LIGJËRATA AKADEMIKE

Liria është një e mirë që mundëson përjetimin e të gjitha të mirave të tjera.

Montesquieu (1689-1755) ishte një jurist, filozof, politolog dhe shkrimtar francez. Qysh prej vitit 1716 ai qe anëtar i Akademisë së Bordosë. Kemi të bëjmë me një erudit që ka dhënë një kontribut të lartë për zhvillimin e shkencave, teorinë politike, organizimin politik dhe social pothuajse të të gjitha shoqërive moderne, në veçanti atyre liberale. Idetë e tij ndihmuan për konceptimin e parimeve të demokracisë perëndimore. Ai është autori i veprës kapitale Mbi frymën e ligjeve, ku sugjeron një sistem politik në të cilin pushteti ndahet në ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, një ndarje që sipas tij eviton despotizmin apo tiraninë. Ka shkruar shumë ese mbi fizikën, gjeologjinë, biologjinë (Shackleton, 2019), fiziologjinë dhe ekonominë politike (Bibby, 2016), ku reflektohet botëkuptimi i tij prej empiristi dhe humanisti racionlist.

Fjalime akademike, që botohet për herë të parë në gjuhën shqipe, është një nga veprat e tij që përfshin kujtimet dhe ligjëratat e mbajtura në Akademinë e Bordosë mes viteve 1718–1721, që Akademia, përmes një pune të kujdesshme të sekretarëve të saj, vendosi t’i botonte në fillim të viteve 1780, shumë kohë pas vdekjes së autorit. Qëllimi ishte të rrokej një segment tjetër i jetës së këtij personaliteti emblematik, që aspironte një shoqëri më të përparuar e të lirë. Fjalime akademike trajton tema si jehona, vëzhgimi, gjëndrat e veshkave, pesha dhe tejdukshmëria e trupave, impulset natyrore, historia fiziko-natyrore, reputacioni, motivet që na nxisin drejt shkencës etj.

Iluministi Montesquieu, “ky njeri i pavdekshëm”, në veprën që keni dorë, me  “një ton origjinal dhe gjallëri stili” (Lamontaigne) lartëson dijen dhe shkencën. Ai e sheh Akademinë si “një stoli të krahinave” dhe sugjeron t’i jepet fund “tiranisë së injorancës”. Sipas tij, “shkencat janë shumë të dobishme, ngaqë ato i shërojnë popujt nga paragjykimet shkatërruese”. Ndryshimi midis kombeve të mëdha dhe popujve të vegjël është se të parët i janë kushtuar me zell artit dhe shkencës, ndërsa të dytët i kanë lënë ato shumë pas dore. Fati i intelektualëve, sipas tij, është “të bërtasin fort kundër pabarazisë së shekullit të tyre”. Por, edhe të tjerët nuk duhet të kënaqen me pozitën që kanë zënë – duhet të jenë dinamikë. Po ashtu, ai mendon se nëse shpirtit nuk i ofrojmë aktivitet, ai vyshket tmerrësisht, gjë që na shpie drejt një rrënimi të plotë.

Kurrsesi nuk duhet të besojmë se posti është burim qetësie. Nga punët tona nuk fitojmë tjetër veç të drejtës për të punuar më shumë”, vijon më tej. Ndërkohë nuk duhet të lodhemi nga vështirësitë, sepse ato na japin kurajë. Studiuesi s’duhet të jetë konformist. Vetë Montesquieu e ka kundërshtuar “mbretin” dhe “heroin”, pikërisht Luigjin e XIV. Ai ishte një ithtar i meritokracisë, dhe kësisoj i kundërshtonte vazhdimisht dukurritë si favoritizmi, nepotizmi,  korrupsioni etj. Publikut duhet t’i bëjmë me dije vetëm nderimet që meritojmë.” “Ka nga ata që është shumë e rrezikshme t’u japësh funksione të caktuara, në veçanti të paaftëve që s’janë në dijeni për paaftësisë e vet.”

Ndaj dhe drejtësia duhet aplikuar pa kompromise. “Le të tregohemi të drejtë kudo që të jemi: të drejtë në çdo aspekt, kundrejt çdokujt e në çdo rast.”  Drejtësia duhet të jetë e shpejtë dhe të mos diktohet nga politika. Asgjë nuk e trondit më shumë drejtësinë sesa politika, kjo shkencë e dredhisë dhe e gënjeshtrës.”

Montesquieu trajton edhe etikën, duke na dhënë profilin e njeriut të madh, i cili “e shfaq veten gjithnjë si njeri i ndershëm”. Përveç kësaj, ai thekson edhe rëndësinë e produktivitetit. “Dikush krenohet ngaqë zotëron flori, ndërsa tjetri ngaqë di si ta shumojë atë. Sigurisht që i pasuri i vërtetë do të ishte ai i cili do të dinte si të prodhonte pasuri.” Ai thekson rëndësinë e studimit dhe misionin që kemi për brezat:

“Studimi na bën të harrojmë shenjat e plakjes, na bën të mundur të lumturojmë pasardhësit.” “A nuk është qëllim i mirë të punosh për të lënë pas njerëz më të lumtur nga sa kemi qenë ne vetë?!” Montesquieu na jep leksione edhe për atdhedashurinë: atdheut “duhet të jemi në gjendje t’i bëjmë fli edhe lavdinë tonë”. Sipas tij, qytetarët apo shtetasit duhet t’i identifikojnë interesat e tyre me ato të vendit të vet. Megjithatë, detyra e një shtetasi mund të kthehet në krim kur e bën të harrojë detyrën e njeriut”.

Shpresojmë që leximi i kësaj vepre të shkruar gati para tre shekujsh dhe të botuar këtyre ditëve nga Logos-A të nxisë frymën e ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë, dashurinë për dijen, kreativitetin, jetësimin e vlerave autentike, si: ndershmërinë, dinjitetin moral, humanizmin dhe patriotizmin në një kontekst të ri, teksa po përballemi me kriza të ndryshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button