë së shumëpritur, sistemi ynë aktualisht klasifikohet si regjim hibrid me një jetë të përditshme surrealiste, nën sundimin e korrupsionit të pa imagjinueshëm dhe gjyqësorit të partizuar. Popullata e re braktis shtëpitë e tyre në numër gjithnjë e në rritje për shkak të jetës së përditshme distrofike që mbretëron, seleksionimit negativ, ndërsa përmes shkatërrimit të vazhdueshëm të sistemit arsimor, shpresa e fundit për çdo të ardhme të ndritshme venitet. Idealet e një Republike të qëndrueshme maqedonase, përmes së cilës duhej të realizohej aspirata shekullore e mijëra luftëtarëve, janë reduktuar në një gjendje të shpërfytyruar dhe shtet absurd të plaçkitur i cili mbahet në respiratorë.

Demokraci jo funksionale

Natyrisht, ne jemi të gjithë qenie politike, ose zoon politikon, siç e quajti Aristoteli, për shkak të lidhjes së politikës me të gjitha degët e tjera dhe ndikimit që ajo ka në jetën e çdo qytetari. Por duhet të bëhet një dallim kryesor midis meritë së të drejtës së votës përmes arsimit përkatës, bazuar në njohuri të plotë të problemeve sociale dhe nevojave në krahasim me dhënien e të drejtës së votës për të gjithë, përmes procesit biologjik të plakjes. Kjo është e rëndësishme që të mbahet cilësi e lartë e demokracisë, duke pasur parasysh që, për të konkluduar se ekziston një demokraci funksionale në një shoqëri, duhet të supozohet se të gjithë votuesit e kualifikuar janë të njohur me rregullat e lojës, si dhe se janë krijuar kushte që të gjithë të kenë njohuri themelore në lidhje me prioritetet kryesore kombëtare. Por ky nuk është imazhi i vërtetë askund në botë, apo jo?

Jemi dëshmitarë se demokracia bëhet jofunksionale nëse njerëzit kufizohen dhe polarizohen, sepse kjo rezulton me shkatërrimin e respektit të ndërsjellë dhe humbjen e plotë të kuptimit të sistemit demokratik. Gjithnjë e më shumë njerëz demotivohen për të ushtruar të drejtën e tyre të votës, ndërsa nëse vendosin të garojnë në zgjedhje, ata zgjedhin të votojnë për “të keqen më të vogël”, përkatësisht të votojnë kundër individëve / partive të caktuara, sesa për atë të cilës i besojnë. Nga ana tjetër, motivimi nëpërmjet propagandës për të marrë pjesë në zgjedhje ose ligj me të cilin votimi do të bëhet i detyrueshëm pa edukim paraprak, mund të shërbejë vetëm si mjet për manipulim sepse në fund të ditës votuesi mesatar megjithatë nuk do të dijë çfarë dhe pse po e bën atë veprim.

Ekzistojnë disa sisteme alternative, siç është teknokracia, e cila parashikon vendosjen e profesionistëve të realizuar në çdo fushë, apo epistokracia, e cila në të vërtetë kërkon testim të detyrueshëm për të fituar të drejtën e votës, me qëllim të vërtetohen njohuritë dhe aftësitë për marrjen e vendimit të duhur. Të dy sistemet paraqesin zhvendosje nga fokusi i sasisë drejt rëndësisë së cilësisë. Nëse synojmë drejt përfshirjes së profesionistëve më të mirë në çdo sferë shoqërore, atëherë nuk ka asnjë arsye pse kjo të mos ndodhë kur bëhet fjalë për gjënë më të rëndësishme – politikën. Nëse situata politike në një vend është e qëndrueshme dhe përparon, atëherë të gjithë sektorët e tjerë do të përfitojnë dhe njëkohësisht do të përparojnë. Në të kundërt, nëse qeveria është autoritare dhe e korruptuar, atëherë të gjithë do të ndiejnë pasojat, nga artistët te fermerët dhe nga programerët te mjekët. Megjithatë, unë besoj në rëndësinë e përfshirjes së të gjithë komunitetit në vendimmarrje dhe për këtë arsye do të pajtohesha me Sokratin se zgjidhja më e mirë do të ishte vendosja e arsimit përkatës ku do të fitoheshin njohuri dhe aftësi që do të shërbenin si busull gjatë marrjes së vendimeve.

Edukimi qytetar i reformuar

Mendimi i Winston Churchill, “argumenti më i mirë kundër demokracisë është një bisedë pesë minutëshe me votuesin mesatar”, është shumë i njohur, siç është edhe e vërteta e deritanishme që qëndron pas fjalës së urtë “popull i thjeshtë, shtet i fortë”. Por po bëhet gjithnjë e më e qartë se sistemi i vjetër është i paqëndrueshëm sepse rezulton me pasurimin e individëve në vend të shoqërisë dhe qytetarëve dhe për këtë arsye po përballemi me një periudhë në të cilën do të duhet të bëhen ndryshime sistemike. Hapi i parë i nevojshëm në këtë pikë do të ishte vendosja e edukimit qytetar serioz dhe të reformuar, të detyrueshëm.

Ky edukim duhet të përfshijë tema kryesore, siç janë të drejtat dhe detyrat qytetare, procesi i vendimmarrjes, funksioni i institucioneve, prioritetet evropiane dhe botërore, rëndësia e pjesëmarrjes në proceset zgjedhore, mbrojtja e mjedisit jetësor, shoqëria civile, dhe si dhe edukim mediatik dhe digjital. Njëkohësisht, e gjithë njohuria teorike duhet të plotësohet me aftësi praktike përmes vizitës së institucioneve përkatëse dhe organizatave të shoqërisë civile, por edhe përmes punës vullnetare, në mënyrë që të rinjtë të mund të japin kontributin e tyre në shoqëri. Vendosja e edukimit qytetar katër vjeçar të kësaj përmase në programin e shkollës së mesme, gjatë kësaj duke përfshirë periudhën kur të rinjtë fitojnë të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë civile, do të krijojnë mënyrë të re të të menduarit dhe do të krijojnë breza që do të meritojnë titullin qytetarë në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button