Perspektiva europiane kërkon institucione stabile, të hapura dhe të përgjegjshme

Shtetet që dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian (BE) duhet të kenë institucione demokratike të qëndrueshme dhe që funksionojnë. Shtetet anëtare dhe aspiruese duhet të respektojnë të drejtat themelore të njeriut, të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe në parim të punojnë në drejtim të një klime mirëbesimi në mes bashkësive etnike. Me fqinjët duhet të zhvillojnë politika të fqinjësisë të mirë dhe të bashkëpunimit pa provokime të ndërsjella.

Ekonomia dhe tregtia e lirë duhet të mbeten të hapura pa tensione tregtare dhe sanksione ekonomike, me çka do të vështirësonin jetën e banorëve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve gjegjëse. Ekonomia e të gjitha shteteve duhet t’i plotësojë standardet e klasës së parë nëse duan të anëtarësohen në union.

Aktualisht Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia Veriore, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia kanë perspektivë europiane. Disa shtete i kanë hapur kapitujt me BE-në e disa janë në proces të vendimit të hapjes. Në mënyrë që një shtet të bëhet anëtarë i BE-së, të gjithë duhet të pajtohen me standardet e BE-së, edhe atë në një numër sferash. Kjo mënyrë e rreptë por e drejtë e BE-së e të bërit të ligjit dhe rregullave, ju shërbejnë së pari shteteve aspiruese dhe anëtarëve aktualë të BE-së.

Harmonizimi i ligjeve të Maqedonisë Veriore (MV) me të Bashkimit Europian mbetet sfida do të thoja më kryesore e qeverisë së ardhshme, pasi nuk është vetëm përshtatja ligjore, por zabtimi i po të njëjtave në praktikë dhe funksionimi i po të njëjtave në shtetet aspirante.

Në politikën europiane të fqinjësisë dhe negociatat e zgjerimit, kapitulli i 30 që ka të bëjë me marrëdhëniet e jashtme të Bashkimit Europian, përbëhet kryesisht nga legjislacioni detyrues i BE-së por i cili nuk kërkon përshtatje me ligjin kombëtar të shteteve që një ditë do të bëhen pjesë e unionit. Ky legjislacion i BE-së rezulton nga angazhimet tregtare shumëpalëshe dhe bilaterale të BE-së, si dhe nga një numër masash të pavarura tregtare, Në fushën e ndihmës humanitare dhe politikës së zhvillimit, shtetet anëtare duhet të zbatojnë legjislacionin e BE-së dhe angazhimet ndërkombëtare dhe të jenë të gatshme për të marrë pjesë në politikat e zhvillimit dhe të humanizmit të BE-së.

Shteteve aplikuese ju kërkohet të harmonizojnë në mënyrë progresive politikat e tyre drejt vendeve të treta dhe pozicionet brenda organizatave ndërkombëtare me politikat dhe pozicionet e miratuara nga unioni. Megjithëse MV-ja ende nuk ka hapur asnjë kapitull dhe procesi pritet të fillojë këtë vit ose në 2021, qeveria ka bërë shumë pak në përshtatjen apo të themi as që ka filluar të përshtasë ligje që i kërkon ky kapitull. Gjatë krizës me refugjatët nga Siria dhe Iraku, kishte kritika të ashpra nga organizatat e huaja për keqtrajtimin e refugjatëve nga organet policore maqedonase.

E tani për tu bërë pjesë e BE-së, duhet të sillesh si europian e jo me mendësi të vjetër të trajtimit dhe shkeljes së të drejtave të refugjatëve nga shtetet fqinjë apo të vendeve të treta.

Më tej, kapitulli i 34 përfshin rregulla institucionale dhe procedurale të BE-së që shtetet e rajonit e kanë detyrimisht t’i përshtatsin me ligjet kombëtare. Kur një shtet anëtarësohet në BE, duhet të bëhen përshtatje ligjore me në këto rregulla për të siguruar përfaqësimin e barabartë të vendit me institucionet e BE-së si në Parlamentin Europian, Këshillin, Komisionin, Gjykatën dhe organet e tjera të BE-së.

Rregullat e BE-së në këtë kapitull nuk ndikojnë në organizimin e brendshëm të një shteti aënëtar apo të atyre që do të anëtarësohen në të ardhmen, por shtetet aderuese duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në vendimmarrjen e BE-së. Siç shihet procesi për në BE nuk është aq i lehtë, një varg reformash duhet bërë nga shtetet jo anëtare e sidomos Maqedonia Veriore dhe Shqiparia, pasi janë në rrugë të hapjes së kapitujve këtë vit apo në fillim të 2021-tës.

Po ta vështrojmë Maqedoninë Veriore, në këtë pjesë shumë pak ka lëvizur. Janë disa kapituj që kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi të institucioneve vendore. Të themi të drejtën, organet maqedonase aspak nuk janë të hapura dhe nuk kanë llogaridhënie me përjashtime. Andaj para dhe pas përfundimit të negociatave të pranimit, rregulla specifike për periudhën e përkohshme deri në pranimin e plotë sigurojnë një integrim të qetë të vendit në strukturat e BE-së. Pasi të nënshkruhet Traktati i pranimit, shteti që pranon i jepet statusi vëzhgues në Parlamentin Europian, Këshillin, si dhe në Komisionet e Komisionit Europian.

Ashtu siç theksuam, MV-ja ngec në shumë drejtime, nga mosdhënia llogari dhe zero transparencë institucionale. Kjo ka një shpjegim të thjeshtë: e kaluara e këtij shteti ashtu si edhe të shumë shteteve tjera të bllokut socialist ku transformimet socio-politike pas 1990-tës kanë shkuar në dëm të ndërtimit të shtetit të së drejtës, janë rezultat i keqqeverisjes nga elitat e korruptuara që dolën nga ish sistemi. Qeveritë sot ndeshen me shumë probleme dhe me tendenca për tu mos u bërë kurrë shtete me institucione të drejta dhe të hapura. Megjithatë në rast se dëshirojmë të anëtarësohemi në BE, detyrimisht duhet t’i plotësojmë kriteret, ndryshe do të mbetemi shtete të brishta dhe në fokus të grupeve të nëntokës zë zezë politike që nuk dëshirojnë shtet të drejtë, të hapur dhe të përgjegjshëm. MV-ja do të ketë proces të gjatë anëtarësimi, përderisa politika e klaneve do të vazhdojë të ndikojë mbi gjykatat, arsimin, shëndetësinë, politikën e jashtme dhe të migrimit. BE dhe europianët me sjellje dhe në vepra aspak nuk kanë ngjajshmëri me banorët e Ballkanit apo duhet të jetë e kundërta. Çka më tej?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button