Veliaj: Javën tjetër do të fillojmë me garën për Piramidën

Gara mbarëshqiptare në teknologji, Albanian ICT Awards kurorëzoi edicionin e saj të 8-të me ndarjen e çmimeve fituese në 7 kategori të ndryshme në një mbrëmje ku morën pjesë profesionistë, ekspertë, akademikë, drejtues, vendimmarrës dhe politikë-bërës në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se ambicia për Tiranën në 2030 është të jetë kryeqyteti dixhital i rajonit. “Ambicia për Tiranën në 2030 është të jetë kryeqyteti dixhital i këtij rajoni, në mos i gjithë rajonit, të paktën i trevave shqiptare dhe ndoshta është e vetmja iniciativë që e ka arritur këtë lloj bashkimi kombëtar, pa burokraci, pa bujë, pa shumë llafe, por me një produkt konkret. Kjo është ambicia ime, shpresoj që është edhe ambicia juaj dhe mezi pres ta vazhdojmë këtë bashkëpunim sa më të gjatë”, theksoi Veliaj, transmeton TCH.

Kreu i Bashkisë dha lajmin e mirë edhe për transformimin e Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit në rajon. “Ne jemi në një fazë rekrutimi për qendrën tonë “Tumo”. Javën tjetër do të fillojmë me garën për Piramidën, por teksa bëjmë garën fizike për transformimin fizik të Piramidës, kemi marrë një vendim me aleatët tanë strategjikë, Fondin Shqiptar-Amerikan: do ta fillojmë punën duke përdorur sallat e konferencave dhe klasat tek stadiumi “Arena Kombëtare”, që këtë vjeshtë. Do jemi edhe ne një operator për të mësuar kodimin”, deklaroi Veliaj.

Ai vlerësoi organizatorët dhe donatorët për organizimin e këtyre eventeve në fushën e teknologjisë duke i dhënë vendit tonë edhe një dimension të ri dhe histori të suksesshme.

ICT Awards nisi edicionin 8-të me 7 Shkurt në Tiranë, ku zbuloi për komunitetin e ICT kriteret, vlerësimet dhe shpërblimet e këtij viti dhe kategoritë e garës: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Startupi i Vitit, ICT Ylli në Ngritje i Vitit, ICT Diploma e Vitit, Gruaja në ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe ICT Siguri Kibernetike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button